Huqjet e njëpasnjëshme të kryeministrit kosovar

Huqjet e njëpasnjëshme të kryeministrit kosovar

Nga Syri.net Kosova - 21/10/2020

Avdullah Hoti duket se është mësuar tashmë të bëjë  vazhdimisht të kundërtën e asaj që e thotë.

Para shkarkimit të drejtorit të policisë, kryeministri e vlerësoi me tone pozitive një aksion policor në Karaçevë, ku e pësuan disa policë, por jo edhe bandat e bixhozit. Sot, ndër arsyet e largimit nga pozita të Rashit Qalajt, Hoti përmendi edhe aksionin sipas tij, tani, të dështuar në Karaçevë.

Dje, qeveria shuajti një Task Forcë kundër korrupsion në kuadër të policisë së Kosovës, ndërsa në anën tjetër miratoi disa zotime për zbatimin e MSA-së, ku theksi vihej te lufta kundër korrupsionit. Ky mekanizëm i policisë, po hetonte edhe zyrtarë, politikanë të LDK-së dhe partive të tjera për afera shumëmilionëshe.

Hoti e quajti një Task Forcë-në kundërshtim me kushtetutën, duke iu referuar parimit të pushteteve të ndara. Ai bëri kështu gafën e radhës, sepse po ta respektonte këtë parim, do ta dërgonte çështjen në Gjykatën Kushtetutese, e cila është autoriteti për ta interpretuar nëse është apo jo shkelje kushtetuese.

Shkarkimi i shpejtë në polici, erdhi  ‘rastësisht’ pak ditë pasi në duart e nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova u vendosën prangat përkohësisht. Gjykata, pas spektaklit me kryetarin e Istogut, e la të lirë njërin  nga figurat me ndikim në Lidhjen Demokratike.

LDK mund të duket parti e urtë dhe e butë, por veprimet e fundit dëshmojnë një fushatë të organizuar të rikapjes së shtetit. Të mos harrojmë edhe bordet e kompanive publike apo institucioneve të tjera ku rehatohen sistematikisht njerëzit e partive në koalicion, pavarësisht përgatitjes së dobët që kanë.

Kryeministri nuk arriti t’i përgjigjej as një akuze të rëndë nga drejtori tjetër që e shkarkoi në ATK, sipas të cilit, disa kompani me dijeninë e Hotit, kur ky i fundit ishte ministër i financave, qarkulluan 3 miliardë euro pa iu nënshtruar asnjë tatimi.

Ekonomia informale, e dëmton qindra miliona euro buxhetin e Kosovës çdo vit dhe një dukuri e tillë, nuk është zvogëluar as pas disa përpjekjeve modeste të qeverisë për ndalimin  e aktiviteteve joligjore.

Hoti, në krye të qeverisë, edhe pse shprehet se do ta çojë deri në fund mandatin, e di edhe vetë se është çështje muajsh nga shkarkimi i tij. Kohën e mbetur, me përkushtim, po e shfrytëzon për akomodimin e interesave të ngushta partiake, ndërsa në Kuvend, e ka humbur tashmë shumicën.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco