Mos u mërzit për Profetin!

Mos u mërzit për Profetin!

Nga Kimete Berisha - 20/10/2020

Jo Profetin Muhamed, por cilindo njeri në botë e ofendon nëse e vizaton cullak, aq më tepër dikë që as nuk e ke parë cullak, as nuk e ke idenë se si duket cullak e as se si është dukur i veshur me tesha. 
Sepse, krejt bukuria dhe simbolika e figurës së Profetit Muhamed është te misterioziteti i pamjes së tij fizike. 
Je i bukur, më i bukuri në botë kur askush nuk e di si dukesh! 
Është bukuri e 'frikshme', që të bën ta respektosh, është një bukuri që nuk të jep mundësi ta komentosh. 
Dikë që nuk e ke parë, nuk mund ta komentosh, as ta lavdërosh e as ta përqeshësh!
Po pra, këdo që e vizaton cullak me prapanicë përpjetë është ofendim, është fyerje. 
Por, ofendimi dhe fyerja në këtë rast nuk kryejnë punë. 
Në prapanicën e karikaturës në fjalë është vendosur një yll i verdhë, si ai ylli që ua vënin hebrenjëve, si shenjë dalluese, për t'i çuar drejt vdekjes.
Porosia e karikaturës thotë 'Është zbuluar një Yll'. 
Dhe ky është dështimi i parë i autorit. 
'Ylli' nuk mund të zbulohet për së vdekuri, prandaj karikaturën nuk duhet ta merrni seriozisht, sepse autori nuk ia ka arritur qëllimit, fjalën e ka për një Muhamed që u zbulua sot, sepse Profetin Muhamed është shumë vonë për ta zbuluar. 
Për ta kuptuar vogëlsinë e një krijuesi, shikoje me çfarë tema merret. Sa më i vogël dhe i dështuar 'autori', aq më shumë merret me tema të mëdha. 
Vet qëllimi i karikaturës në përgjithësi është fyes, duhet ta kuptoni, sepse vetëm për fyerje dhe përqeshje ekziston karikatura. 
Karikaturë të 'ndershme' e sikushi, nuk ka. 
Karikatura ka për qëllim të zmadhojë organe apo veti që e karakterizojnë një person! 
Profeti Muhamed ka më shumë ndjekës se çdo njeri i gjallë. 
Nuk bëhesh i madh duke e pikturuar cullak, as duke e fyer. 
As duke kujtuar se prapanica është organ i turpshëm! 
Dhe nëse kujton se kur do ta shkatërrosh dikë, preke 'aty'. 
Mjerim psikik dhe varfëri e madhe kur kujton se e shkatërron, e shtin nën dhé me një foto cullak, dikë që me shekuj është nën dhé.
Askush nuk arrin asnjë të mirë me fyerje. 
Dhe askush kurrë nuk u shkatërrua nga një karikaturë. 
Prandaj, Ti si besimtar që je, mos u pikëllo. 
Ka kush e mbron Profetin nga e keqja. 
Atij as që i nevojitet mbrojtje. 
Sepse e kanë mohuar dhe e kanë përqeshur për së gjalli dhe nuk është hakmarr. 
Kush ka lexuar nga Ju e dini mirë se si në fillim e përqeshnin Profetin, por ai kishte durim. 
Bile një herë kur u sëmurë dhe nuk shkonte dot as në xhami, një komshije që e refuzonte besimin në Zot, tha e pyeti Profetin me përbuzje 'Hë, ku e ke tash Zotin, pse s'po t'ndihmon'. 
Por, Profeti nuk ia ktheu me të keq. 
Pra, njerëzit e mëdhenj dhe të zgjedhur, Profetë nuk bëhen pa e mësuar pikë së pari mohimin dhe fyerjen. Profeti e ka kaluar për së gjalli atë 'flamë'. 
Ata që sot 'e zhveshin' cullak pa ia parë asnjë fotografi dhe pa e pasur as idenë më të vogël se si është dukur, ata ku me ditë kë e kanë zhveshur. 
Askush s'mund të garantoj se karikatura në foto është e Profetit Muhamed. Karikaturisti ka qejf të mendoj se e ka zhveshur Profetin me laps. 
Sepse askush s'do ta njihte Profetin edhe po ta kishte para syve. 
Muhamed mund të jetë kushdo në karikaturë, përveç Atij që kurrë askush nuk e ka parë si duket. 
Misterioziteti e mbron Profetin nga fyerja. 
Mund t'ia 'mohosh' mësimet, por s'mund të dish kujt po ia mohon. 
Për ta bërë karikaturë Profetin Muhamed, do të duhej ta dije si dukej. 
E këtë kënaqësi feja islame nuk ia ka dhënë askujt në botë. 
Dhe kjo është enigma më e bukur e fesë. 
Prandaj, mos u merr me atë karikaturë. Thjesht mos e shiko. 
Është e drejt e gjithkujt të jetë 'i keq'! 
Mos e mbroni të zgjedhuri e Zotit nga njeriu i thjesht, se ka kush e mbron Profetin Muhamed! 
S'ka nevojë që i shenjti matanë qiejve të mbrohet nga njerëzit e kësaj bote, sepse as që jeton në këtë botë. 
Thjesht vazhdo duaje Profetin tënd! 
Dashuri të vrazhdtë nuk ka. 
Dashuria është vetëmbrojtja më e mirë. 
P.S. Nejse, me largu shkencëtarin 'aksidental' 
prej France nuk është ide e keqe.

Mos u mërzit për Profetin! Jo Profetin Muhamed, por cilindo njeri në botë e ofendon nëse e vizaton cullak, aq më tepër...

Posted by Kimete Berisha on Tuesday, October 20, 2020

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco