A mund ta arrijmë imunitetin e tufës?

A mund ta arrijmë imunitetin e tufës?

Nga John Authers - 20/10/2020

Ideja e “imunitetit të tufës” përmes infektimit me Covid-19, e përjashtuar thuajse kudo 6 muaj më parë, tani është duke u shqyrtuar seriozisht në kryeqytetet e gjithë botës. Ajo është një çështje shumë e komplikuar shkencore, por që gjithashtu paraqet një dilemë të pashmangshme morale.

Për t’i dhënë një përgjigje, janë të nevojshme si gjykimet shkencore, ashtu edhe ato morale. Arritja e imunitetit të tufës përmes infeksioneve, përfshin pranimin se shoqëria nuk do të përpiqet t’i shpëtojë njerëzit nga Covid-19, dhe se do të ndodhin disa vdekje të evitueshme.

Niveli i imunitetit të tufës, ndryshon nga sëmundja në sëmundje. Ai është deri në 90 për qind për sëmundjes e fruthit. Ndërsa revista shkencore “Nature”, vlerëson se pragu për Covid-19 mund të jetë deri në 50 për qind e popullsisë.

Lajmi i keq:Për vende të tilla si Franca dhe SHBA-ja, “kjo do të përkthehej përkatësisht në 100.000-450.000 dhe 500.000-2.100.000 të vdekur”. Ndërkohë, ka epidemiologë të njohur

që besojnë se pragu i imunitetit të tufës është arritur në rajone, që tashmë kanë përjetuar shpërthime të mëdha epidemike.

Ata argumentojnë se Covid-19 mund të vihet nën kontroll, kur është e infektuar më pak se 20 për qind e popullsisë. Shekujt e filozofisë morale, na kanë lënë rekomandime të ndryshme për vendime të tilla delikate.

E mira më e madhe për numrin më të madh të njerëzve

Utilitarizmi, një rrymë filozofike e krijuar nga reformatorët liberalë të epokës viktoriane në Anglinë e shekullit XIX-të, nuk fokusohet tek detyrat apo të drejtat e njerëzve, por më tepër gjykon veprimet sipas pasojave të tyre. Në formën e tij më të vrazhdë, nëse nga një veprim përfitohet ”e mira më e madhe, për numrin më të madh të njerëzve”, atëherë utilitarizmit do ta justifikojë atë veprim.

Kështu, sakrifikimi i disa njerëzve mund të justifikohet, nëse nga kjo përfitojnë qartazi shumë të tjerë. Tani i dimë mirë kostot e larta të karantinave. Përtej dëmit të dukshëm ekonomik, ato sjellin një dëm të madh në shëndetin mendor dhe fizik të qytetarëve.

Në një koment në Bloomberg, Tajler Kouen pyet:“A do t’ia vlente t’i shtojmë nga 1 vit jetë të gjithë njerëzve mbi 65 vjeç, duke shkatërruar të ardhmen e çerekut të njerëzve nën 20-vjeç?”. Nëse kjo është zgjedhja, shumica prej nesh, përfshirë të gjithë utilitaristët, do të thoshim “Jo”.

Liria dhe mbijetesa e më të dobëtit

Kundërshtimi ndaj masave bllokuese udhëhiqet nga liridashësit, të cilët i japin përparësi të drejtës së njeriut për të vetëvendosur. Historia e shquar e libertarianizmit, shkon pas në kohë tek filozofi britanik Xhon Loks, dhe Etërit Themelues të SHBA-së.

Në mishërimin e tij modern, lirbertarianizmi është i lidhur me mendimtarin britanik të shekullit XIX-të Herbert Spenser dhe së fundmi me romancieren Ajn Rand. Libertarët nuk mbështesin sjelljet e papërgjegjshme, por ata besojnë se vendime të tilla si shkuarja në zyrë apo mbajtja e maskës, duhet t’u lihet në dorë individëve të përgjegjshëm dhe të mirë-informuar.

Kjo natyrshëm përjashton bllokimet e rrepta. Por nëse nuk do të mbyllemi më, a jemi të përgatitur ta çojmë libertarianizmin në përfundimin e tij logjik? Darvinizmi Social, ose lënia e njerëzve para gjykimeve mizore të natyrës, nisi me Spenserin, që shpiku termin “mbijetesa e më të fortit”, disa vjet para se Çarls Darvini të botonte librin “Mbi origjinën e specieve”.

Në librin “Statistikat sociale”, Spenser argumentoi nevojën e ”eleminimit gradual të njerëzve me zhvillim më të dobët”. Kjo është e vërtetë jo vetëm për të moshuarit, por edhe për ata që goditen më shumë nga Covid për një sërë arsyesh, më së shumti, të varfrit dhe pakicat. A do të ndjekin tani njerëzit logjikën e pastër libertariane?

Rregulli i Artë

Mjekët e marrin etikën e tyre nga filozofi i iluminizmit, Emanuel Kant, që e bazoi moralin te “Rregulli i Artë” biblik:të mos u bëjmë të tjerëve, atë që nuk do të donim të na bënin ne të tjerët”. Kjo përputhet me mësimin e krishterë, dhe qëndron në themel të Betimit të Hipokratit në mjekësi:”Së pari mos bëj asnjë dëm!”.

Ajo i nënshtrohet gjithashtu teorisë me ndikim të teoricienit politik të Universitetit të Harvardit Xhon Rolls, se ne duhet të bëjmë zgjedhje si të jemi pas një “velloje të injorancës”.

Për pasojë, disa pazare me natyrë utilitare mund të bëhen të pamundura për t’u justifikuar.

”Unë mendoj se ka shumë argumente kundër imunitetit të tufës. Së pari, ai shkel parimin “mos bëj dëm” të mjekësisë. Shumë mjekë, nuk do të ishin në gjendje ta shkelnin atë”- thotë Artur Kaplan, profesor i bioetikës në Univesitetin e Nju Jorkut.

Braktisja e personave të prekshëm në fatin e tyre, është diçka që as mund të shtrohet për diskutim. Por, a do ta kalonte “Rregulli i Artë” mbylljen e tyre në shtëpi, derisa të arrihej imuniteti i tufës? Mbase jo.

Me njerëzit që nuk distancohen apo që nuk mbajnë maska, dalja në botën e jashtme do të ishte edhe më e rrezikshme, dhe të prekshmit do të ishin edhe më të izoluar. Kjo rrezikon krijimin e një grupi qytetarësh të dorës së dytë. Edhe me mbrojtjen e personave të prekshëm, një strategji e imunitetit të tufës mund të diskriminojë popullata të caktuara. Është e vështirë që kjo të përputhet me “Rregullin e Artë”.

E mira e përbashkët

Po sikur të kërkojmë “të mirën e përbashkët” në shoqëri, një ide që shpesh etiketohet si “komunitarizëm”? Këto ide e kanë origjinën tek mendimtari francez Zhan Zhak Ruso dhe kontrata e tij sociale, dhe u pëlqejnë shumë socialistëve dhe konservatorëve kulturorë.

Jehonat e Darvinizmit shoqëror, e bëjnë një herezi për komunitarët idenë e imunitetit të tufës. Ben Brambëll, filozof në Universitetin Kombëtar Australian dhe autor i librit “Etika pandemike:Tetë pyetje të mëdha mbi Covid-19”, argumenton se bllokimet i sjellin dobi shoqërisë:

“Zgjedhja për të sakrifikuar shumë qytetarë të moshuar dhe të pambrojtur, kryesisht për të kursyer problemet për të rinjtë dhe të shëndetshmit (dhe të pasurit), mund të helmojë marrëdhëniet midis këtyre grupeve. E si mund të riparoheshin marrëdhëniet tona me ta?

Kjo mund të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme strukturën e vetë shoqërisë sonë”.

Lërjani këtë punë shkencëtarëve

Gjashtë muaj më parë, unë shkrova se “ne të gjithë jemi tani Rollsianë”. Qeveritë dhe shoqëritë reaguan ndaj pandemisë, si ta kishin për detyrë ta vendosnin veten në privime

të mëdha, për të mbrojtur të sëmurët dhe të moshuarit. Tani e dimë që ky ishte një lloj iluzioni.

Pati shumë vdekje të vetmuara dhe të panevojshme në shtëpitë e të moshuarve, ekonomitë

u tronditën, dhe shumë shpejt nisi kundërshtimi i ashpër ndaj bllokimeve. Rasti i Trump me Covid-19, tregon se ndërsa sëmundja është ende këtu me ne, shërimi i tij i shpejtë tregon

se aftësia jonë për ta trajtuar këtë sëmundje, dhe për t’i mbajtur gjallë të sëmurët po përmirësohet.

Pra edhe pse kemi informacione të reja, duhet të bëjmë sërish të njëjtat zgjedhje. Por tani balanca është zhvendosur nga bllokimet e rrepta, dhe qasja utilitare është më dominante.

Pas krizës ekonomike të pranverës, qartësia e “Rregullit të Artë” i ka lënë vendin një drejtpeshimi kompleks të situatës.

Po sa komplekse në fakt? Nuk e dimë Ajo që dimë është se “topi” është sërish në fushën e shkencëtarëve. Filozofët mund të na ndihmojnë vetëm që të marrim një vendim që kërkon të dhëna të mira. Por i takon shkencës që të hedhë dritë mbi kostot, dhe udhëheqësve që t’ia komunikojnë këto kosto popullatës.

Vështirësia e krahasimit midis dy alternativave të shëmtuara, mund të zbulojë kufizimin e madh që ka utilitarizmi si filozofi:që ndonjëherë kërkon krahasimin e gjërave, të cilat nuk mund të krahasohen.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco