Zgjimi i vonë i Shpend Ahmetit në kryeqytetin e masazheve dhe kaosit

Zgjimi i vonë i Shpend Ahmetit në kryeqytetin e masazheve dhe kaosit

Nga Syri.net Kosova - 19/10/2020

Në fundin e mandatit, kryetari i Prishtinës e ka çuar peshë vendin. A thua se do ta shndërrojë për pak muaj Prishtinën, në një kryeqytet normal e modern....

Po, ku ishe ti Shpend deri tash? Në Facebook, sigurisht se dhjetëshe e ke. Aktiv dhe goxha kreativ ke qenë, sidomos gjatë pandemisë, ku për pak rrëmbeve sërish zemrat e banorëve.

Edhe mbështetësit më të flaktë të Shpend Ahmetit, me siguri, ndihen të zhgënjyer nga rezultatet e qeverisjes së kryeqendrës.  Ka fare pak arritje të prekshme, që kanë lënë gjurmë në përmirësimin e jetës së njerëzve.

Prishtina në përmbylljen e mandatit të dytë të ish-aktivistit të shoqërisë civile, është më kaotike se kurrë, më e ndotur dhe e mbingarkuar. Po dole me veturë, nuk e di se kur mbërrin në destinacion.

Betonimi i Prishtinës, jo vetëm që nuk është ndalur, por ka vazhdur edhe më hovshëm. Fundja, milionat aty janë, te lejet e ndërtimit. Shpendi e di mirë këtë. Siç edhe e ka të qartë, se një mandat i tretë është i paimagjinueshëm me këtë dështim spektakolar.

Ish-anëtari i Vetëvendosjes, i shndërruar në socialdemokrat, shpenzoi kohë me tema nacionale, duke neglizhuar përgjegjësinë e marrë nga votuesit. Debakli në zgjedhjet para një viti, ishte një sinjal serioz për të ardhmen e tij politike.

Disa shtigje të ngushta biçikletash, nuk mund ta mbulojnë performancën e lodhur të Shpend Ahmetit.

Prishtina sot është është më e shëmtuar dhe e rrëmujshme, më e papastër dhe e keqmenaxhuar.

Të jetosh në kryeqytetin e Kosovës, është bërë gjithnjë e më e vështirë. Dora e autoriteteve lokale rrallë ndihet. Mungesë totale e rregullit. Banorët rezidentë, ndihen si të ishin të huaj këtu.

Parkingjet janë një histori dështimi. Mbeturina gjithandej, kanalizime të hapura që kundërmojnë në mënyrë të padurueshme. Por, më tepër kundërmojnë “shtëpitë publike” gati në secilën lagje.

Në dy mandate, arritja kryesore ‘ekonomike’ e Shpend Ahmetit është “zhvillimi” i shpejtë i masazheve.

Është sekret publik, veprimtaria e këtyre të fundit. Prishtina, me keqardhje, duhet ta theksojmë, është shndërruar në një oazë prostitucioni, që me gjasë e ka mbështetjen nga zyrat shtetërore, sepse kaq lirshëm nuk do të ndodhte.

Është e turpshme për një kryetar komune kaq të rëndësishme, të mos bëjë asgjë, të mos reagojë qoftë edhe një herë të vetme.  Së paku, të kërkojë legalizimin e prostitucionit. Si në vendet evropiane.  Më mirë një nevojtore në mes të qytetit, se i tërë qyteti nevojtore!

Në duart e studentit të Harvardit, Prishtina nuk mund të bëhej më keq. Një histori administrimi abuziv dhe demmbelizmi i pashoq, për t’u harruar e për të nxjerrë mësim në zgjedhjet e ardhshme.

Kryeqytetit i duhet një kryetar punëtor, që jeton me nevojat e popullatës, me telashet e secilës lagje, që nga kërcënimet e qenve endacakë deri te zgjidhjet kreative për trafikun e stërngarkuar.

Mbi të gjitha, Shpend Ahmeti rezultoi një oportunist i madh. Nga jahti i Devollëve, në karrigen e kryetarit të Prishtinës, fryma e tij “socialdemokrate”, u hetua  dhe u shua lehtësisht.

Ashtu siç ia ktheu shpinën ish-subjektit që e bëri kryetar, nuk do ta ishte problem të shkelte mbi zotimet e dhëna para mijëra votuesve që e mbështetën në zgjedhje.

Me siguri, është aq inteligjent, sa të mos hyjë përsëri në garë. Rezultati do të ishte edhe më skandaloz, se me 6 tetor....

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco