Kosova duhet ta çmojë sinqeritetin e Lajçakut

Kosova duhet ta çmojë sinqeritetin e Lajçakut

Nga Augustin Palokaj - 19/10/2020

Nuk ka faj Lajçaku pse Kosova nuk ka asnjë qëndrim të qartë dhe unik rreth dialogut, rreth temave dhe marrëveshjeve e madje as rreth rolit të tij. Ai herë është i pranueshëm e herë jo për politikanët e Kosovës. Së paku duhet të çmohet sinqeriteti i tij me deklaratën se Kushtetuta e Kosovës mund të ndryshohet. Për Lajçakun asnjëherë Kushtetuta e Kosovës, e as Pakoja e Ahtisaarit, nga e cila buron kjo kushtetutë, nuk ka qenë e pranueshme. Së paku, asnjëherë nuk e kemi dëgjuar Lajçakun t’i mbështesë ato. Por, Kosova nuk guxon të pranojë që të krahasohen Kushtetuta e Kosovës me atë të Serbisë

Ka kaluar gjysma e mandatit të Miroslav Lajçakut në rolin e të dërguarit të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Siç ishte paraparë edhe me mandate, ai raportoi para ministrave të jashtëm të BE-së për progresin e deritashëm në zbatimin e mandatit të tij. Dhe, sipas pritjeve që ishin kur ai u emërua, në mars duhet ta bëjë raportin gjithëpërfshirës.

Kështu, marsi i vitit që vjen ishte caktuar si një lloj afati për arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë. Por, askush nuk beson më se deri atëherë do të ketë vërtet marrëveshje finale. As vetë Lajçaku nuk beson. Prandaj, ai dhe zyrtarët e tjerë të BE-së kanë filluar të flasin se “nuk ka afate artificiale” për përmbylljen e dialogut dhe se “gjithçka varet vetëm nga të dyja palët”. Për Lajçakun nuk do të ketë kurrfarë pasojash nëse dialogu nuk do të ketë sukses. Atij dhe tërë ekipit të tij, që BE-së i kushton 1.2 milion euro për vitin e parë të mandatit, do t’iu vazhdohet mandati. Vetë Lajçaku ka thënë se atë “e kanë lutur” që ta marrë këtë post. Deklarata e tillë nuk përputhet në tërësi me atë që thonë disa diplomatë në Bruksel, të cilët shumë muaj para se ai të emërohej, pohonin se Lajçaku, në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, i vetëdijshëm se partia e tij po i humb zgjedhjet, lobonte fuqishëm për ta marrë këtë post. Dhe u prit pikërisht që të përfundojnë zgjedhjet në Sllovaki e pastaj menjëherë Lajçaku të emërohet dhe ta nisë mandatin pa humbur as edhe një ditë, edhe pse ishte kohë e mbylljes totale për shkak të pandemisë. Por, kjo për Kosovën ka më pak rëndësi. Emërimi i tij kishte shfaqur edhe një herë mungesën e konsistencës nga ana e liderëve kosovarë.

Ata dërgonin porosi se Lajçaku nuk do të ishte zgjidhje e mirë pasi vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën, dhe edhe shefi i tij, Borrell, po ashtu. Por, qëndrimet e liderëve kosovarë ndryshonin, sipas rrethanave. Ka shumë diplomatë në Bruksel që ishin të shqetësuar pse privatisht liderët kosovarë kërkonin që të pengohet emërimi i Lajçakut, e në anën tjetër në takime me zyrtarë të BE-së pohonin se “nuk kanë asgjë kundër”. Lajçaku javën që shkoi ishte në Kosovë dhe Serbi për të bërë trysni për vazhdimin e dialogut. Siç është bërë tashmë traditë e atyre që në emër të BE-së e lehtësojnë dialogun, një gjë e tha në Kosovë e një gjë tjetër në Beograd. Me rëndësi është që secili të jetë i kënaqur dhe të pranojnë të vinë në Bruksel në takime në kuadër të dialogut. Por, më së shumti përshtypje, e madje edhe shqetësim në Kosovë, krijoi deklarata e tij dhënë në një intervistë në Televizionin e Serbisë se Kushtetuta e Kosovës mund edhe të ndryshohet, sepse “nuk është Bibël”. Dhe, vërtet kushtetutat mund të ndryshohen, mund të plotësohen, modernizohen dhe në parim nuk do të mund të kishte asgjë të keqe.

Edhe Kosova do të donte t’i ndryshonte disa gjëra me Kushtetutë. Për shembull, formimin e Ushtrisë. Por deri më tash nuk e kemi ditur se qëllimi i dialogut ndoshta është edhe ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës. Një kërkesë e tillë duket logjike nëse është pranuar se qëllimi i dialogut është gjetja e një zgjidhjeje ndryshe nga ajo që kishte propozuar Ahtisaari, dhe që nuk e kishte pranuar as Serbia, por as 5 shtetet e BE-së, përfshirë edhe shtetin nga vjen Lajçaku. Pra, Kosova, duke pranuar të hyjë në dialog, duke mos parashtruar kushte që të mos diskutohet për statusin ( e ai është përcaktuar me Kushtetutë), duke mos reaguar ndaj deklaratave se “Serbisë dhe serbëve në Kosovë duhet dhënë më shumë sesa Ahtisaari”, ka hapur rrugë për trysni që edhe Kushtetuta të ndryshohet. Nuk ka faj Lajçaku pse Kosova nuk ka asnjë qëndrim të qartë dhe unik rreth dialogut, rreth temave dhe marrëveshjeve e madje as rreth rolit të tij. Ai herë është i pranueshëm e herë jo për politikanët e Kosovës. Së paku, duhet të çmohet sinqeriteti i tij me deklaratën se Kushtetuta e Kosovës mund të ndryshohet.

Për Lajçakun asnjëherë Kushtetuta e Kosovës, e as Pakoja e Ahtisaarit nga e cila buron kjo kushtetutë, nuk ka qenë e pranueshme. Së paku asnjëherë nuk e kemi dëgjuar Lajçakun t’i mbështetë ato. Por, Kosova nuk guxon të pranojë që të krahasohen Kushtetuta e Kosovës me atë të Serbisë. Kushtetuta e Serbisë është hartuar në mënyrë unilaterale nga Serbia, ka kaluar me një referendum të dyshimtë, dhe në të ka pretendime territoriale ndaj Kosovës duke e përmendur si pjesë të saj. Kushtetuta e Kosovës nuk e përmend Serbinë si pjesë të Kosovës. Nuk shpreh aspirata territoriale ndaj askujt, dhe madje e ndalon bashkimin me ndonjë shtet tjetër apo pjesë të territorit të shteteve të tjera. Dhe, që është më e rëndësishmja, Kushtetutën e Kosovës e kanë hartuar përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, me rol të madh të BE-së.

Pra, Kushtetua e Kosovës nuk është krejt ashtu siç kanë dashur kosovarët. Dhe, Kosova nuk duhet të lejojë që Pakoja e Ahtisaarit dhe Kushtetuta të përdoren kur i konvenon dikujt e jo kur ato Kosova i konsideron si parime për t’i mbrojtur interesat e saj. Serbët nuk kanë problem të thirren në Kushtetutën e Kosovës kur duhet të mbrohen interesat e kishës ortodokse serbe, as kur nuk pajtohen me krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Edhe BE-ja e NATO-ja mendojnë njësoj. Por, kur Kosova thirret në Kushtetutën e saj dhe Pakon e Ahtisaarit, atëherë Beogradi thotë se “e ashtuquajtura Kushtetutë nuk ka kurrfarë vlere”. Kështu Kosova është e vetmja që është obliguar ta respektojë Pakon e Ahtisaarit e BE-ja jo. Sepse propozimin e tij nuk e kishin mbështetur 5 shtete dhe në këtë mënyrë ajo asnjëherë nuk ishte mbështetur formalisht nga BE-ja. Lajçaku, megjithatë, ka bërë një hap prapa. Ai me idenë për ndryshimet e Kushtetutës së Kosovës ka krijuar më shumë problem sesa që kishte deri më tash në dialog. Dhe, mund të ndodhë që për një kohë të gjatë të mos ketë më takime të dialogut, sepse në këto rrethana nuk duket e logjikshme që Kosova të shkojë në takime të dialogut pa u sqaruar shumë gjëra.

Por, edhe për Kosovën është më mirë që Lajçaku të thotë qëllimet e vërteta dhe mendimet e tij qartë siç i tha në Beograd. Mund të ndodhë që Lajçaku edhe të japë “sqarime” dhe të japë edhe “garanci” sa për të siguruar praninë e delegacionit të Kosovës në dialog. Por, Kosova duhet të rritet më në fund dhe të sillet në mënyrë të pjekur. Të mendojë vetë se çfarë do e çfarë jo në vend që të kërkojë “garanci” nga zyrtarë të BE-së. Që nuk vlejnë asgjë. Çfarë vlere ka sot një letër që ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Moghgerini, ia kishte dërguar ish-kryeministrit Mustafa, që shihet qartë se e kishte qëllimin vetëm ta bindë atë ta nënshkruajë dokumentin për zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Çfarë rëndësie ka sot se si e ka “kuptuar” ajo në atë kohë se çfarë nënkupton e çfarë jo marrëveshja. Garancitë e saj kanë po aq vlerë sa edhe garancitë për heqjen e vizave në vitin 2016, e më vonë edhe 2018. Nuk kanë kurrfarë rëndësie. Gjejeni dhe kërkoni tash llogari nga Mogherini, apo nga baronesha Ashton. Problemi nuk qëndron te Lajçaku, por te Kosova.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco