Asociacioni  e sjell Republikën serbe në Kosovë

Asociacioni e sjell Republikën serbe në Kosovë

Nga Syri.net Kosova - 16/10/2020

Ashtu siç pritej, pas dështimit të ndarjes së Kosovës, në skenë është rikthyer Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Një marrëveshje me Serbinë është ratifikuar në Kuvend, por Gjykata Kushtetuese e ka nxjerrë anti-kushtetetues këtë organizëm të ri, për të cilin janë pajtuar të gjitha partitë, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ish-kryeministri Isa Mustafa, nënshkrues i Asociacionit, publikoi një letër të përfaqësueses sës lartë të BE-së në vitin 2015, Frederika Mogherini, ku merrte zotimin evropian se Asociacioni nuk do të përbënte një nivel të tretë pushteti dhe do të ishte pa kompetenca ekzekutive.

Megjithatë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e interpretoi ndryshe. Letrat mund të kenë peshë të caktuar politike, por barra juridike është te marrëveshjet. Ajo që e shtynë përpara me zell Isa Mustafa e Hashim Thaçi, të mbështetur nga deputetët e paditur, është kërcënimi më i madh që i bëhet Republikës.

Nuk është e rastësishme që pasi i takoi të gjithë faktorët politikë, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak lëshoi deklaratat “befasuese” nga Beogradi, duke propozuar ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

Një Kushtetutë në fakt duhet ndryshuar, por është ajo e Serbisë, që e përfshin ende edhe shtetin e Kosovës në preambulën e saj. Lajçaku, duhej ta kërkonte ndryshimin e saj, por fundja pse ta bëjë ai, kur asnjëri nga bashkëbiseduesit e tij në Prishtinë, me siguri që nuk ia ka përmendur një gjë të tillë.

Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Asociacioni i dakorduar në Bruksel dhe i votuar në parlamentin kosovar, është bërë i pavlefshëm. Për ta funksionalizuar idenë, e vetmja rrugë është ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës.

Një Asociacion pa kompetenca ekzekutive, nuk u duhet asgjë serbëve, prandaj ata këmbëngulin në krijimin e tij. Përse do të zhvilloheshin tërë ato vite negociata mes palëve? Për një OJQ?  Me siguri që jo.

Kosova e ka një Asociacion të Komunave që funksionin si organizatë joqeveritare, ku mund të marrin pjesë edhe komunat me shumicë serbe. Përse u dashka një Asociacion paralel edhe me kompetenca ekzekutive?

Bashkësia ndërkombëtare ka investuar shumë në Kosovën multietnike, ndërsa çuditërisht, të gjitha përpjekjet kohëve të fundit bien ndesh me këtë parim.

Së pari, ishte një tentativë serioze për ndarjen mbi baza etnike, ndërsa tash ridel në skenë “Bashkësia e Komunave me shumicë serbe”, që gjithashtu krijon terrenin për një shtet brenda shtetit.

Me Pakon e Ahtisarit, pakicave, veçmas serbëve u garantohen të drejtat dhe privilegje, që nuk i ka asnjë pakicë në asnjërin shtet të Evropës. Këtë pako që e solli edhe pavarësinë, Serbia nuk e kishte pranuar.

Pavarësisht presioneve të shtuara, Kosova nuk do të duhej të lejonte krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive, sepse do të vihej në pikëpyetje kushtetuetshmëria, sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës.

Serbët nëse nuk duan të bëhen pjesë e Asociacionit aktual, mund ta themelojnë OJQ-në e tyre, si e drejtë e garantuar me ligjet në fuqi. Por, jo të krijojnë një nivel të tretë pushteti, duke e goditur rëndë stabilitetin e Republikës.

Partitë kosovare, duhet të bëhen më serioze dhe të mos bëjnë kompromise me asnjë ide që sjell bosnjizim të Kosovës. Fakti se ka një Republika Srpska, e bën Bosnjë-Hercegovinën, një shtet jostabil.

Nuk duhet të ndjekim rrugën e ngjashme.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco