E shtata.....’e vërteta’

E shtata.....’e vërteta’

Nga Syri.net Kosova - 03/10/2020

Kjo e së premtes, ishte mbledhja e shtatë e qeverive të Kosovës e Shqipërisë. Me marrëveshjet e nënshkruara, bëhen 90 të tilla, shumica të ngelura në letër. Sidomos ato për ekonominë.

Përtej fasadës dhe paradës së zyrtarëve të Tiranës dhe Prishtinës, realiteti është i zymtë. Biznesmenët kosovarë thonë se më lehtë afarojnë në Maqedoni apo Malin e Zi, sesa në Shqipëri. Që nga bllokadat e patates dhe qumështit në kufi, gjërat nuk kanë ndryshuar.

Edi Rama flet për hapje kufijsh, por me siguri e ka ndërmend planin e Vuçiqit për mini-shëngenin ballkanik. Me Kosovën, trau është më shumë se asnjëherë funksional. Vetëm për transportin, kostoja e kompanive kosovare që lëvizin nëpër Shqipëri, është rritur ndjeshëm.

Përfaqësuesit e bizneseve në të dyja anët e kufirit, e kanë ngritur zërin, megjithatë në dy mandatet e qeverisë së majtë shqiptare, nuk ka asnjë përparim të vërejtshëm.

Mbledhjet e përbashkëta, kanë shërbyer më tepër si burim propagande, vetëlavdërimi e patetizmash të llojllojshëm. Në rastin më të keq, janë shndërruar në larje hesapesh publike mes liderëve.

A ju kujtohet kur Rama i quante gomarë të gjithë kosovarët ata që nuk pajtoheshin me Hashim Thaçin?

Edhe nëse ka pasur ndonjë peshë takimi ndërqeveritar, kryeministri socialist, nuk rri dot pa ia humbur thelbin. I frustruar me rënien e pashmangshme nga pushteti, gjen kohë të merret me Albin Kurtin. Pak e çuditshme, sepse fundja, të së njëjtës familje janë të dy. Për dallim nga Kurti, fare pak i sprovuar në qeverisje, Rama me kohë i ka braktisur edhe bindjet e së majtës.

Partneriteti Shqipëri-Kosovë, nuk ndërtohet duke fortifikuar feudet përkatëse të Tiranës e Prishtinës, me oligarkët përreth. Me monopole, kriminalitet shtetëror dhe prapaskena politike, nuk mund të zbatohet as edhe një marrëveshje e vetme.

Kjo puna e portit herë të Durrësit, e herë të Shëngjinit, është bërë objekt batutash në rrjete sociale. Ramës i interesojnë ngarkesat e drogës e jo lehtësimi i veprimtarisë së bizneseve serioze.

Në regjimin e tij, Shqipëria e Kosova, kanë pasur ngecje e përplasje, ftohtësi e vrazhdësi. Kosova, në sytë e liderit socialist, është ajo që ia portretizon Batoni e Hashimi. Si e tillë, është e përshtatshme për t’u nxjerrë në pazar, për t’u ndarë e për t’u bërë objekt tregtie me Serbinë.

Prandaj, edhe e instaloi një u.d. ministër të jashtëm nga Kosova, për ta mbulur këtë aventurë territoriale me pasoja të rënda.

Arroganca e kryeministrit të Shqipërisë, e ka dëmtuar ndjeshëm çdo nismë bashkëpunimi mes qeverive. Takimet e përbashkëta, Rama i ka përdorur për të ledhatuar egon e tij, për t’iu shfaqur si baba i kombit, derisa e morën vesh të gjithë se në fakt, po e mbështet ndarjen e Kosovës.

Si asnjëherë më parë, ai përfundoi në gjykatë duke paditur një kryeministër kosovar, që e akuzoi për planet me Vuçiqin e Thaçin në kurriz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Përballë kryeministrit kosovar, që udhëton me autobus dhe han sanduiçë, Rama, me prepotencë bëri spektalin e radhës. Fjalë të mëdha pa fund, e vepra askund.

Nga dështimet e shtatë mbledhjeve Shqipëri-Kosovë, ka çfarë të nxjerrë mësim pushteti i ardhshëm në vendet tona. Më mirë më pak marrëveshje e që zbatohen, ndërsa dobitë janë të prekshme për njerëzit këndej e andej kufirit, sesa letra pambarim që nënshkruhen, por efekti mbetet zero.

Ardhja në pushtet e së djathtës, mund t’ua rikthejë shpresën shqiptarëve për një partneritet konkret dhe fuqizim të kombit tonë.

Me njerëz si Edi Rama, që kënaqësinë e kanë në prehrin e Vuçiqit e shërbëtorëve të tij në Prishtinë e Tiranë, le të mbajmë mbledhje çdo javë. Rezultati dihet. Bllokada dhe pengesa pa fund.

Bizneset dhe qytetarët e gjejnë vetë rrugën e bashkëpunimi dhe zhvillimit. Ajo që duhet të bëjnë qeveritë është ta lehtësojnë procesin. Këtë nuk e bënë deri tash. Qeveritë e përgjegjshme, do t’i jepnin një hov faktorizimit ekonomik, social e kulturor të shqiptarëve.

Me largimin e Ramës dhe zgjedhjen e pushtetit legjitim në Tiranë e Prishtinë, hapet rruga e zhvillimit.

Potenciali ekziston. Thjesht duhet zhbllokuar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco