“E ezauruar”

“E ezauruar”

Nga Flaka Surroi - 03/10/2020

Shumë mirë që u shkua me autobus në Tiranë. Shumë simbolike kjo punë. Përderisa të tjerët në rajon thuajse shtegtojnë me supersonikë, ne ende shtegtojmë me autobus. Të ezauruar

Ka ditë që numri i të vdekurve dhe të infektuarve nga COVID-19 po bie, që mbase është lajmi më i mirë që kemi mundur ta prisnim në këto ditë të marra të cilat i jetojmë. Gjasat janë që Kosova po e përmbyll valën e parë të pandemisë, me disa muaj vonesë krahasuar me shtetet e tjera në Evropë. Vala e dytë tashmë ka shpërthyer në Evropë sërish dhe duhet parë se si do të na gjejë kur të na shfaqet neve.

Mbetet megjithatë e paqartë se sa njerëz në të vërtetë janë infektuar, ngase prej shënimeve që kanë ofruar autoritetet del se vetëm 4% e popullatës është testuar që prej marsit, kurse me gjithë insistimin e gazetarëve nuk bëhen publike shënimet nga laboratorët që i bëjnë testet serologjike – as për numrin e të testuarve e as për ata që kanë krijuar ose jo antitrupa.

Sido që të jetë, numri i të vdekurve nga virusi e kaloi numrin 600, e ky nuk është numër i vogël, po qe se edhe këtu evidenca është e saktë.

* * *

Ndërkohë u mbajt mbledhja e përbashkët e të dy qeverive në Tiranë. Si rëndom, u nënshkruan një grumbull memorandumesh, të cilat do të shohim po qe se do të zbatohen. Për lëvdatë qe vendimi i Hotit që të shkohet në Tiranë me autobus. Gjithsesi më lirë se po të ishin nisur 25-26 vetura për të shkuar në një mbledhje.

Aty sërish e përsëriti se çështja e Asociacionit të komunave serbe ishte mbyllur më 2013 e 2015, porse assesi ta pranojë se me marrëveshjet e përmendura, në fakt, themelohet rrafshi i tretë i pushtetit në Kosovë që e shkel rendin kushtetues.

Shkuarja në Tiranë, megjithatë, u pasua nga një skandal i paparë shkaktuar nga autoritetet kosovare që e shpallën non-grata avokatin amerikan Tienmu Ma, duke u munduar që t’ia mohonin vazhdimin e lejes së qëndrimit, duke u mbështetur mbi bazën se avokati nuk e paska pasur të përkthyer diplomën në njërën nga gjuhët zyrtare në Kosovë dhe se nuk paska pasur mjaft para në bankë për ta dëshmuar se mund ta mbante veten. Që të dyja bazat u hodhën poshtë nga vetë avokati Ma si dhe avokati i tij mbrojtës, Tomë Gashi. Vendimi ishte bërë publik para se t’i dorëzohej palës, me ç’gjë ishte shkelur Udhëzimi Administrativ.

I gjithë problemi buron te fakti se avokati i diplomuar nga Yale kishte bërë një hetim të jashtëzakonshëm për zbulimin rrethanave në të cilat ishin dëbuar gjashtë shtetasit turq. I kishte gjetur 31 shkelje të ligjit dhe ky dokument ishte miratuar nga Kuvendi. Tregonte qartë se përgjegjësia për shkeljen eklatante të të drejtave të shtetasve turq ishte punë e institucioneve shtetërore të Kosovës, përfshirë edhe kryetarin e shtetit i cili u tall me komisionin hetimor të Kuvendit. Pasoja e këtij dëbimi janë 50 vjet burgim për të dëbuarit, një nga ta madje gabimisht i arrestuar.

Pra, qartazi, arsyeja për dëbimin e tij është hakmarrja, e cila gjë iu bë me dije zyrtarëve kosovarë, ambasadorit amerikan si dhe zyrtarëve të State Departmentit me një letër të cilën pardje e morën nga profesori i të drejtave të njeriut në Yale, David Silk. Nuk e di a ka turp më të madh për një vend si Kosova, i njohur për shkeljet drastike të të drejtave të njeriut që i pësoi me dekada nga pushteti serb, që tash të bëhet shkelës vetë. Dhe në çfarë forme. Marre.

* * *

Sikur ky të ishte skandali i vetëm, edhe disi do të kalohej. Porse ishte edhe një, shumë më i rëndë, të cilin e shkaktoi zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.

Pas takimit dhe marrëveshjes “historike” në Washington, me të drejtë familjarët e personave të zhdukur insistonin që të dinin se ku mbeti puna me çështjen e të zhdukurve që kurrë nuk u ngrit në bisedimet me Serbinë.

Kjo ngase në Washington të zhdukurit ishin vënë me një shportë me personat e zhvendosur, për të cilët, thuhej në marrëveshje, duhej gjetur zgjidhje. Përderisa është shumë e qartë që të zhdukurit dhe të zhvendosurit janë viktima të drejtpërdrejta të dhunës, absolutisht nuk mund të barazohen për nga pesha. Të parët nuk janë më. Nuk janë fare, sepse ka 21 a 22 vjet që kërkohen bile eshtrat e tyre, ashtu që të varrosen me dinjitet e jo siç ka ndodhur në Batajnicë e gjetkë. Të zhvendosurit janë të gjallë dhe shumë sish kanë ikur prej Kosovës për shkak se kanë qenë pjesë e skemave të përndjekjes së shqiptarëve para dhe pas lufte dhe i kanë shitur pasuritë e tyre.

Se sa janë të tillë nuk e di askush, sepse madje kur vjen puna për ta përcaktuar numrin e të pagjeturve, zyrtarët tanë dalin me shifra të turlillojshme, sepse aq lodhen për këtë çështje. Ah po, edhe në ditën e të pagjeturve dalin e i vendosin do lule në atë “përmendore” që shpërfaq të gjithë ofendimin që u bëhet familjarëve të të pagjeturve. E futur disi midis gilinderëve është një gur i bardhë me sa figura miniaturale që supozohet se duhet nderuar të zhdukurit. Marre sa s’ka.

Në emër të Komisionit për të Pagjeturit, ftesën për t’u paraqitur në Kuvend Selmanajt ia nisi Saranda Bogujevci, që - hiq faktin se është deputete - është e mbijetuar e një masakre dhe, pa dyshim, zë i fuqishëm i familjarëve të viktimave të luftës. Selmanaj bëri që zyra e tij të përgjigjej me një shkresë se nuk do të paraqitej, sepse “kjo temë është konsumuar dhe është ezauruar”.

Konsumuar e ezauruar janë thuajse sinonime për të treguar se një diçka është shterur dhe s’ka ku shkon më. Janë fjalë me rrënjë latine të cilat kushedi pse Selmanaj i fut në përdorim në komunikim me njerëz që duan ta dinë nëse marrëveshja “historike” do t’ua gjejë eshtrat e të dashurve, prej të cilëve tash u kanë mbetur vetëm kujtime. Janë fjalë që kallëzojnë pikërisht që kësaj qeverie, sikurse krejt të tjerave përpara ku fjalën kryesore e kishin pasur PAN-i e LDK-ja, aq i bën për këtë punë. Aq i bën saqë të zhdukurit i barazon me të zhvendosurit dhe me kaq e “ezaurojnë dhe e konsumojnë” një çështje që mbetet plagë e pambyllur për familjarët e 1653 personave që ende janë të zhdukur.

E ezaurimi dhe konsumimi i kësaj çështjeje për këtë qeveri është pikërisht edhe një dëshmi se as pushteti e as kjo shoqëri nuk kanë bërë gjë për t’i ndjekur krimet e luftës në asnjë vend. Hajde nuk paskemi pasur mundësi t’i gjykonim kriminelët, po a kemi pasur mundësi t’i mbledhim dëshmitë? Kush na ka ndalur? Është dashur të vinin hetues të huaj për të kuptuar se si kanë ndodhur krimet, e ne me këmbëngulje refuzonim ta kishim gjykatën tonë për krime lufte, në Kosovë, që do ta organizonim dhe udhëhiqnim vetë. Po jo, se tema e të zhdukurve është e “ezauruar”, ashtu siç është ezauruar gjithçka që lidhet për luftën dhe për krejt krimet që na shkaktoi shteti serb në Kosovë – për shkak se në Washtingon u nënshkrua “marrëveshja historike”. Familjarët e të pagjeturve nuk e kanë merituar edhe një injorim të radhës, që i shtohet dhimbjes e cila atyre nuk do t’u ezaurohet kurrë.

* * *

E pasojë e qasjes së shpjeguar më lart është edhe Specialja, që u krijua për faj të Thaçit dhe gjithë atyre që mendonin sikur ai.

Nisi me marrjen në pyetje të komandant Calit, e më pas në transmetim të drejtpërdrejtë, me një përkthim jo fort të mirë nga Haga, edhe të Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit. I pari i tha gjykatësit se nuk e njihte këtë gjykatë, kurse i dyti kërkoi mbrojtjen në liri me kusht për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, meqë ishte 75% invalid i luftës.

Ndërkohë që të tre mbahen në paraburgim në Hagë, pas arrestimeve spektakolare që i paraprinë paraburgimit. Calin e mori policia e Speciales dhe e Eulexit në shtëpi; Gucatin në zyrë, Haradinajn duke dalë nga një studio televizive, me shumë forca policore që, sinqerisht, dukeshin tepër të vrazhda dhe madje edhe të panevojshme për këto veprime.

Policia e Kosovës nuk ndërhyri fare, vetëm ruante rendin, kurse Specialja, sërish dhe si përherë që nga fillimi i punës së saj, u përmbajt nga komentet në stilin: “Nuk komentojmë”. Do të duhej të komentonin, ngase kanë marrë përgjegjësi që rrjedhin nga Kushtetuta e ligjet e Kosovës dhe opinioni publik në Kosovë ka të drejtë të informohet. Nuk po kërkojmë të na zbuloni sekretet, sepse tashmë dikush disa i ka zbuluar (se kush mirë do të ishte të na tregoni), porse duhet pasur komunikim normal me një popull i cili prej dekadash është ngopur me rrena dhe gjysmëinformata. Se po të mos ishte kështu, as Specialja nuk do të ishte themeluar.

* * *

Shumë mirë që u shkua me autobus në Tiranë. Shumë simbolike kjo punë. Përderisa të tjerët në rajon thuajse shtegtojnë me supersonikë, ne ende shtegtojmë me autobus. Të ezauruar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco