Kush i solli dosjet?

Kush i solli dosjet?

Nga Liri Loshi - 02/10/2020
Kush i solli dosjet e Gjykatës Speciale në zyrën e veteranëve të luftës? Zyrtarët e OVL-së thonë se ato i solli Rrufeja! Do me thënë se kjo ishte një befasi për ta dhe se ata nuk kanë ndonjë ide të qartë se kush do të ketë qenë personi! Duket disi e çuditshme dhe e pabesueshme. Si mundet dikush të sjell një volum aq të madh dokumentesh dhe zyrtarët e OVL-së të mos kërkojnë të paktën t’ia mësojnë emrin dhe mbiemrin. Si nuk kanë denjuar t’i kërkojnë një dokument identiteti personit, kur ai ishte gjendur brenda lokaleve të veteranëve?! A do të thotë kjo se oferta ishte aq atraktive sa zyrtarët e OVL-së u frikësuan se po ta kërkonin identitetin e atij personi, mund ta trembnin engjullin që po sillte aq shumë lajme të rëndësishme nga bota tjetër?!!!

Për mua përseri mbetet e paqartë se si këta njerëz që nëpër studio televizive shfaqën me temperament aq të lartë e besa edhe agresivë, të kenë lejuar që një njeri, të cilin ata nuk e njihnin, jo njëherë, por disa herë të sillte materiale në zyrë dhe të mbetej i panjohur?! Është vështirë pra të besohet se Rrufeja është një person i panjohur për zyrtarët e OVL-së.

Pse është e rëndësishme që të dekodohet Rrufeja? Njohja e personit do ta zgjidhte tërë misterjen. Kështu, nëse Rrufeja ishte një person i njohur për OVL-në, atëherë do ta kuptonim se ngjarja u orkestrua nga vetë ata dhe se qellimi i krejt atij aksioni u realizua me sukses nga perspektiva e tyre. Nëse Rrufeja nuk ishte person i panjohur për OVL-në, atëherë dyshimi bie mbi ndonjë agjendë serbe, apo të një pale të tretë që vështirë se do të përputhej me interesin e OVL-së, po as të Kosovës.

Është tepër me rëndësi që të hetohet rrjedha e këtyre dokumenteve, meqë ende nuk është e qartë a erdhën ato nga Haga, apo nga Beogradi. Nëse erdhën nga Beogradi kjo na bën të dyshojmë në disponimin e Beogradit zyrtar ndaj kësaj gjykate, meqë deri më tash në diskursin publik ka dominuar mendimi se Beogradit i konvenonte inkriminimi i UÇK-së dhe ky inkriminim nuk mund të bëhet pa një gjyq dhe pa denimin për veprat e pretenduara. Më pak i zëshëm ka qenë mendimi se Serbisë nuk i konvenon verdikti i drejtësisë meqë prokuroria e Gjykates speciale nuk mund të provojë krimet e supozuara , kështuqë UÇK-ja e njollosur nga raporti i Dick Martit mund të dilte krejt e pastër nga procesi gjyqësor.

Në fund, për mua është shqetësuese dekonspirimi i dëshmitarëve, pavarësisht se formalisht zbulimi i identitetit të tyre ende nuk ka ndodh. Një nga shkaqet që kjo Gjykatë u themelua jashtë Kosove, ishte se në proceset tjera gjyqësore të pjestarëve të UÇK-së, kishin munguar, ishin zhdukur, apo ishin frikësuar dëshmitarët. Pra, shpërndarja në publik (mediave) e dosjeve dhe e listës së dëshmitarëve ka prekur mu në pikën më të dobët të procesit gjyqësor. Dhe, çfarë do të kemi për pasojë? Dëshmitarët do të ndjehen të frikësuar për jetën e tyre dhe kjo do ta komprometojë paraqitjen e tyre në gjyq si dhe dëshmitë e tyre. Dhe, e tërë kjo do ta komprometojë nxjerrjen e së vërtetës për ato që pretendohet se kanë ndodhur.

Parimisht, kur në gjyq nuk kemi prezantim provash dhe deshmi kredibile, procesi gjyqësore dështon. Këso dështimesh ka pasur gjithkund në botë dhe do të ketë ende. Mirëpo, ekziston rreziku që gjyqi të marrë një kahje tjetër që do të insistonte në suksesin e procesit gjyqësor, pavarësisht provave dhe dëshmive mu për faktin e atmosferës së krijuar pas skandalit me dosjet e që do të kishte për bazë disponimin, apo diskrecionin e trupit gjykues ndaj pretendimeve të prokurorisë me rastin e marrjes së vendimeve për rastet e trajtuara. Kjo rrezikon që shumë të akuzuar të denohen pa prova dhe fakte! Ky do të ishte dëmi më i madh që do t’u bëhej individëve, UÇK-së dhe Kosovës.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco