Politika e re që po lexon dhe konstrukton Lulzim Basha

Politika e re që po lexon dhe konstrukton Lulzim Basha

Nga Altin Gjeta - 30/09/2020

Në fillim të vitit 2015-të pak kush do ta kishte imagjinuar se britanikët do të votonin pro daljes nga Bashkimi Europian në referendumin e qershorit të 2016-ës. Me më shumë se dyzet vite aderim në tregun e përbashkët europian, Britania e Madhe atëbotë dukej e lidhur pazgjidhshmërisht ekonomikisht, leglisht dhe gjeostrategjikisht me BE-në.

Ardha e njerëzve që dështuan të parashikonin Brexit si një opsion real fillon me ish-kryeministrin David Cameron dhe vazhdon më tej me komentatorët dhe gazetarët politik të cilët duket se pluskonin në flluskën e Westminster-it në Londër, nga ku zor se shihet se çfarë ndodh në Midlands (zonën qendrore të Anglisë) apo më tutje në veri ku jetojnë anglezët e mbetur mbrapa multikulturalizmit dhe boom-it ekonomik të qendrës.

Megjithatë, mes këtij grupi njerëzish do të dilte në skenë një perosnazh i cili ka gjasa të thyejë epoka në historinë e Britanisë, strategjisti politik Dominic Cummings, i cili sot mban postin e këshilltarit të parë të kryeministrit Boris Johnson. Ndryshe nga elitat e velura pro-europiane në Westminster, Cummings, i cili vërdallisej me biçikletë në rrugët e ngarkuara të Londrës, e kishte kuptuar se përgjatë bankinave të Tamizit po frynte një erë e re. Birtanikët ishin të lodhur dhe bezdisur deri në neveri nga burokracitë e Brukselit. Pas shumë vitesh ece-jake në korridoret e BE-së, refuzimit të politikave të përbashkëta si ajo e eurozonës dhe Shengenit, britanikët duket se kishin vendosur ta hidhnin në kosh kostumin e ngushtë të Brukselit.

Cummings ishte ndër të parët që e përthithi këtë mesazh. Ai e kuptoi se tashmë ‘kishte një politikë të re në qytet’, Brexit. Në javët dhe muajt përpara fillimit të fushatës së referendumit, Cummings arriti t’i bindë mbështetësit e Brexit brenda Partisë Konservatore, se fushata për daljen nga BE-ja mund të fitohej. Kështu ai mori besimin e drejtimit të fushatës Leave (dalja nga BE) të cilën përkundër shumë parashikimeve e përmbylli me sukses në mbrëmjen 23 qershorit 2016.

Njëjtë si në Britaninë e vitit 2015-2016, në Shqipërinë e sotme ka një politikë të re, në kuptimin që ka një kërkesë politike që shtrihet në mënyrë horizontale në shoqërinë shqiptare, e cila konvergon me një tjetër lloj exit-i, daljen nga tranzicioni i tej zgjatur 30 vjeçarë. Më mirë se askush tjetër, këtë etje zhuritëse për t’i dhënë fund tranzicionit e ka lexuar lideri demokrat Lulzim Basha. Ai qëllimisht ka sfumuar retorikën kritike kundrejt kryeministrit Rama pasi në një regjim universal botërorë ‘demokratik’ të kritikosh nuk është e mjaftueshme, pasi siç thotë Kristin Ross, profesorja emiritus në Universitetin e New York-ut në SHBA, kjo do të thotë të mbetesh brenda një sitemi i cili është totalisht i pashqetësuar nga kritika. Për shembull, megjithëse presidenti i Zimbabve-ve Robert Mugabe kishte manipuluar dukshëm sistemin elektoral, opozita dhe shoqëria ishte e pafuqishme të reagonte përderisa Mugabe bënte sikur respektonte ritualet demokratike.

Në shtatë vite qeverisje, Edi Rama ose i ka dyllosur veshët ndaj kritikës së opozitës dhe shoqërisë në tërësi, ose i është përveshur duke përdorur të gjitha mjetet dhe metodat për ta mbytur zërin e oponencës në çdo skaj ku gjendët ajo. Kur kemi hyrë në vitin e tetë të qeverisjes së Ramës, është e kotë t’i kërkosh reflektim dhe ndryshim një pushteti i cili jo vetëm që nuk ka dëgjuar kritikat dhe propozimet e opozitës dhe shoqërisë por ka vijuar çimentimin e hegjemonisë politike dhe ekonomike nën sloganin tallës ‘qent le të lehin, karvani shkon përpara’.

Lulzim Basha e ka lënë karvanin të ecë lirshëm në rrugën e vet drejt marrëzisë. Kritikës opozitare ai i ka mbivendosur shpalosjen e alternativës së tij qeverisëse e cila qëndron në dy pilastra kryesore, programin ekonomik i cili synon kthimin e shqiptarëve në punë dhe çlirimin e ekonomisë nga monopolet, si dhe platformën politike e cila ka për qëllim themelimin e demokracisë nëpërmjet reformimit institucional dhe kushtetues të republikës.

Diskursi i ri politik i Bashës ka krijuar dy pasoja imediate që në instancë të fundit ka gjasa të përcaktojnë rezultatin elektoral të zgjedhjeve të 25 prillit. Së pari, artikulimi pozitivist ka bërë të mundur që për herë të parë opozita të mos ndjekë ngjarjet e propagandës së qeverisë apo konstruksioneve të tjera që kanë për qëllim shmangien e vëmendjes së publikut nga problemet reale, por të imponojë agjendën dhe diskursin e vet në hapësirën publike. Së dyti, kjo jo vetëm që po mobilizon qytetarët të cilët shikojnë lindjen e alternativës qeverisëse, por po dekonstrukton artikulimin bosh të Ramës i cili i gjendur në tokë të thatë, ka filluar të kopjojë idetë qeverisëse të opozitës.

Ndërkohë, shkrirja e programit ekonomik dhe politik liberal të Bashës në një platformë qeverisëse krijon premisat për lindjen asaj çka filozofi francez Michel Foucault e ka quajtur Biopolikë. Megjithëse se sot koncepti bioplitik i qeverisjes, pra martesa e ekonomisë së lirë të tregut me demokracinë është bërë objekt kritikash të shumta në botën perëndimore, gjykoj se në gjendjen parademokratike dhe parakapitaliste ku noton Shqipëria prej një shekulli, lindja e një platforme të tillë qeverisëse (governmentality) do të krijonte kushtet reale për nxjerrjen e vendit nga tuneli i gjatë i tranzicionit politik dhe ekonomik.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco