‘Bosët’ e luftës e pasluftës, mbajnë peng ende Kosovën

‘Bosët’ e luftës e pasluftës, mbajnë peng ende Kosovën

Nga Syri.net Kosova - 30/09/2020

Zor të gjesh një  vend si ky i yni, ku ‘gjykimi’ zhvillohet në studiot televizive për gjithçka, deri edhe te krimet e luftës. Mysafirët e njëjtë, në ekranet e njëjta, përsërisin çdo mbrëmje togfjalëshat e njëjtë për Gjykatën e padrejtë, barazimin e kriminelit me viktimën, dosjet në duart e veteranëve, etj....

E vetmja temë që asnjëherë, bash as edhe një herë të vetme nuk shtrohet për diskutim është krimi ndaj viktimave, vrasjet që kanë ndodhur. As edhe një fjalë se si ndihen familjarët e personave të vrarë, të zhdukur, për fatin e të cilëve prej dy dekadash, nuk ka përgjigje nga mekanizmat e drejtësisë.

Si gjithnjë protagonistët e diskutimit publik, janë figurat e stërkonsumuara që nga bashkëpunëtori i Stanishiqit te ndonjë vrasës ordiner, të cilin e ka lënë të lirë ‘drejtësia’ kosovare.

Veteranët e luftës, nuk po arrijnë t’i shpëtojnë kësaj përplasjeje me Specialen, falë edhe drejtuesve të papërgjegjshëm. Disa mund të kenë brohoritur kur e dëgjuan Nasim Haradinajn të deklaronte se nuk e njeh Gjykatën, por nëse nuk e njeh, atëherë nuk duhet të njohësh as parlamentin e Kosovës, as Presidentin e Kosovës dhe as partitë kryesore që e miratuan themelimin e këtij tribunali për krime lufte.

Loja me dosjet, vetëm sa e ka përshpejtuar nisjen e proceseve gjyqësore. Me gjasë, kjo nuk ishte thjesht një rastësi. Gjykatës i duhej një shkëndijë, për ta ndezur serinë e gjatë të gjykimeve.

Specialja është fakt i kryer. Të dyshuarve, të akuzuarve, dëshmitarëve e të gjithë të tjerëve u mbetet të bashkëpunojnë në mënyrë që drejtësia ta kryejë punën e saj. Mund të jetë politike, por Gjykata do të nxjerrë në bankën e të akuzuarve figura publike, ish-krerë të UÇK-së, politikanë të fuqishëm që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e re të Kosovës.

Për  njerëzit e luftës, kjo është një situatë e vështirë, por ata kanë bërë sakrifica edhe më të mëdha, prandaj nuk do të duhej ta humbisnin durimin dhe arsyen pikërisht tani. Falë luftës çlirimtare dhe ndërhyrjes së NATO-s e mbështetjes ndërkombëtare, Kosova e fitoi lirinë dhe pavarësinë nga Serbia.

Bota e di që regjimi serb kreu masakra në Kosovë, shtypi e dhunoi, dëmtoi e shkatërroi. Në Tribunalin e Hagës janë gjykuar protagonistë të gjakderdhjes, janë dënuar, por drejtësia nuk ka shkuar deri në fund. Megjithatë lufta i ka dy anët e medaljes. Ballafaqimi me pjesën e errët të luftës, po ndodh në Speciale.

Ata që janë të pafajshëm, të tillë do të shpallen në fund. Kosova, ashtu si në vitet e Tribunalit të Hagës, duhet të dëshmojë bashkëpunim me drejtësinë dhe jo ta pengojë atë.

Specialja para pak kohësh doli publikisht me qëndrimin e saj se Hashim Thaçi e Kadri Veseli janë duke e penguar drejtësinë. Të dy liderët, që janë të heshtur kohëve të fundit në pritje të konfirmimit ose jo të aktakuzës kundër tyre për rreth 100 vrasje, duhet të ishin më të zëshmit dhe më bashkëpunuesit në funksionalizimin e Speciales. Vetë kanë bërë presion që të miratohet.

Fati i Republikës nuk mund të lidhet me ecurinë e disa gjykimeve për krime lufte, ku do ta pësonin disa ish-komandantë, politikanë që kanë ndikuar në të gjitha qeverisjet e pasluftës dhe njihen si koka të keqpërdorimeve dhe korrupsionit të instaluar në institucione.

Indiferenca e opioninit publik që hetohet lehtas, ndërlidhet pikërisht me dëshirën e njerëzve për t’i parë jashtë politikës e pushtetit disa figura që ende janë përcaktues në vendimmarrjen shtetërore.

Nëse atyre u ka mbetur sadopak kredibilitet, do të tërhiqeshin nga politika e do të ballafaqoheshin me drejtësinë individualisht, pa përzier institucionet e partitë, duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, për ta legjitimuar pushtetin e ri.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco