Civilja karshi projekt-kodit civil

Civilja karshi projekt-kodit civil

Nga Luljeta Aliu - 30/09/2020

Dje, në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion (etj.), ka mbetur pezull vendimi rreth procedimit në Kuvend të Projekt-Kodit Civil. Madje, si duket, për shkak të presionit të shoqërisë civile (e duke lënë anash modestinë e tepruar mund të them se unë dhe Inject - Initiative for Justice and Equality kemi pasur gisht në këtë punë ), ky draft nuk është pranuar fare.

Zonja Haxhiu kishte reaguar sot. Me shkas. Ia di për nderë dhe është për çdo lëvdatë përkushtimi i saj ndaj çështjes.

Zonja Albulena Haxhiu ka qenë kryesuese e Komisionit për Legjislacion gjatë kohës kur e kam dorëzuar kërkesën dhe propozimet për Ndryshimin e Ligjit për Familjen. Në atë kohë, sapo kisha filluar aktivizmin tim dhe kisha dyshimet e mia në insitucionet shtetërore. Nuk besoja se do të ndodhë, se do të përkrahet një iniciativë e një qytetareje. Albulena Haxhiu arriti të ma kthejë besimin se qytetari ka mundësi ndikimi.

Edhe pse isha thjeshtë një qytetare me një kërkesë, edhe pse nuk e njihja znj. Haxhiu, kurrë nuk ishim takuar, edhe pse asnjëherë nuk kisha tentuar të gjej rrugë jo-formale të ndikimit, por thjeshtë e kisha dërguar lutjen dhe kërkesën time në emailin zyrtar të Komisionit, unë befasisht mora përgjigje dhe pranim ta dërgoja propozimin për ndryshim të ligjit.

Zonja Haxhiu në mënyrë profesionale i është përgjigjur kërkesës sime dhe e ka mbështetur atë pa asnjë rezervë dhe me plot përkushtim.

Në vende tjera moderne kjo do të ishte normalja, ndërsa në Kosovë dhe Ballkan, kjo është e JASHTËZAKONSHME.

Zonja Haxhiu ka qenë promotore e atij ndryshimi të ligjit, i cili fatmirësisht është votuar nga të gjitha partitë në Kuvend në mënyrë unanime, njëzëri, pa asnjë kundërshtim.

Të gjitha gratë deputete, e të gjithë burrat deputetë, e votuan NJËZËRI ndryshimin e kërkuar me propozimin që e kisha inicuar. Zemra mal më bëhej t'i shoh ashtu të përbashkuar për çështje të interesit shoqëror.

Pas një viti të hyrjes në fuqi të atij ndryshimi ligjor, i cili i jepte fund diskriminimit ndaj grave dhe shkeljes së të drejtave të tyre në procedura gjyqësore, Projekt-Kodi Civil e dërgon një dokument në qeveri dhe Kuvend, ku nuk përfillet vullneti i përfaqësuesve tanë, i deputetëve të të gjitha partive politike dhe ku ofrohet pëe votim një Kod Civil që nuk e integron ndryshimin e votuar në Kuvend të Ligjit për Familjen. Në mënyrë tinzare, të padrejtë dhe jo-profesionale, mundohen ta ç'bëjnë një arritje aq të madhe dhe relevante për shoqërinë tonë, e sidomos për gratë, saqë është për tu turpëruar me titujt dhe shpenzimet milionëshë që i kanë bërë gjat? kohës së draftimit të atij projekt-kodi.

Tani, çdo deputet, çdo deputete, e sidomos ÇDO GRUA, duhet të kërkojë amandamentimin e këtij Projekt-Kodi Civil. Nuk guxon të kalojë një propozim i një grupi punues të ngushtë, me kryesisht burra patriarkalë, duke shkelur ligjet ekzistuese të votuara në Kuvend, dispozitat ligjore dhe vullnetin e një numri madh qytetarësh, pa u amandamentuar nga përfaqësuesit tanë, DEPUTETËT, të cilët i kemi votuar për të përfaqësuar interesat tona.

Projekt-Kodi Civil është një PROJEKT. Ndërsa KODI CIVIL na mbetet neve themeli, në bazë të cilit do të vendoset drejtësia në Kosovë. Projektet janë të përkohshme. Kodifikimet ligjore do të na përcjellin gjatë. Prandaj duhet kujdes, përkushtim, vigjilencë dhe këmbëngulje maksimale që Kodi Civil të pasqyrojë dhe përfshijë të gjitha nevojat TONA SI SHOQËRI, e jo nevojat, dëshirat dhe komplekset e një grupi të vogël ekspertësh ligjorë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco