Përse Rama nuk flet më për akreditimin dhe rankimin e universiteteve

Përse Rama nuk flet më për akreditimin dhe rankimin e universiteteve

Nga Ndriçim Mehmeti - 28/09/2020

Një nga premtimet e mëdha të Rilindjes e të vetë kryerilindasit, Rama, ishte “një arsim i lartë cilësor, me standardet më të mira, si në të gjithë Evropën. Për të na mbushur mendjen se e kishte seriozisht këtë premtim, në dhjetor të vitit 2014, Rama nënshkroi me një agjenci britanike një marrëveshje kontrollin e cilësisë së universiteteve shqiptare, akreditimin dhe rankimin (renditjen) e tyre. Me këtë rast Rama, deklaroi “se pas mbylljes së universiteteve, priten të tjera “dhimbje” në sistemin arsimor pas kontrollit të cilësisë që do të kryejë agjencia britanike në universitete. Se sa në rregull janë lidhur me kriteret e cilësisë që duhet të garantojnë, këtë duhet të na e vërtetojë ky proces, proces që pritet të sjellë të tjera dhimbje në rrugën e arsimit të lartë dhe që do të na ballafaqojë me të tjera prova rrëqethëse që iu bë institucioneve të arsimit të lartë në vend”, duke vlerësuar agjencinë britanike që do të kryejë akreditimin, si një nga agjencitë më të njohura në botë”. Ky ishte premtimi i Ramës në 2014.

Por çfarë ndodhi me akreditimin?

Rama premtoi akreditim dhe rankim, qe do të ishte gati në 2015. Si gjithmonë Rama është i pakursyer për premtime dhe po kaq besnik ndaj mosmbajtjes së premtimeve. Agjencia britanike e trumbetuar me të madhe, erdhi në Shqipëri vetëm me dy anglezë dhe me disa ndihmës nga Evropa Qendrore e Lindore, polakë, hungarezë, çekë e ndonjë bullgar. Radhët e “agjencisë britanike”, u shtuan me shqiptarë, me kritere shumë specifike për përmbushjen e procesit të akreditimit. Dinin shumë mirë gjuhën shqipe, kishin kohë që nuk kishin hyrë në universitete dhe kishin udhëzime të qarta se kush do të akreditohej nga universitetet, programet e tyre, afati etj.

Kësisoj, akreditimi nga një proces shpëtimtar për arsimin e lartë u kthye në një proces qesharak. Britanikët ndenjën dy muaj dhe ia dhanë vrapit. Gojët e liga thonë se agjencia britanike, prapa së cilës qëndronte këshilltari pa pagesë i Ramës, Tony, ishte e pakënaqur nga të hollat e ofruara prej qeverisë sonë. Kështu që agjencia britanike, iku e na la fotografinë. Pedagogë shqiptar, që nuk ishin marrë kurrë me procesin e akreditimit dhe nuk ia kishin haberin kësaj pune, e pranuan me dëshirë detyrën, për hir të ca parave. Të tjerë që ishin anatemuar prej kryeministrit, si klientelistë të agjencisë së mëparshme, u thirrën në apel nga sejmenët e kryeministrit, që të mësonin rishtarët sesi hartohej raporti. Me pak fjalë anglo-akreditimi na bëri të fala dhe universiteti mbeti në dorë të Ramë-akreditimit.

Por çfarë është akreditimi i universiteteve, që na u shit si shërimi i sistemit të arsimit të lartë?

Në botën e qytetëruar është një proces rutinë, së paku njëherë në katër vjet apo në dy vjet, për programet e studimit të një universiteti, me qëllimin për të parë ndryshimet nga një proces i mëparshëm vlerësimi në një proces përditësomi të këtij vlerësimi e që si rezultat ka njohjen e publikut me cilësinë dhe standardet që ofron një Institucion i Arsimit të Lartë publik apo privat. Rezultati final është rankimi (renditja) e programeve nga ai që i plotëson më mirë, deri tek ai që ka mangësi në standardet e njohura ndërkombëtarë. European Standards and Guidelines (ESG) në një dokument të 2015, për cilësinë e arsimit të lartë në hapësirën evropiane, ka përcaktuar edhe parimet e këtij procesi vlerësimi të cilat kërkojnë përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë, përmes një procesi transparent, të hapur ndaj publikut dhe që nxit më shumë rritjen e cilësisë dhe standardeve të institucioneve të arsimit të lartë. Universitetet janë të interesuara vetë për të bërë këtë proces, pa qenë farë e nevojshme, presioni politik, aq më keq një proces i nisur nga ekzekutivi. Mandej procesi i akreditimit vijon dhe është ciklik, nuk përfundon me një vlerësim në 2 apo 4 vjet. Ndërsa tek ne u dha përshtypja se ky ishte një proces jetik, që do të shpëtonte arsimin e lartë.

Prandaj tek ne akreditimi u kthye në një proces qesharak, pas asnjë pikë serioziteti dhe me përfundime që nuk i di askush, sesa ndikuan në cilësinë e arsimit të lartë. Agjencia e famshme e ngritur nga MASR, ndërroi drejtues 2 herë në më pak se 6 vjet dhe nuk dihet se cila është puna e saj, përveç publikimeve të dokumentareve të Këshillit të Evropës, apo programeve të akredituara.

Përse nuk flet Rama më për akreditimin dhe pse nuk e përmend më rankimin?

Sepse të parin e ktheu në një proces estradë, tërësisht të paorganizuar dhe në kushtet e konfliktit të interesit. Pas largimit të atyre pak anglezëve dhe të huajve që erdhën në 2014-2015, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të lartë (ASCAL), iu fal pedagogëve shqiptarë, të cilët sikundër e përmendëm, dinin pak ose aspak nga procesi i akreditimit. Por ajo që ngre dyshime mbi seriozitetin e këtij procesi është fakti që pedagogë të të njëjtit program të një universiteti privat, shkonin dhe merrnin përsipër vlerësimin e cilësisë së programit homolog, të një universiteti tjetër privat (ose edhe shtetëror) që është konkurrenti i tyre. A është e mundur që procesi në këtë rast të jetë i ndershëm, i pa ndikuar nga asnjë konflikt interesi, transparent dhe në shërbim të konkurrencës së lirë e të barabartë? Kjo vështirë se mund të besohet. Por edhe sikur të besojmë në ndershmëri maksimale, disa pikëpyetje e shoqërojnë, procesin e akreditimit, që ende nuk ka përfunduar: Sa ishte kosto e këtij procesi, kush e pagoi dhe çfarë ndikimi pati në cilësinë e arsimit të lartë? Përse pas akreditimit nuk ndodhi renditja (rankimi) i universiteteve dhe programeve të studimit, sipas standardeve që ato plotësojnë, në mënyrë që publiku të njohët me programet më të mira të studimit, me qëllim që të rritej edhe kërkesa për këto programe por edhe konkurrenca për më shumë cilësi në arsimin e lartë në vendin tonë. Kush e pengoi rankimin e universiteteve dhe programeve të studimit? Përse Rama nuk e përmendi pas 2018 dhe as në “Paktin për Universitetin”, akreditimin dhe rankimin e universiteteve. Si ka mundësi që brenda një viti Universiteti i Tiranës, doli i paakredituar e më pas mori akreditim maksimal?

Këto pyetje nuk marrin dot një përgjigje nga askush e aq më pak nga Rama. Sikundër ka ndodhur edhe në shumë fusha të tjera, Rama në delir, shpalli se do të reformonte arsimin e lartë, duke gjetur çelësin e artë të suksesit, akreditimin dhe rankimin. Pas 6 vjetësh nga shpallja e këtij premtimi, Rama nuk e di më ku është çelësi e ky i fundit edhe sikur të gjendet është ndryshkur e gërryer nga lënia gjatë në errësirë, sa nuk hyn në punë për asgjë. Rama, thjesht u tall me akreditimin e rankimin, siç u tall me “Paktin për Universitetin”, fuqizimin e arsimit profesional, rritjen e rrogave të mësuesve dhe pedagogëve,, ndërtimin e shkollave më të mira, depolitizimin e arsimit, punësim në bazë të meritokracisë etj. Tani Rama e ka harruar edhe vetë se çfarë ka premtuar për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, ndërsa ne duhet t’ia kujtojmë sesa pak di nga arsimi, sa shumë ka gënjyer në emër të së ardhmes së të rinjve tanë dhe sa pak (për të thënë më mirë aspak) duhet të besojmë se ky njeri, që aksidentalisht mori postin e Kryeministrit, kishte si devizë të tij shërbimin ndaj qytetarit dhe jo kënaqjen e egos së tij personale për pushtet dhe përmbushjen e interesave personale financiare.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco