Gazetaria dhe drejtësia “speciale”

Gazetaria dhe drejtësia “speciale”

Nga Agustin Palokaj - 28/09/2020

Ka shumë argumente kundër krijimit të Gjykatës Speciale dhe për kritika ndaj punës së saj. Por ata që besojnë se ka qenë e pashmangshme e kanë një argument shumë të fortë: mbrojtjen e dëshmitarëve. Mediat bënë mirë që nuk i publikuan të dhënat që do të zbulonin identitetin e dëshmitarëve. Por gazetarët nuk kanë nevojë për lëvdata nga Prokurori Special. Edhe puna e Prokurorit duhet të jetë objekt i kritikave dhe i mbikëqyrjes, aq sa të jetë e mundur. Detyra për të ruajtur “sekretin” e dokumenteve është për ata që punojnë në sistemin e drejtësisë e jo për gazetarët. Prokurorët dhe gjykatësit duhet të kenë kujdes, sepse hapësira e tyre në demokraci për të përfshirë edhe mediat në të ashtuquajturin “pengim të drejtësisë” është e kufizuar. Nëse mediat besojnë, nëse vlerësojnë se përmbajtja është në interes të publikut, kanë të drejtë edhe t’i botojnë gjërat nga hetimet që u bien në dorë. Por duhet të kenë kujdes për të mos rrezikuar jetën e qytetarëve. Ku do të shkonte gazetaria nëse secili gazetar do ta injoronte çdo dokument ku do të shkruhej se “është sekret”

Pa nisur ende proceset e para gjyqësore në atë që njihet si Gjykata Speciale në Hagë, edhe pse formalisht e ka emrin “Dhomat e Specializuara të Kosovës” kanë ndodhur skandale të mëdha me rrjedhjen e dokumenteve nga kjo gjykatë. Dhe shumë shpejt janë akuzuar dhe arrestuar dy liderë të Shoqatës së Veteranëve të Luftës, për të cilat Prokuroria pohon se kanë penguar drejtësinë. E gjithë kjo ka krijuar në Kosovë një ankth, një kaos, një debat joracional dhe një pasiguri. Kur kësaj i shtohet edhe fakti se për disa javë do të duhej të dihej edhe fati i propozim-aktakuzës ndaj presidentit aktual Hashim Thaçi, atëherë situata bëhet edhe më dramatike.

Një gjë që u vu re në këtë situatë është se mediat në Kosovë, që shumë u morën me këtë skandal, nuk e publikuan përmbajtjen e dokumenteve që “dikush” i kishte lënë në selinë e Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së. Dhe Prokurori Special iu falënderua dhe u dha lëvdata mediave.

Pasi tashmë po nisin edhe proceset e para gjyqësore, dhe ato do të ndiqen edhe nga publiku, duhet rikujtuar edhe rolin e gazetarëve dhe të mediave në përgjithësi në këtë. Fjala është për proceset më të ndërlikuara që mund t’i mbulojë ndonjë gazetar. Nuk ka transparencë në këto procese, gjithçka mund të mbyllet në interes të hetimeve, në interes të mbrojtjes së të dhënave, të interesit të të akuzuarve, viktimave. Çështja është tejet e ndjeshme, sepse bëhet fjalë për akuza të rënda, për krime të rënda. Secila fjalë e shkruar, e thënë në publik, ka peshë edhe më të rëndë emocionale dhe mund të nxisë shumë tensione tek njerëzit.

Në raste të tilla nuk është lehtë për gazetarët të vendosin kufirin mes “gazetarit” dhe “njeriut”. Sepse gazetarët janë profesionistë kur bëjnë punën e tyre, por ata janë njerëz dhe kanë edhe obligimet e tyre etike, pos atyre profesionale edhe ato qytetare.

Debati se ku përfundon e drejta e gazetarit si profesionist e ku fillon obligimi i tij qytetar, kur është fjala për proceset e krimeve të luftës, nuk ka përfunduar kurrë. Shumë gazetarë kanë zbuluar krime të rënda, pa ta nuk do të dihej për kampet serbe të përqendrimit në Bosnje, as për shumë krime të tjera. Shumë gazetarë, pos që kanë raportuar për këto krime, kanë dëshmuar edhe në gjykata, sepse e kanë ndier këtë si një obligim qytetar. Por ka pasur edhe gazetarë të tillë që kanë refuzuar të dëshmojnë. Janë thirrur në të drejtën e tyre për të mos folur për burimet dhe se, në rast të dëshmive, do të rrezikonin punën dhe rolin e gazetarëve në të ardhmen. Dhe vetë komuniteti i gazetarëve ka qenë dhe vazhdon të jetë i ndarë rreth kësaj teme.

Por ajo që gazetarët nuk kanë nevojë janë lëvdatat e Prokurorisë. Sepse Prokuroria është vetëm një palë në proces. Nga shembulli i ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, mund të thuhet se edhe Prokuroria manipulon dhe nuk e thotë të vërtetën. Aq më tepër, siç ishte tipike për Del Ponten, më shumë merreshin me politikë sesa me proceset për të cilat ishin caktuar t’i ndiqnin. Carla del POnte, nëse shikohet suksesi i rasteve që ka ndjekur, ka qenë një prokurore jo shumë e suksesshme. Ka humbur disa raste të mëdha, siç janë ato ndaj Limajt, Haradinajt dhe Ante Gotovinës. Por ajo ka qenë shumë e pranishme në media, duke ndikuar në proceset politike ndërkombëtare, siç është procesi i zgjerimit të BE-së. Ish-zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Gunther Verheugen, thoshte se Del Ponte kishte gënjyer duke thënë se një gjeneral kroat (Ante Gotovina) që ishte në arrati, “ndodhej në Kroaci” dhe nuk kërkoi falje as kur doli e vërteta se ajo kishte gënjyer. Si pasojë Kroacia u vonua disa vjet për t’u anëtarësuar në BE.

Një obligim i madh i gazetarëve, si gazetarë dhe si qytetarë, obligim edhe moral, edhe profesional, është që të mos botojnë emra të dëshmitarëve të mbrojtur, nëse vetë ata dëshmitarë nuk duan, dhe nëse kështu e thotë në mënyrë të prerë Gjykata (jo Prokuroria). Ka pasur raste në proceset në Gjykatën për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi në Hagë kur gazetarët kanë dëgjuar seanca me dëshmitarë të mbrojtur dhe ku gjatë procesit është zbuluar identiteti i tyre. Dhe gjykatësi ua ka tërhequr vërejtjen gazetarëve që të mos i bëjnë këtë publike, sepse, në të kundërtën, edhe ata do të mbahen përgjegjës për mosrespektim të Gjykatës. Seancat janë transmetuar në publik me gjysmë ore vonesë, pikërisht për të siguruar se nuk do të zbulohet identiteti i dëshmitarëve.

Ka shumë argumente kundër krijimit të Gjykatës Speciale dhe për kritika ndaj punës së saj. Por ata që besojnë se ka qenë e pashmangshme, e kanë një argument shumë të fortë: mbrojtjen e dëshmitarëve. Mediat bënë mirë që nuk i publikuan të dhënat që do të zbulonin identitetin e dëshmitarëve. Por gazetarët nuk kanë nevojë për lëvdata nga Prokurori Special. Edhe puna e Prokurorit duhet të jetë objekt i kritikave dhe i mbikëqyrjes, aq sa të jetë e mundur. Detyra për të ruajtur “sekretin” e dokumenteve është për ata që punojnë në sistemin e drejtësisë e jo për gazetarët. Prokurorët dhe gjykatësit duhet të kenë kujdes, sepse hapësira e tyre në demokraci për të përfshirë edhe mediat në të ashtuquajturën “pengim të drejtësisë” është e kufizuar. Nëse mediat besojnë, nëse vlerësojnë se përmbajtja është në interes të publikut, kanë të drejtë edhe t’i botojnë gjërat nga hetimet që u bien në dorë. Por duhet të kenë kujdes për të mos rrezikuar jetën e qytetarëve, qofshin ata dëshmitarë të rrejshëm apo të vërtetë.

Mbulimi i punës së Gjykatës Speciale do të jetë edhe më i vështirë, sepse është një gjykatë hibride e cila nuk dihet se kujt i përgjigjet dhe në bazë të cilave ligje punon. Pakkush beson se ajo është vërtet e Kosovës, dhe vetë krijimi i saj ishte përmes proceseve politike, ndoshta edhe me motive dhe qëllime politike.

Nevoja për të lindur nga një raport politik i një politikani, një senatori zviceran, u miratua si raport nga një trup politik siç është Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, dhe me vendime politike u krijuar një Task Forcë speciale hetuese, e cila i hetoi ato pohime për tre vjet. Me vendime politike në Kosovë përmes ndryshimeve kushtetuese, u bë e mundshme krijimi i një gjykate të tillë në përputhje me ligjet e Kosovës, duke lënë përshtypjen se ajo u krijua me vullnetin e vetë kosovarëve. Dhe kur ky proces në Kosovë kishte hasur në pengesa politike, sepse nuk ishte e lehtë të siguroheshin votat në Kuvend, mes të tjerash edhe për shkak se brenda partisë në pushtet atëherë (PDK) pati pakënaqësi të qarta, u rrit presioni, prapë politik, për ta krijuar sa më shpejt atë gjykatë. Dhe, po ashtu, për shkaqe politike, liderët kryesorë politikë të kosovarëve kishin premtuar se do ta siguronin shpejt bazën ligjore për krijimin e saj.

Dhe kërcënimet ndaj Kosovës për pasojat në rast se nuk do të mundësohej krijimi i një gjykate të tillë ishin të natyrës politike po ashtu. Këtë e pranoi më në fund edhe presidenti Hashim Thaçi. Thonë se “nëse Kosova do të refuzonte, atëherë çështja do t’i kalonte Këshillit të Sigurimit të OKB-së” (Ku Rusia e Kina kanë të drejtë vetoje dhe si rrjedhojë ai trup nuk duhet të kuptohet si miqësor ndaj Kosovës, sepse nuk e njeh fare Kosovën si shtet). Por harrohej se as BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet dhe harrohet se në Këshillin e Sigurimit me të drejtë vetoje janë edhe tri shtete që e kanë njohur Kosovën, e që vlerësohen si mike të Kosovës. Ato, nëse do të ishte një variant i tillë i rrezikshëm, nëse vërtet kalimi i një çështjeje të tillë do të ishte në dëm të Kosovës, do të mund ta parandalonin.

Konteksti politik që ka ndjekur krijimin e kësaj gjykate dhe do ta ndjekë edhe punën e saj në të ardhmen, pasojat politike që ka pasur dhe do të ketë për Kosovën, e bën edhe më të vështirë mbulimin profesional nga ana e mediave, edhe nëse qëllimi është vendosja e drejtësisë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco