Tienmu Ma, na fal për këtë çmenduri

Tienmu Ma, na fal për këtë çmenduri

Nga Gjylieta Mushkolaj - 26/09/2020

Shpresoj se lajmet që janë përhapur këto ditë se po përgaditet dëbimi nga Kosova i Tienmu Ma, studiuesit dhe mbështetësit shumëvjeçar të institucioneve të Kosovës për të përparuar të drejtat e njeriut, NUK ËSHTË I VËRTETË!

Nuk dua të besoj që ne, shqiptarët e Kosovës që e dijmë vlerën e kontributit të veprimtarëve për të drejtat e njeriut anë e kënd botës, tani që e bëmë shtetin tonë, me përkrahjen e fuqishme e jetike të njerëzve si Tienmu, me kaq lehtësi, mund ta dëbojmë atë dhe ti japim goditje në bosht kurrizor Kushtetutës sonë dhe vlerave të popullit tonë, në të cilat (mendojmë se) besojmë!

Nuk dua të besoj, që ne, bash ne, që e kemi përjetuar dëbimin e poshtërimin, e që u rikëthyem e u ringritëm falë guximit e trimërisë popujve liridashës e paqëdashës, mund ta dëbojmë një shtetas amerikan, vetëm pse dikujt, që na paska “pushtet,” nuk i paska pëlqyer veprimtaria e Tienmu Ma!

Nuk dua të besoj që puna briliante e Tienmu Ma në investigimin e dëbimit të shtetasve turq, që ishte goditja më e turpshme e mikpritjes shqiptare dhe e vlerave të civilizimit euro-atlantik të proklamuara të shtetit tonë, të ketë nxitur hakmarrje kaq të turpshme të institucioneve tona!

Nuk dua të besoj se një ROBINA fellow i Universitetit Yale, puna e të cilit ka dhënë kontribut në përparimin e Institucionit të Ombudspersonit në Kosovë dhe të Qendrës për të drejtat e njeriut të Universitetit të Prishtinës, të dëbohet nga Kosova!

Nuk e di se si do ti shprehim mirënjohje Senatorit Doll që i kushtoi një jetë të tërë veprimtarie politike për çirimin e Kosovës dhe për mbrojtjen e dinjitetit tonë të nëpërkëmur me dekada, nëse lajmet për vendimin për dëbim të një shtetasi amerikan janë të vërteta!

Nuk e di se si do të përkulemi para veprës së Elie Wiesel, që i kishte dhënë shtysë administratës amerikane që edhe me bomba të ndalë dëbimin tonë dhe ndaljen e projektit të shtetit serb për shfarosjen e shqiptarëve nga kjo tokë!

Nuk dua të besoj që ne, njëherw të dëbuarit, të rikthyer në Kosovë me ndihmën e pakursyer amerikane, një ditë të ndërtojmë shtet e institucione për të marrë vendime për të DWBUAR një shtetas amerikan!

Nuk dua të besoj...

Tienmu Ma, na fal për kët çmenduri (nëse këto lajme janë të vërteta)!

Ti, me siguri na njeh mirë dhe e kupton se në mesin e popujve të nëpërkëmbur, as shoqëria civile nuk ka mjaft zë për të mbrojtur pjesëtarët e vet më të mirë!

Njëherë po presim, shpresoj jo shumë gjatë, që gazetaria ynë të gjej kohë dhe të na informojë neve qytetarëve, se çfarë po ndodhë, a është marrë vërtetë një vendim që do ti dhëmb e do ta turpërojë secilin prej nesh!

Deri atëherë, shpresoj se lajmi nuk është i vërtetë, se institucionet tona NUK kanë marrë ndonjë vendim me të cilin do ti njollosë edhe fëmijët tonë!
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco