Historinë e shkruajm ne

Historinë e shkruajm ne

Nga Flaka Surroi - 26/09/2020

Historinë na e shkruan siç deshën. Disa na thanë se kishin luftuar, derisa të tjerët kishin ndenjur, dhe prandaj u kishim borxh. Disa të tjerë na thanë se na kishin mbajtur gjallë me vite, dhe se na i kishin çelur sytë e na kishin faktorizuar në botë, prandaj pushtetin ia kishim borxh dosido. Krijuan mite, dhe hobin kryesor e kishin që të shpallnin çfarëdo që të bënin si një diçka historike. Si Brukseli e si Washingtoni

“...Në këtë ditë u shkatërrue edhe Oda-muzé e Fishtës, u bartën barbarisht të gjitha dorshkrimet e tija në âtë kamionçinë që shkonte e vinte pa pushim. Dokumentat shprazëshin aty pa kurrfarë rregullit e pa kurrfarë kujdesit mbasi u merrshin dosjet. Át Marin Sirdani nuk mund u durue mâ pa folë para këtij vandalizmi barbar e i tha Dul Rrjodhit:

Shiko Dul, këta janë dokumenta tepër të rëndësishëm për historinë e Shqipnisë, prandaj tregoni kujdes të veçantë për ta!

Mos u bân marak, P. Marin, se këto paçavure ne nuk na vlejnë fare: historinë e shkruejm neve!...

(Át Zef Pllumi, “Rrno vetëm për me tregue”)

Nuk ka qenë vetëm koha e Enver Hoxhës ajo ku një histori e tërë u shkrua ashtu siç iu desh atij që ndenji në pushtet me dekada. Një të tillë e kemi përjetuar edhe ne që nga fundi i luftës së fundit, ku e gjithë ajo që kishte ndodhur në të kaluarën, sidomos kur bëhej fjalë për një arritje, duhej shlyer dhe nisur historinë më 1999. Sikurse puna e Ujmanit.

Çmimin e një qasjeje të këtillë qëmoti jemi duke e paguar, madje me kamatë. Për shkak se përgjithësisht të gjithë që mbajtën pushtet që nga fundi i luftës kishin për synim të bëheshin pjesë e historisë, apo që ngjarjet t’i zhvillonin asisoj që të ishin aktorët kryesorë të historisë, të cilën donin ta shkruanin vetë.

* * *

“Shkruesi” më i famshëm i historisë bashkëkohore kosovare është Hashim Thaçi. Nuk i doli mbase siç e kishte menduar, të mbeste në pushtet përjetë, herë në këtë post e herë në tjetrin, e të vazhdonte të shkruante “për qejf”, ashtu siç do t’i përshtatej atij. Me vite gënjeu. Nuk e di njeri a gënjeu kur tha se kishte luftuar, apo kur tha se kishte qenë larg frontit të luftës. Dhe nuk ishte me rëndësi se përse gënjente, sepse pendën e historisë e kishte në dorë, e mund t’i fshinte e t’i shtonte rrenat ashtu siç do t’i duheshin.

Por fatkeqësia jonë është se ky nuk është i vetmi që gënjen. Gënjejnë kryesisht të gjithë pushtetarët, sepse disi duhen arsyetuar veprimet e tyre të gabuara politike e me shumë efekte negative mbi popullin e Kosovës.

Njëri nga ta është Isa Mustafa, i cili, në prezencën e Hashim Thaçit, e nënshkroi marrëveshjen e 2015-s për detajet rreth themelimit të autonomisë serbe në Kosovë. Për korrektësi, duhet ripërsëritur për të kushedi satën herë: Thaçi ishte nënshkruesi i Zajednicës (autonomisë) për të cilën më 2017 kishte thënë “se duhej të themelohej, sa më shpejt aq më mirë”, ndërsa parmbrëmë e ripërsëriti se “Asociacioni nënkupton republikën serbe brenda Kosovës”. Natyrisht, duke ia lënë kilen Mustafës.

Ky i fundit, nga ana tjetër, pasi e ka shkretuar krejt me atë nënshkrim, thotë se me atë veprim “historik” e ka kthyer asociacionin nën kontrollin e Kushtetueses, me një nen që nuk ka qenë në marrëveshjen e parë. Mustafa ka qenë shef i partisë së deputetëve (me përjashtime) që e kanë votuar ratifikimin e Zajednicës së Thaçit, dhe nënshkruesi i një marrëveshjeje që derivon nga e para. S’ka pasur çfarë të kthejë kudo, ngase është pajtuar që Kosova t’ua japë autonominë serbëve.

Fatkeqësisht, nuk është ky gabimi i vetëm politik i Mustafës. Janë edhe plot të tjera, tinëzare dhe njësoj “historike” që na kanë dërrmuar në Kosovën e pasluftës. Gabimi i fundit qe tërheqja nga Qeveria Kurti dhe formimi i një qeverie me votat e serbëve dhe të një grumbulli të tjerësh me të cilët pas tre muajsh në pushtet nuk ia del as shumicën e thjeshtë ta sigurojë në Kuvend.

* * *

Historinë na e shkruan siç deshën. Disa na thanë se kishin luftuar, derisa të tjerët kishin ndenjur, dhe prandaj u kishim borxh. Disa të tjerë na thanë se na kishin mbajtur gjallë me vite, dhe se na i kishin çelur sytë e na kishin faktorizuar në botë, prandaj pushtetin ia kishim borxh dosido. Krijuan mite, dhe hobin kryesor e kishin që të shpallnin çfarëdo që të bënin si një diçka historike. Si Brukseli e si Washingtoni.

Historike njëmend ka qenë rezistenca paqësore e më pas, njëmend historike kanë qenë UÇK-ja dhe lufta e Kosovës. Porse ka dallim të madh të versioneve të ndryshme të historisë që na shpalosen, ngase ato përherë i përshtaten interesit të atij që e promovon atë histori. Sepse pjesë e asaj historie janë me mijëra njerëz që punuan pa e pasur synim historinë dhe mbetën jashtë saj të pashënuar në kohën e rezistencës paqësore. Kurse pjesë e kësaj historie janë mbi 20 mijë njerëz që e quajnë veten veteranë, ani që nuk kanë qenë të tillë.

Pjesë e historisë së re ka qenë përherë mohimi i çfarëdo të keqeje që ka ndodhur gjatë luftës, për shkak se arsyetimi ka qenë se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, duke e ditur mirë se luftëra të pastra nuk ka. Luftërat janë të fëlliqura, ani pse i kanë rregullat të cilave duhet përmbajtur. Por edhe në paqe janë ligjet të cilave duhet përmbajtur, porse që askush nuk lodhet për t’i zbatuar, si për shembull te ne. Edhe kjo është pjesë e historisë: bëjmë shumë ligje, por ato kryesisht shërbejnë për t’u mbushur pluhur nëpër rafte, kur shtypen në formë të një Gazete Zyrtare.

* * *

Historinë e këtyre 20 vjetëve të fundit na e shkruan si deshën, kurse shumica e pranoi si të vërtetë, sepse duhej bindur veten se si kolektivitet ia kishim dalë ta çlironim veten se edhe madje e kishim pavarësuar veten. Po mos të kishim qenë dëshmitarë të të gjithave në tri-katër dekadat e fundit, mbase edhe do të mund të besonim se kjo ishte historia jonë e vërtetë. Por, për fat të keq, nuk është.

Historia jonë e vërtetë e këtyre dy dekadave nuk është fort për t’u lavdëruar. Të huajt na i shpëtuan jetët dhe na bënë me institucione e shtet. Investuan shumë para që të bëheshim vend normal. E ne ia dolëm ta krijonim një gjyqësi që është instrument i shkruesve të historisë. E krijuam një shëndetësi të sëmurë, aq sa në mes pandemie nuk i patëm më shumë se dy aparate për t’i analizuar mostrat e të sëmurëve nga COVID-i; Formuam me mijëra analfabetë dhe e shkatërruam gjithë tokën pjellore, për shkak se gjithkush e do një punë që paguhet nga buxheti.

U bëmë skajshmërisht servilë ndaj të huajve prej të cilëve do të mund të përfitonim diçka personale. Në emër të traditës dhe miqësisë, jemi në gjendje madje t’i ndërrojmë toponimet, për shkak se edhe kjo do të ishte një punë historike. Në fakt është historikja e një absurdi që shërben për ta faktorizuar një kryeministër, si Avdullah Hoti, që nuk është në gjendje ta kalojë madje një ligj as pas tri votimeve brenda ditës.

Nëse njëmend do që të bëhet pjesë e historisë së ndritshme, më së miri do të bënte po qe se do të dorëhiqej bashkë me qeverinë e tij të madhe dhe të kushtueshme.

* * *

Historike do të jetë ajo ditë, kur ky vend do të nisë të frymojë ndryshe dhe kur nga skena politike do të zhduken njerëzit që besojnë se duke e shkruar historinë qysh atyre u konvenon ky vend do të prosperojë. E, edhe ata vetë e dinë, se historia që e shkruajnë ata mbështetet mbi rrenat, të cilave moti kanë nisur t’u besojnë se janë e vërteta.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco