Kosova në vorbullën e Speciales

Kosova në vorbullën e Speciales

Nga Syri.net Kosova - 25/09/2020

Arrestimet e Gjykatës Speciale nuk janë kurrfarë befasie. Befasi ishte skandali me dosjet e Tribunalit, që duket se i ka përshpejtuar arrestimet. Të shohësh ish-pjesëtarët e UÇK-së me pranga në duar, është e rëndë, por ballafaqimi me drejtësinë është i pashmangshëm.

Është i kotë debati se pse u formua Gjykata, si ta shpërbëjmë, etj, etj...

Paaftësia e sistemit të drejtësisë në Kosovë, e prodhoi edhe këtë situatë të vështirë për vendin. Opinioni vazhdimisht po bombardohet nga ankesat e protagonistëve të aktakuzave të Gjykatës, ndërsa në hije po mbesin dhjetëra vrasje në kohën e luftës dhe menjëherë pas saj.

Kush do ta merrte guximin të hetonte krimet? Cili hetues, prokuror apo gjykatës kosovar? E dimë të gjithë përgjigjen. Asnjëri!

Kjo është ana tjetër e medaljes së luftës për liri. Ky është shansi për ta dëshmuar pafajësinë secili që është i pafajshëm. Pak e besueshme që të dënohet dikush nëse nuk ka përgjegjësi për vrasjet e përmendura në aktakuzat e Speciales.

Veteranët e luftës, në vend që të mbushin studiot televizive me disa përfaqësues irritues që i kanë, është më mirë të ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me drejtësinë. Çdo përpjekje për ta penguar punën e Speciales, do të na dhurojë pamje si këto të së premtes në selinë e OVL të UÇK-së.

Përgjegjësia kryesore pse erdhëm në këtë pikë kritike, bie mbi ata të cilët vetë mund të jenë objekt i akuzave të Hagës. Sikur, të kishin punuar drejt dhe ndershëm për shtetin e sunduar nga ligji, nuk do të kishim as Gjykatë Speciale e as arrestime nga EULEX-i. Pushteti në Kosovë, dëshmitarët i sakrifikon, kurse kriminelët i shpërblen.

Të gjithë ata që mund të thirren nga Specialja, nuk duhet ta harrojnë një traditë të mirë të korrektësisë ndaj drejtësisë ndërkombëtare të treguar nga ish-pjesëtarë e ish-drejtues të UÇK-së.

Krerët e vendit, duhet të bëjnë thirrje për përmbajtje dhe bashkëpunim me drejtësinë. Kosova nuk e ka luksin të hyjë në një cikël të ri tensionesh, për të penguar proceset gjyqësore që mund të hedhin dritë mbi një sërë krimesh të pazbardhura që prej dy dekadash.

Me një qeveri në fije të perit, vendi ka hyrë në një fazë delikate. Krerët e luftës, sot politikanë ende me ndikim, mund të përballen me aktakuza. Ata duhet të dëshmojnë se sakrifica e tyre nuk përfundoi në vitin 1999, për t’u zëvendësuar nga uria për pushtet e para.

Gjykimet për krime lufte, janë një kapitull i rëndë për Republikën, por së paku duhen përballuar pa pasoja të panevojshme.

Mos të harrojmë një fakt të rëndësishëm. Familjarët e viktimave, duan drejtësi për më të dashurit e tyre. Vetëm ata që janë kundër drejtësisë, do të rezistonin dhe punonin kundër saj.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco