A është kjo Kosova që ne e deshëm të jetë kështu

A është kjo Kosova që ne e deshëm të jetë kështu

Nga Fahredin Verbovci - 23/09/2020

Kosova si një vend i vogël, kohën e fundit me ndodhi të mëdha dhe ku çdo gjë përbën lajm dhe në çdo media dalin pamjet e prijësve me gjykimet e tyre për të ashtuquajturën reforma në shoqëri në fushë të ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, ligj-zbatimit duke na dhënë mesazhe të qarta se dukuritë negative do të parandalohen dhe luftohen dhe shoqëria kosovare do të shpëtohet.

Kjo iniciativë për ndryshime aq të rëndësishme dhe domosdoshme në situatën në të cilën jemi, mund të konsiderohet një nga elementet më prosperuese që elita kosovare kanë ndërmarr qysh me përmbushjen e kritereve te përcaktuara nga BE-ja, mbështetur tek asistenca teknike e faktorit ndërkombëtar, në paraqitjen e modelit më të përshtatshëm në të gjitha fushat qe konsiderohen vitale për shtetin tonë. Paraqitja e ideve dhe koncepteve të ndryshme se çfarë duhet rregulluar në atë që konsiderohet reformë vitale, në një sistem aktual i cili është konsumuar nga interesa të ngushta personale, janë tipare që mbajnë të fokusuar opinionin publik.

Përtej oratorisë, demagogjisë dhe ngjyrimeve, palët në një proces të tillë ende nuk kanë arritur një shkallë të caktuar progresi për konkludimin e një momenti të tillë në fushat më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, shëndetësor si dhe reformat demokratike.

Intensifikimi i takimeve politike nga ana e përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësuesve të shteteve të Bashkimit Evropianë, tregojnë përkushtimin e miqve tanë ndërkombëtar

për rëndësinë që përmban një proces i tillë në vetvete. Në një gjykim racional, ky proces është një investim i rëndësishëm ndërkombëtar që i bëhet realitetit Kosovar, si në të kaluarën po ashtu edhe në vazhdimësi.

Mesazhe të tilla për realitetin politik të etur për një dorë pushteti si: gjetja e konsensusit, bashkëpunimi për përmbushjen e kritereve, ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme, siguri dhe drejtësi të qëndrueshme, substancialisht nuk janë gjë tjetër veçse sinjale të qarta për veshin e Kosovarëve nga ana e komunitetit ndërkombëtarë.

Profesori Buzan në analizat e tija, qasjen në fushën e sigurisë e sheh të lidhur ngushtë me sektorët ekonomik, shoqëror, politik, ekologjikë (aty ku shteti është aktori kryesor dhe përgjegjës për sigurinë).

Sipas tij, shteti është ofrues i sigurisë por edhe burim potencial i pasigurisë i cili problemet e veta komplekse të sigurisë i ndërlidh me zhvillimet në rajon.

Pasiguria e rendit shtetëror vije si rezultat i:

- Pa mundësisë në ofrim të shërbimeve për përmbushjen e nevojave jetësore,

- Qeverisje të paqëndrueshme dhe të dobët;

- Vazhdimësia e varfërisë,

- Mungesa e zhvillimit ekonomik/problemet sociale;

- Mungesa e kontrollit territorial.

Në të shumtën e rasteve konfliktet e brendshme të shtetit janë të lidhura me por jo të kufizuara në:

- Sistem demokratik te qeverisjes;

- Shpërndarjes se pa-barabartë te burimeve

- Niveli i korrupsionit dhe krimit te organizuar;

Duke pas parasysh faktin se korrupsioni ka efekt negativ në zhvillim të shoqërisë në tersi e në veçanti edhe në investime, korrupsioni dhe krimi i organizuar i irriton faktorët e lartcekur ndërsa në anën tjetër ankesat vetëm sa rriten dhe thellohet pabarazia shoqërore, demokracia zbehet dhe dobësohet dhe në këtë drejtim edhe legjitimiteti i shteti humbet. Një demokraci e shëndoshë dhe funksionale ndërtohet dhe realizohet vetëm atëherë kur pushteti përdoret si instrument bashkëpunimi dhe harmonizimi në përputhje me nevojat dhe prioritetet nacionale.

Reforma e thella në shoqërinë tonë duhen të konsiderohen pika kyçe të realitetit shtetëror dhe kërkon përkushtim, seriozitet, analizë mbi bazën e parimeve, për paraqitjen e një reforme sa më të përshtatshme për të nesërmen sociale më të mirë.

E ardhmja e mirë sociale varet nga ndryshimi i të sotmes. Kosova duhet të udhëhiqet nga politikat ekonomike, prandaj sa me e zhvilluar ekonomikisht që do të jete, po aq edhe politikisht dhe në aspektin e sigurisë do të jetë faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Procesi i Integrimit në Bashkimin Evropian, është një proces i brendshëm i secilit shtet kandidat, në ketë kontekst edhe i Kosovës, prandaj procesi i përshpejtimit të integrimit të Kosovës do të varet nga ajo se sa është e gatshme qe të reformohen brenda për brenda institucionet e Kosovës si dhe sa do të jetë ne gjendje qe ti përshtatët politikave të përcaktuara nga partnerët tonë strategjik ndërkombëtar.

Nevojat e njerëzve në Kosovë në themel janë substanciale, nevoja është që para se gjithash për tej angazhimesh e reformash, njerëzit duhet të keni besim dhe ndjenjën se pavarësisht çfarë funksioni kanë në shoqëri, ata duhet të jetë të sigurt. Përtej çdo angazhimi, drejtësia dhe siguria janë përcaktuese për fatin e shumë orientimeve. Përballë një pikture të tillë ekspozuese në Kosovë janë disa sfida të cilat kërkojnë një konsensus dhe frymë demokratike për arritjen e një standardi formal zhvillimi. Bashkekzistenca dhe bashkëjetesa e një sistemi ekonomik, juridik dhe politik të korruptuar dhe fragmentuar, sipas interesave të ngushta e ka bërë të vështirë përmbushjen e kritereve aq të kërkuara si nga faktori i brendshëm njashtu edhe ai ndërkombëtar.

Besojmë dhe urojmë që problemet e identifikuara të jenë e shkuara dhe qëndrueshmëria të jetë e tashmja. Dhe, njollat të tilla që kanë bërë situatën aktuale në shoqërinë tonë, të fshihen njëherë dhe përgjithmonë.

Autori i këtij artikulli është hulumtues për çështje të ekonomisë dhe sigurisë dhe përfaqëson pikëpamjet e veta personale.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco