Grenellit duhet me i tregu

Grenellit duhet me i tregu

Nga Liri Loshi - 22/09/2020

Grenellit  duhet me i tregu se ne e dimë se Amerika për simbolikë të veten, pra për simbolikën e më të fuqishmit, e ndërton një shtet të ri dhe e shkatërron një tjetër ku të dëshirojë në botë! Prandaj, nuk është hiç e preferueshme që neve shqiptarëve të na e zhvlerësojë simbolikën e të qenit komb i pavarur dhe sovran. 

Grenellit duhet me i tregu se shqiptarët e Kosovës nuk kanë sakrifikuar burra, gra dhe fëmijë dhe çdo gjë që kanë pasur për me pasë para për fatura, por për me qenë të lirë dhe të pavarur në vendin e tyre. Njerëzit nuk kanë rënë as nuk janë masakruar nga Serbia e Vuçiqit pse s’kanë pasur bukë në sofrat e tyre, as pse s’kanë pasur para për t’i paguar faturat mujore, por pse nuk kanë pasur mjaft liri. Për neve liria është më e rëndësishme se buka, se ajri dhe shumë më e rëndësishme se luksi. 

Grenellit duhet me i tregu se shqiptarët nuk krahasohen me indianët autoktonë të Amerikës dhe Kanadasë, të cilëve iu asht marrë toka dhe iu është siguruar buka e gojës si kompenzim. Të dy këto shtete pra, sado që dukën demokratike, janë ndërtuar në tokë të huaj dhe sot indianët autoktonë janë të diskriminuar në të dy vendet në emër të një marrëveshjeje për kompenzimin e atdheut me bukë!

Grenellit duhet me i tregu se simbolika e lirisë, e pavarëisë dhe e sovranitetit është shumë më e fuqishme se faturat mujore. Prandaj, ato fatura mujore mund t’i mbulojmë ne nga diaspora për njerëzit tanë siç i kemi mbuluar dhe i mbulojmë ende për të dashurit tanë që s’kanë të ardhura mujore. 

Grenellit duhet me i tregu se Serbia nuk është si Amerika, apo Kanadaja, por është shumë më e vogël, më e pafuqishme dhe më e dobët dhe se shqiptarët nuk janë si indianët autoktonë të Amerikës, por janë të emancipuar dhe me
potencial të organizimit siç janë edhe serbët. 

Prandaj, simbolikën e sovranitetit nuk mund t’ua mohojë as t’u relativizojë  askush e nuk mundet as Grenelli.
Grenellit pra duhet me i tregu, nëse ka kush me i tregu!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco