Fehmi Lladrovci dhe ideja e patriotizmit

Fehmi Lladrovci dhe ideja e patriotizmit

Nga Sabri Kiçmari - 22/09/2020

(Në shenjë kujtimi të miqëve të mi Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, në 21-Vjetorin e rënies së tyre për liri)

Jean Jacques Ruso ka shkruar në “Kontratën sociale” se “njeriu lind i lirë, por ai gjithkund është në pranga”. Prangat e vëna nga të tjerët nuk hiqen vetvetiu. Dhe ata që veprojnë për heqjen e tyre e meritojnë emrin e patriotit. Ideja e patriotizmit, si e tillë, dhe patrioti, si aktor shoqëror, edhe pse kanë pasur prezencë të ndjeshme praktike në shoqërinë kosovare të dyzet viteve të fundit, nuk janë shqyrtuar në përmasën e mjaftueshme as nga mediat dhe as nga shkenca shqiptare. Si shkas i një persiatjeje të tillë rreth nocionit të patriotizmit më shërbeu një datë e rëndësishme: 21-Vjetori i rënjes së heroit të kombit Fehmi Lladrovci. Fehmiu u vra së bashku me të shoqen, Xhevën, në një betejë të zhvilluar mes UÇK-së dhe forcave serbe, më 22 shtator 1998, në Drenicë. Pas vetes la dy shembuj për gjeneratat: veprën e pashembullt të patriotit dhe ndjenjën e vetëflijimit për hir të çlirimit të atdheut.

1.

Dy përfaqësuesit më eminent të filozofisë politike bashkëkohore, Charles Taylordhe Alasdair MacIntyre, e kanë marrë së shqyrtuari nocionin e patriotizmit. Taylor e radhit patriotizmin diku ndërmjet shoqërisë dhe ndjenjës familjare, në njërën anë, dhe vetëmohimit altruistik, në anën tjetër, dhe e përkufizon atë si një „identifikim të përbashkët me një bashkësi historike të ndërtuar mbi bazën e vlerave të caktuara.“ Taylor profetizon rolin e patriotizmit edhe për të ardhmen si një „kështjellë të fortë të lirisë… pa mundur të zëvendësohet me diçka tjetër.“ Sipas MacIntyres patrioti i përkushtohet „veçse një mënyre të caktuar të lidhjes së një të kaluare, e cila e ka veshur atë me një identitet të dallueshëm moral dhe politik, me një të ardhme për këtë projekt që është kombi i tij dhe që ai ka përgjegjësinë për ta sjellë në jetë. Veçse kjo besnikëri është e pakushtëzuar, ndërsa besnikëritë ndaj qeverive të caktuara, apo formave të caktuara të qeverisjes, si edhe ndaj udhëheqësve të veçantë, janë krejtësisht të kushtëzuara nga përkushtimi i tyre për ta çuar edhe më tej këtë projekt dhe jo për frenimin ose dobësimin e tij…. Kështu që njeriu mund të jetë patriot kundrejt një kombi, pavarësia politike e të cilit nuk ka ardhur ende…“ Pra, siç shihet, filozofia politike bashkëkohore nuk e ka tejkaluar idenë e patriotizmit. Në shoqërinë amerikane mbizotëron patriotizmi kushtetues. Politikanët amerikanë shtyhen mes veti rregullisht se cili prej tyre është më patriot. Të jesh patriot nuk është mëkat. Mëkat është nëse ndjenjën e të qenit patriot do ta kuptosh si motiv për të nënçmuar popujt e tjerë. Këtu është kufiri në mes të patriotit dhe nacionalistit.

2.

Në Grevën e urisë, të organizuar në Bonn, në maj të vitit 1996, kishim vendosur të bënim përpjekje për të zgjuar nga letargjia tri segmente të politikës shqiptare:

– qeverinë e Shqipërisë,

– “institucionet paralele” të Kosovës dhe

– subjektet e organizuara shqiptare në mërgim.

Njëkohësisht dëshironim të paralajmëronim qeverinë gjermane se marrëveshjet me Millosheviqin (si ajo Kinkel-Millosheviq) për dhe rreth qytetarëve të Kosovës kanë po aq legjitimitet, sa një përfaqësim i Republikës Federale Gjermane nga ekstremisti i majtë Gregor Gysi (PDS). Na vizituan një i dërguar i Ministrisë së Jashtme gjermane (Bernd Borchardt) dhe një deputet i Parlamentit (Dr. Eberhardt Brecht, SPD), kurse nuk denjoi të dëgjonte argumetet tona asnjë i dërguar nga qeveria e Shqipërisë, as nga “institucionet paralele” të Kosovës. Fehmi Lladrovci qëndroi në ballë të grevës, këmbëkryq, me fytyrë të buzëqeshur dhe krejtësisht i paepur për dy javë me radhë. Në fund të Grevës bëri një paralajmërim, për dhjetëra bashkatdhetarë që kishin ardhur dhe mblidheshin rreth tij, në qendër të kryeqytetit gjerman: “Nuk e kemi vendosur të vdesim në grevë urie. Ky ishte vetëm një paralajmërim për politikën shqiptare, që të zgjohet nga gjumi që e ka kapluar. Ne do ta vazhdojmë rrugën drejt lirisë. Dhe do ta fitojmë atë!”

3.

Tek po i analizonim rrethanat e krijuara, në shkurt të vitit 1997, së bashku me një të dërguar nga Kosova, mundoheshim të arrinim në një përfundim përmbajtësor: “Cili mund të ishte momenti i përshtatshëm për të filluar Luftën e Përgjithshme Çlirimtare?” Të tre ishim të bindur se gjendja e përgjithshme shkonte në favor të organizimit të Luftës Çlirimtare, por nuk ishim të sigurtë se disponimi për një veprim të tillë ishte shpërndarë gjithanshëm nëpër viset e pushtuara. Në përfundim të këtij takimi, Fehmiu mori një pamje të buzëqeshur, sytë i ndrinin dhe me një zë gjithë gaz tha: “Këtë vit lufta do të filloj në Kosovë! Unë e parandjej atë! E kam përjetuar luftën në Kroaci dhe e kam pasur të njëjtën parandjenjë!” U ndalëm dhe e vështruam me vëmendje. Ishte i sigurtë në ato që thoshte. M’u kujtuan fjalët që një veprimtar dhe analist i shquar i lëvizjes sonë për pavarësi i kishte thënë në burg, në momente të tilla, kur analizat politike të tij nuk kishin patur konkordancë të mjaftueshme me intuitën parashikuese të Fehmiut:“Intuita e luftëtarit të lirisë i tejkalon përmasat e analistit politik!” Dhe kishte pasur të drejtë!

4.

Do të udhëtoja nga Gjeneva (Zvicër) për në Vjenë (Austri). Pas një konference shtypi, të mbajtur së bashku me Bardhyl Mahmutin, shkoja për të marrë pjesë në një tubim të bashkatdhetarëve në Austri. Derisa pritja në rend për të nxjerrë biletën, në stacionin e trenit të Gjenevës, më thirri në telefon Agush Buja:

– “Bëju i fortë se Fehmiu është vrarë!” – ma dha mandatën.

Shtanga në vend. Mbeta me telefon në dorë dhe si pa frymë. Nuk jam i sigurt sa gjatë qëndrova ashtu i shtangur. E di vetëm se radha e qytetarëve, që priste prapa meje, në stacionin e trenit të Gjenevës, atë ditë shtatori të vitit 1998, më shiqonte dhe priste, me qetësinë që i karakterizon zviceranët, derisa të zgjohesha nga makthi i mandatës: “Bëju i fortë se Fehmiu është vrarë!” Dhe unë nuk dëshiroja të zgjohesha nga ankthi i mandatës. Kishte rënë për liri.

5.

E ardhmja e individëve, ashtu si edhe e ardhmja e familjeve, bashkësive të organizuara, institucioneve dhe kombeve varet nga vepra e tyre. Përmes të njohurit të vetvetes, si subjekt, dhe kalimit prej gjendjes në vete në atë për vete individët, familjet, bashkësitë dhe kombet e përcaktojnë të ardhmen e tyre.

„A duhet që patrioti të vazhdojë veprimtarinë e tij politike edhe pas fitimit të lirisë, për një të ardhme më të mirë?“

Në qoftë se gjatë zhvillimit të luftës për çlirim kombëtar, qytetari e ka për obligim të angazhohet për çlirmin e vendit të tij të pushtuar, pas çlirimit ai duhet t’i kthehet vendit të tij të punës, profesionit të tij. Simbol i patriotit në SHBA, që nga 11 shtatori 2001, është bërë zjarrfikësi, kurse në Gjermaninë e viteve gjashtëdhjetë ishte minatori. Edhe pse një pjesë e veprimtarëve për lirinë e Kosovës, pas krijimit të rrethanave të konsiderueshme të lirisë, kanë hequr dorë nga veprimi i mëtejmë politik, shumë nga ata, që përsëritnin pa nda se pas fitimit të lirisë së Kosovës do t’ju ktheheshin profesioneve të tyre, nuk e bënë këtë gjë. Veprimtaria politike përmban në vete njëmijë e një fije, të cilat nuk e lënë lehtë veprimtarin politik të shkëputet nga ajo. Por, ata që nuk kanë forcë të shkëputen nga këto fije, duhet të ndjekin rrugën e profesionalizimit dhe të shkëputen nga vetëmashtrimi i veprimit shumëbinarësh.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco