Lëkurëtrashi

Lëkurëtrashi

Nga Flaka Surroi - 19/09/2020

Duhet ta kesh lëkurën tepër të trashë që as të mos skuqesh e as të zverdhesh; që të mos ndiesh bile një grimë turpi për të gjitha rrenat që i thua; e të ndiesh bile pak pendesë që na fute prej një krize në tjetrën 15 vjet me radhë veç “për qejf”. Duhet qenë lëkurëtrashë të dalësh shtatë vjet më vonë e ta shkruash një letër që është dashur t’ia drejtosh vetes dhe të gjithë atyre që të udhëzuan se kjo do të jetë rrugëdalja nga qorrsokaku Special

Shfaqja e pafund politike e Kosovës me dialogun, herë teknik e herë politik, e përjetoi një kthesë të paparë gjatë javës së shkuar në çastin kur u përmend Asociacioni i Komunave Serbe, si pjesë e një diskutimi që i përfshin “komunitetet joshumicë” në Kosovë, e që duhej nisur në Bruksel.

Prej askundi, na u lajmërua Hashim Thaçi, në petkun e politikanit të hidhëruar, i cili nëpërmjet një kumtese, kërkoi nga Kuvendi që t’ia ndalonte Avdullah Hotit që ta diskutonte çështjen e Asociacionit në Bruksel. Arsyetimin që e qiti para ishte se “nuk duhej lejuar formimi i Republika Srpskas brenda Kosovës” dhe se këtë që po e bënte Hoti ishte pikërisht kjo.

Po ta kishim pasur memorien e ndryshkur, mbase edhe do të ishim fascinuar me një reagim që del në mbrojtjen e rendit kushtetues të Kosovës. Porse, nëse edhe kujtesa jonë nuk funksionon si duhet, gjithsesi kanë mbetur në letër gazete, incizime lajmesh e edhe plot informata nëpër portale që e dëshmojnë se ishte pikërisht Thaçi ai i cili e qiti nënshkrimin mbi një dokument me të cilin e prishte rendin kushtetues të Kosovës dhe e shpikte rrafshin e tretë të pushtetit.

* * *

U lodhëm së përsërituri se negociatat me Serbinë i nisi Hashim Thaçi pa e pasur autorizimin e Kuvendit. I nisi krye më vete, për shkak se në kohën kur do të zgjidhej kryeministër për së dyti, do të dilte Raporti Marty. Tash nga distanca mbi 10-vjeçare, po e kuptojmë se krejt çfarë ka bërë në këta dhjetë vjet ka qenë përpjekja për ta shpëtuar veten nga Specialja. Ideja pas kësaj ka qenë që po qe se e arrinte paqen me Serbinë, nuk do të kishte logjikë që dikush që sillte paqe të shkonte në gjyq e të ballafaqohej me akuza shumë të rënda, po qe se mbështetemi te Marty. Në sytë e botës ai do të ishte politikani i suksesshëm që madje vendosi ta harronte tmerrin që e përjetoi populli i tij, vetëm e vetëm që të sillte paqe për mu këtë popull.

Për shkak të gatishmërisë së tij për të harruar tmerrin e së kaluarës, nuk i hodhi kurrë në diskutim as të zhdukurit, as të vrarët, e as shkatërrimin që na e shkaktoi Serbia jo vetëm gjatë luftës, por që nga koha kur u suspendua autonomia. Ato ishin krejt më pak të rëndësishme sesa vetja dhe mundësia që të shpëtonte pa therrë në këmbë, pavarësisht se ishte “ylli” i raportit Marty.

Iu fut negociatave me Daçiqin me ndërmjetësimin e Ashtonit, dhe u nënshkrua e famshmja marrëveshje “historike” e prillit. Aty u përligj Zajednica, si autonomi territoriale e serbëve në Kosovë, për të cilën me ngulm thoshte se nuk kishte fuqi ekzekutive dhe kur insistonte se bëhej fjalë për një OJQ. Mbase konsideronte se të gjithë ne hamë bar, për pasojë, e besojmë se çështja e një OJQ-je ka nevojë që të rregullohet me ndërmjetësim ndërkombëtar.

Me mendjemadhësinë, arrogancën dhe prepotencën që e kanë karakterizuar qëkur ka nisur të merrej me politikë, Thaçi u kthye në Kuvend, dhe kërkoi që kjo marrëveshje të ratifikohej. Kaluan dy muaj dhe marrëveshja u ratifikua me 84 vota për, dhe ndërkohë nisi edhe ndryshimi i ligjeve që lidheshin për këtë marrëveshje.

Për ta definuar përfundimisht autonominë e serbëve në Kosovë, u përkujdes Isa Mustafa me një marrëveshje skandaloze në gusht të 2015-s, të cilën Gjykata Kushtetuese thuajse e shpalli krejt antikushtetuese në fund të atij viti.

* * *

Zajednica në fakt qe hapi i parë dhe koncesioni super i madh që e bëri Thaçi, përherë me intencën e shpëtimit të lëkurës së vet. Tash po del që mbase nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje nuk ka qenë pasojë e injorancës së tij politike. Por ka qenë shantazh i pastër që këtij, nga ana tjetër ia ka ngjallur shpresën se do t’i shpëtojë Gjykatës.

Muhabeti me Vuçiqin më pas u trash edhe më shumë. Vuçiqi, njeri i fortë i Serbisë, me lidhje me Kinën, me Rusinë, e me arabët e në fund edhe amerikanët, do të ishte garantues për të: pra, do të nxirrte krejt çfarë do të donte, përfshirë veriun bashkë me Ujmanin e Trepçën, kurse ky do ta merrte një copë përkrahjeje edhe nga Vuçiqi që të mos e përfshinin në Speciale, se do t’i nevojitej dikur edhe për ndonjë gjë tjetër.

Mogherini nuk e pati fuqinë e mjaftueshme për ta shtyrë këmbimin e territoreve përpara, dhe Thaçi e pa shansin e vet te Grenelli, që me çdo kusht donte t’ia shënonte një fitore diplomatike Trumpit, qoftë edhe me marrëveshje që s’janë marrëveshje, porse që nënkuptojnë obligime që ka marrë secili shtet karshi SHBA-së. Dhe me gjasë, nuk do të jetë me rëndësi nëse do të realizohen në muajt në vijim, ngase vlefshmëria e tyre ose jo, do të varet nga rezultati zgjedhor në Amerikë në nëntor.

* * *

Hashim Thaçit vonë i ka rënë ndërmend të çohet e të kërkojë mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës dhe ruajtjen e rendit kushtetues të Kosovës. Ka qenë pikërisht ai që e jetonte iluzionin e Perandorit Hashimoto, që i qiti që të gjitha mbi tavolinë, dhe la mundësinë e hapur që të diskutohet për çështjet e brendshme me ata që moti i kanë humbur të gjitha të drejtat mbi çfarëdo në Kosovë.

Na mbajti peng, një popull të marrë, përderisa negocionte në një formë ose tjetrën ikjen nga ndjekja e Speciales. Përdori të gjitha mjetet që i kishte në dispozicion, e që ne të marrët nuk i dimë, e mbase as nuk mund t’i imagjinojmë, për ta zhbërë Specialen, të cilën vetë e ziu dhe vetë e miratoi. Dhe e miratoi duke thënë se e bënte nën presionin e të huajve që kërcënonin se Specialja do të mund të themelohej nga OKB-ja. Më parë do të besoja se do të jetë gjendur dikush aty, që sikurse Rubini që ia kishte premtuar filmin hollywoodian në Ramboulliet, do t’ia ketë premtuar shpëtimin nga Specialja.

Duhet ta kesh lëkurën tepër të trashë që as të mos skuqesh e as të zverdhesh; që të mos ndiesh bile një grimë turpi për të gjitha rrenat që i thua; e të ndiesh bile pak pendesë që na fute prej një krize në tjetrën 15 vjet me radhë veç “për qejf”. Duhet qenë lëkurëtrashë të dalësh shtatë vjet më vonë e ta shkruash një letër që është dashur t’ia drejtosh vetes dhe të gjithë atyre që të udhëzuan se kjo do të jetë rrugëdalja nga qorrsokaku Special.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco