Procesi politik i koduar me emrin ”Syri i Populit” mbetet i ndërlidhur me fatin e Republikës?!

Procesi politik i koduar me emrin ”Syri i Populit” mbetet i ndërlidhur me fatin e Republikës?!

Nga Sadri Ramabaja - 18/09/2020

"Kamçiku" sërish në duar të sarafëve!

"Në kështjellë t'atdheut, në tempull të fesë

Janë shtruar sarafët') pa shpirt e pa besë,

Tregëtojn' e gënjejnë, rrëmbejn' e sfrutojnë,

Thon' ashtu Israelin e mbrojn' e shpëtojnë..."

Më 22 korrik Gjykata e Apelit e kishte rrëzuar vendimin e Gjykatës Themelore, respektivisht të trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Prishtinës të kryesuar nga Naime Krasniqi-Jashanica, meqë kishte  konstatuar një varg shkeljesh të Kodit të Procedurës dhe të Kodit Penal, por mbi të gjitha për shkak se vendimi ishte marrë në mungesë faktesh dhe provash!

Gjykata e Apelit njëkohësisht, në vendimin e saj, kishte urdhëruar Gjykatën Themelore që aktakuza të kthehej në Prokurorinë Speciale për rishikim dhe plotësim.

Kjo procedurë, sipas Kodit të Procedurës Penale, mund të  bëhet dhe duhet të bëhet  vetëm pas rifillimit të procesit gjyqësor në një seancë të veçantë.

Ndërkohë Gjykata Themelore ka emruar një trup të ri gjykues për lëndën në fjalë dhe kryesues të tij ka caktuar gjykatësin z. Musa Kunxheli.

Më 15 shtator, në orët e pasdrekës, më merr në telefon avokati im Ramiz Krasniqi. Një javë më parë e kisha autorizuar ta bëjë një kërkesë në Gjykatë Themelore të Prishtinës për t’ma lëshuar pasaportën, që më 23 korrik e kishim dorëzuar konform kërkesës së gjyqtarit Musa Kunxheli.

Pasaporta më ishte ndaluar pa vendim gjyqësor! Kjo ishte arsyeja pse e bëmë kërkesën që t’më lëshohet, por edhe me idenë që të udhëtojë për Tiranë,për ca nevoja personale, pavarësisht se për Tiranë udhëtohet pa pasaportë.

Në vend të përgjigjes në kërkesën e parashtruar, gjykatësi në fjalë, në retroaktiv (sic!) merr vendimin e protokoluar me nr PS.nr.31/20, më datën 21.08.2020.

Gjykata e Apelit në Prishtinë me vendimin APS.nr. 20/20 të datës 21.07.2020 ma ndërpret masën e paraburgimit  dhe më cakton masën e paraqitjes në stacion policor në kohëzgjatje prej një muaji.

Më 21.08.2020 gjykatësi Konxheli këtë masë ma vazhdon nga ”data 21.07.2020 e deri  më dt..20.10.2020.”

Këtë vendim unë nuk e kam marrë ende!

Por vendimi më 15.10.2020 i vete në zyrë avokatit tim. Nëse është reale data e marrjes së vendimit (21.08.2020), atëherë rezulton se vendimi i është dërguar avokatit plot 25 ditë me vonesë, ndërkaq sipas avokatit, “përderisa vendimi nuk të dërgohet ty, ai është nul”! Sidoqoftë, unë do të paraqitem sërish në Polici të hënën me kopjen e vendimit që mora sot nga avokati.

Pse gjykata, respektivisht ata që qëndrojnë prapa këtij rasti penal të stisur, vepruan kështu në këtë rast?

A kemi të bëjmë me neglizhencën tipike të administratës së gjykatës apo me një skenar për kurth, duke më lejuar mundësinë e lëvizjes për Tiranë, përderisa atje do të mund të udhëtoja edhe me letërnjoftim, duke më kurdisur riarrestimin spektakular në Vërmicë?!

Nga 22 korrikut e deri më 22 gusht 2020 unë çdo javë, konform vendimit, jam paraqitur në stacionin përkatës të policisë sonë.

Sipas vendimit të gjyqtarit Musa Konxheli, unë do të duhej të vazhdoja të paraqitesha tutje në polici edhe pas 22 gushtit, meqë kemi të bëjmë me vazhdimin e vendimit të Gjykatës së Apelit.

Në polici më 17 gusht dhe kam nënshkruar në librin përkatës. Sërish më 24 gusht, meqë nuk kisha vendim të shkruar, vajta dhe u paraqita në polici. Zurtari përkatës më thotë se nuk ke nevojë të nënshkruhesh, meqë të ka skaduar afati i detyrimit për paraqitje. Me insistimin tim, ai komunikoi me gjykatën dhe sërish ma pohoi atë që ma kishte thënë paraprakisht.

A do të thotë kjo se vendimi që ka marrë më 15 shtator, ku potencohet se është lëshuar më 21 gusht, ka munguar fare më 24 gusht, kur unë isha në polici dhe policisë i thuhej se nuk ka vendim dhe ai është i liruar nga çfardo mase?

Apo, prapa krejt kësaj loje fshihen skenarë tjerë?!

Sidoqoftë, unë më 21 shtator 2020, në ora 11.00, (“paraditës”, siç shkruan në vendim!) do të paraqitem, qoftë edhe pa vendim!

A kam të drejtë të supozoj se  këtë sjellje duhet ta marrë si sinjal se gjykata do ta vazhdojë cirkun me elementet tragjikomike tutje dhe procesi politik i koduar me emrin ”Syri i Populit” mbetet i ndërlidhur me fatin e Republikës?!

Fatkeqësisht, duket se po. 

Gjithësesi, më duhet ta pohoj se, më me dëshirë do të vazhdoja t’i përgatis leksionet për studentë dhe do t’i redaktoj e publikoj esetë që kam shkruar gjatë kohës sa isha në burg si peng politik i krerëve të SHIK-ut. Por, meqë jetojmë në Republikën e kapur, më duhet të respektoj edhe vendimet alogjike të gjyqësorit të kapur.

Krishti do të thoshte: "O AT, FALI ATA, SEPSE NUK DINË Ç'BËJNË!"

     

    © SYRI.net

    Lexo edhe

    Komentet

    Shto koment

    Denonco