Marrëveshja Pashiq-Esad Pashë Toptani dhe ideja e Serbisë pas 96 vjetësh për minishengenin

Marrëveshja Pashiq-Esad Pashë Toptani dhe ideja e Serbisë pas 96 vjetësh për minishengenin

Nga Dastid Pallaska - 18/09/2020

Dje ishte 96 vjetori i marrëveshjes sekrete ndërmjet Kryeministrit të Serbisë, Nikola Pashiç, dhe Esad Pashë Toptanit, të nënshkruar në Nish me të cilën palët u pajtuan për - ndër tjerash - krijimin e unionit doganor ndërmjet dy vendeve, krijimin e institucioneve të përbashkta të mbrojtjes dhe politikës së jashtme si dhe përkufizimin territorial ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, të cilit këta të fundit i referohen si “razgrani?enje.”

Portali beogradas, B92, dje i kishte kushtuar një artikull kësaj ngjarje.
Edhe pse marrëveshja mbetet “sekrete,” detajet e shpalosura në artikullin e B92 janë tejet interesante, sidomos në dritën e iniciativave të fundit të Serbisë në rajon.

Në atë marrëveshje, që raportohet se kishte 15 pikë, palët ishin pajtuar - ndër tjerash - që të krijonin një union doganor të përbashkët, të organizionin mbrojtje dhe përfaqësim diplomatik të përbashkët si dhe të ndërtonin hekurudhën që lidhë Serbinë me portin e Durrësit për t’i siguruar Serbisë dalje në detin Adriatik. Të gjitha këto si para përgatitje për bashkimin e dy vendeve në një union klasik.
Po ashtu, dhe çka është me rëndësi, palët raportohet se u pajtuan të themelojnë një komision të përbashkët për të kryer përkufizimin territorial në mes të dy popujve brenda unionit. Raportohet se ky proces nuk përfundoi vetëm për shkak të eskalimit të Luftës së Parë Botërore edhe pse deri në atë moment thuhet se një pjesë e konsiderueshme e kufirit ishte dakorduar në mes të palëve.
Nuk dihet se çka përfitoi Shqipëria nga kjo marrëveshje. Ndërsa, Kosova ishte vetëm objekt i marrëveshjes duke qenë se përkufizimi territorial në masë të konsiderueshme do të bëhej në kurrizin e Kosovës.

Në anën tjetër, përfitimet e Esad Pashë Toptanit raportohet se ishin të konsiderueshme. Ai siguroi përkrahje për fitimin dhe ruajtjen e pushtetit personal, që përfshinte edhe një ndihmë financiare mujore në shumë prej 50,000 dinarëve për të paguar xhandarmërinë e tij personale. Po ashtu, Serbia u detyrua që - sipas ftesës së Esat Pashë Toptanit - të intervenonte edhe ushtarakisht në Shqipëri për të mbrojtur regjimin e tij.


Ngjashmëritë ndërmjet kësaj marrëveshje dhe idesë së Serbisë për Mini-Schengenin nuk mund të jenë koincidencë.
Kjo posaçërisht pasi që Serbia (duke vepruar në emër të Jugosllavisë) për pak sa nuk arriti ta jetësoi marrëveshjen sekrete të vitit 1914 menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore kur Jugosllavia dhe Shqipëria u pajtuan për - ndër tjerash - krijimin e unionit doganor dhe përdorimin e valutës jugosllave në Shqipëri, si hapa paraprak para futjes së Shqipërisë brenda Jugosllavisë. Në atë kohë, ideja dështoi jo se udhëheqja komuniste e Shqipërisë i thirri mendjes e arsyes. Përkundrazi, Shqipëria doli nga marrëveshja pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë për arsye ideologjike.

Kushdo që mendon se interesat e Serbisë në Ballkan janë të kufizuara në një pjesë të territorit të Kosovës është naiv.
Siç e vërteton kjo marrëveshje dhe politika konsistente e Serbisë në Ballkan pas çlirimit nga Perandoria Osmane, Serbia kërkon dhe punon për dominim rajonal, të cilin mund ta arrijë vetëm me dalje në detin Adriatik.
Për këtë qëllim, Serbia themeloi tri Jugosllavi. Pas dështimit të projektit të Jugosllavisë, opsioni i vetëm për Serbinë mbetet Shqipëria dhe Kosova që gjendet në mes.

Ideja është e thjeshtë. Ta integrojë një rajon brenda vetës të cilin do ta dominojë ekonomikisht dhe, mbi këtë bazë, të frenojë rrugëtimin euro-atlantik të rajonit për arsyet e veta gjeopolotike. Në këtë mënyrë, Serbia ripozicionohet mirë në rendin botëror - dy a tre polar - i cili është në krijim e sipër, duke përfituar nga mos marrja e anëve dhe përfitimi nga të gjithë. Vetëm në këtë situatë do të mund të akomodohen interesat diametralikisht të kundërt të Serbisë për ruajtje të aleancës me Rusinë dhe përafrim me Bashkimi Evropian.
Pyetja është çka do të përfitojnë shqiptarët nga Mini-Schengen? Unë them asgjë dhe ende nuk kam dëgjuar dikë që e identifikon një përfitim që mund të krahasohet me përfitimet e Serbisë nga kjo ide.

Fakti se kjo ide ishte objekt i takimit të fundit në Shtëpinë e Bardhë nuk e bënë këtë ide më të mirë. Jam i bindur se askush nga politikanët shqiptarë nuk ia ka shpjeguar Shteteve të Bashkuara kurthet e padukshme dhe qëllimet destruktive të kësaj ideje të Serbisë. Këtë duhet ta bëjnë sa më parë, pasi që ta rishqyrtojnë këtë ide të rrezikshme nga prizmi i politikës konsistente serbe të përmbledhur më sipër.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco