Në 20-vjetorin e vrasjes brutale të Shefki Popovës

Në 20-vjetorin e vrasjes brutale të Shefki Popovës

Nga Roberto Montella - 17/09/2020

Letër e hapur nga sekretari i përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Montella, me rastin e 20-vjetorit të vrasjes së Shefki Popovës

Të dashur Turkane, Albina, Dafina e Dijar Popova,

Me një kujtim tejet të gjallë për bashkëshortin dhe babanë tuaj, mikun tim të dashur Shefki, ju shkruaj sot, në 20-vjetorin e vrasjes brutale të tij, që të ndaj me ju pikëllimin dhe trishtimin që vazhdojnë të jetojnë në mua prej asaj nate të tmerrshme të 10 shtatorit 2000 në Vushtrri.

Është pikërisht Vushtrria vendi ku Shefkiu dhe unë u takuam për herë të parë, më pak se një vit më herët. Unë isha postuar aty si një zyrtar i ri për demokratizim për Zyrën lokale fushore të OSBE-së, dhe ai ishte korrespondent i qytetit i gazetës “Rilindja”. U takuam në ato që ishin kohë shumë sfiduese, vetëm 4 muaj pas luftës së vitit 1999, dhe në një atmosferë shumë të tensionuar shoqërore e politike.

Në babanë tuaj unë pashë, para së gjithash, një njeri me parime të forta që dëshironte paqe për vendin dhe popullin e tij. Kisha rastin që të admiroja aftësitë e tija profesionale, që e bënë atë një gazetar të respektuar, të besueshëm dhe të kujdesshëm në raportimin e së vërtetës. Një gazetar që e shihte punën e vet si shërbim për komunitetin, dhe jo thjesht si një vend pune. Shefkiu e donte punën e tij, popullin e tij dhe jetën. U bëmë miq, sepse e ndanim të njëjtën mënyrë të jetesës.

Shefkiu ishte vendimtar në atë që unë të mësoja dhe të kuptoja gjërat rreth Vushtrrisë, tërë rajonit, të mbuluar nga misioni i OSBE-së dhe njerëzit e mrekullueshëm të vendit tuaj. Rrjeti i tij dhe njohuritë që kishte më lejuan mua dhe pjesës tjetër të bashkësisë ndërkombëtare të kuptonim ku jemi dhe çka po bënim, dhe të më njoftojë me të gjithë personalitetet lokale. Prej tij, në fakt, unë po ashtu kam mësuar edhe parimin universal që duhet të udhëheqë secilin zyrtar ndërkombëtar, kudo në botë: kur je i postuar jashtë vendit, duhet të dëgjosh, mësosh dhe kuptosh. Bashkësia ndërkombëtare nuk është një trup superior që u thotë njerëzve se çfarë duhet të bëjnë. Ajo është aty për të ndihmuar dhe përkrahur.

Për një periudhë të shkurtër, dhe në fakt deri dy ditë para vrasjes së tij, ne po ashtu arritëm që të punojmë së bashku, meqë OSBE-ja e kishte punësuar që të ndihmonte në projektin e edukimit të votuesve, në prag të zgjedhjeve të rëndësishme të pas-konfliktit. Gjithmonë do ta kujtoj përkushtimin e tij të pasionuar dhe përkrahjen e paanshme. Për fat të keq, megjithatë, politika ndonjëherë është e helmuar dhe për armiqtë e tij, apo, ta them më mirë, armiqtë e ideve të tij, ky bashkëpunim i afërt me OSBE-në nuk është çmuar.

Kur një gazetar vritet, nuk është vetëm shpirti i tij apo asaj ai që mbaron, por po ashtu edhe liria e shprehjes e të gjithë neve. Për më tepër, dhe me theks të posaçëm në situata të konfliktit apo pas-konfliktit, themi se “gjatë një lufte, e vërteta është viktima e parë”, andaj dhe duhet t’i mbrojmë ata që janë të përkushtuar për ta mbajtur një të vërtetë të tillë gjallë.

Kjo më sjell në të sotmen, sepse Shefkiu sigurisht se nuk ishte gazetari i fundit që u vra dhe tepër shumë prej kolegëve të tij vazhdojnë të vuajnë nga dhuna dhe keqtrajtimi për shkak të asaj që raportojnë. Ne jemi dëshmitarë të kësaj edhe sot, përfshirë në rajonin e OSBE-së.

OSBE-ja gjithmonë ka qenë në ballë të luftës për mbrojtjen e gazetarëve. Një nga institucionet e saj autonome, Përfaqësuesi i Lirisë së Medias (RFoM), ka një mandat shumë të posaçëm në spektrin e gjerë të trupave dhe organizatave ndërkombëtare. Është një temë që është qendrore në konceptin gjithëpërfshirës të sigurisë, të cilin Organizata e promovon, një koncept i përqendruar në sigurinë njerëzore, në të cilin liria e shprehjes është një moment historik për paqen dhe sigurinë.

Acqui-ja e OSBE-së për mbrojtjen e gazetarëve është konsistente dhe daton nga Akti Final i Helsinkit i vitit 1975. Do ta përmend vetëm kornizën e fundit relevante të Vendimit Ministerial të miratuar gjatë kryesimit italian të OSBE-së (3/18 për Sigurinë e Gazetarëve) 1, më 2018. AI u bën thirrje shteteve, inter alia, që të sjellin ligjet, politikat dhe praktikat e tyre, ndërlidhur me mediat, plotësisht në pajtim me obligimet dhe përkushtimet ndërkombëtare dhe, ku është e nevojshme, t’i heqin apo amendamentojnë ato ashtu që mos të kufizojnë aftësinë e gazetarëve për të kryer punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje të paligjshme; dhe të dënojnë publikisht dhe pa ekuivoke të gjitha sulmet dhe dhunën kundër gazetarëve, siç janë vrasjet, torturat, zhdukja e dhunshme, arrestimet arbitrare, ndalimet arbitrare dhe dëbimet arbitrare, keqtrajtimet, ngacmimet, dhe kërcënimet e të gjitha formave, sikur që janë ato fizike, ligjore, politike, teknologjike apo ekonomike, që përdoren për t’i bërë presion punës së tyre dhe/apo jashtëligjshëm të detyrojnë mbylljen e zyrave të tyre, përfshirë në situatat e konfliktit.

Natyrisht, derisa mbrojtja e gazetarëve është qenësore, ne po ashtu duhet të luftojmë përhapjen e fenomenit të dezinformatave dhe lajmeve të rrejshme, të cilat në internet dhe tek teknologjitë e reja po gjejnë më shumë terren për t’u rritur. Megjithatë, censura kurrë nuk është përgjigjja dhe në asnjë mënyrë preteksti i luftimit të dezinformatave nuk mund të përdoret për të kufizuar punën e gazetarëve. Mund të tingëllojë çuditshëm në fillim, por mjeti për të mbrojtur gazetarët dhe për të luftuar njëkohësisht dezinformatat është i njëjtë: nxitja e një ambienti të shëndoshë medial. Nëse është e lehtë të raportohet e vërteta, lajmet e rrejshme do ta kenë më të vështirë të shpërndahen.

Këto janë parime mbi të cilat shoqëria jonë është e bazuar dhe ne duhet të punojmë pa u ndalur për t’i promovuar dhe mbrojtur ato.

Për Shefkiun dhe kolegët e tij.

Me respektin më të thellë dhe të pandryshuar,

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco