Overturizmi dhe Covid-19

Overturizmi dhe Covid-19

Nga Lavdim Pepaj - 16/09/2020

Zhvillimi i Teknologjisë dhe sektorit të transportit, ka bërë që viteve të fundit numri i turistëve në Botë të shënojë rritje të madhe. Brenda një kohe shumë të shkurtër janë zgjeruar qytetet, ndertuar aeroporte të reja, hotele, rrugë për të pasur qasje në vende atraktive, dhe shumë zhvillime të tjera që e bëjnë turizmin dhe udhetimin më të lehtë.

Sipas Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO), numri i turistëve në Botë për vitin 2019 është rritur me 3.8 përqind (54 milion turistë) duke arritur në 1.5 miliardë turistë.

Rritja e madhe e numrit të turistëve ka sjellur përfitime të shumta ekonomike në vende të ndryshme të botës dhe gjithashtu punsime, dhe sipas statistikave — 10% e të punsuarve në Botë janë të lidhur me Industrinë e Turizmit.

Megjithatë jo të gjithë janë të kënaqur me numrin e madh të turistëve. Viteve të fundit kemi parë shumë protesta nga banorët vandas të qyteteve turistike. Sipas këtyre protestuesve, vendet e tyre nuk po arrijnë të kontrollojnë numrin e madhe të turistëve, rrugët janë të stërngarkuara nga turistët, dyqanet gjithashtu, plazhet, dhe zhurma është e madhe si gjatë ditës ashtu edhe gjatë natës. Ata, vite me rradhë protestojnë me slogane të shumta që janë shperndanë nga të gjitha mediat e Botës. Disa prej këtyre sloganeve janë:

Tourist go Home” ( turistë shkoni në shtepi)

Tourism kills the city” (turizmi e vret qytetin)

Tourist: your luxury trip — my daily misery” (turistë: udhëtimi luksoz i juaj është vuajtja ime ditore)

We don’t want tourists in our buildings!” (Nuk duam turistë në ndërtesat tona)

This is not tourism — it’s an invasion” ( ky nuk është turizëm — ky është pushtim)

Këto slogane u panë në shumë vende turistike si: Spanjë, Itali, Holandë, Gjermani, Koroci, etj. Sloganet, pos që u bartën nga protestuesit vendas, ato ishin të shënuara edhe në muret e qyteteve duke i’a bërë me dije turistëve që nuk janë të mirëseardhur.

Kjo situatë, në Industrinë e Turizmit njihet si OVERTOURISM — që në shqip, mund të përkthehet si Turizëm i tepert.

Organizata Botërore e Turizmit (UNWTO) përcakton overturizmin si “ndikimi i turizmit në një destinacion, ose pjesë të tij, që ndikon jashtëzakonisht shumë në cilësinë e jetësës se banorëve të asaj zonë”

Paraqitja e virusit KOVID-19 beri që shumë shtete të mbyllin kufijtë për turistët e huaj. Si pasojë kishte humbje të mëdha në Industrinë e Turizmit. Sipas UNWTO, deri në fund të muajit Maj, pandemia i shkaktoj turizmit humbje prej 320 miliard dollarësh, shumë kjo tri herë më e madhe se sa kriza globale e vitit 2009.

Edhe pse shumica e shteteve hapën dyert për turistët ende pa mbaruar pandemia, (sigurisht duke i respektuar rregullat e organizatës botërore të shendetsis WHO) nuk është që jemi duke parë numër të madh të turistëve të cilët udhëtojnë për pushime jashtë shtetit të tyre. Ideja që të vendosësh pushimin para shëndetit ka bërë që këtë vit të mos kemi grupe të mëdha të turistëve në vendet turistike. Shumë turistë pushimet po i kalojnë në vendin e tyre dhe nuk duan që t’ju nënshtrohen procedurave për KOVID-19, në vendet tjera.

Këtë vit (pos faktit se po kalojmë një pandemi të rrezikshme) Industria e turizmit do ta mbaj mend gjatë kohë për dëmet qe po i shkakton, por ndoshta vendasit ne zonat turistike do të dalin të fituar. Ndryshe nga vitet tjera, ata i kanë plazhet e qytetet vetëm për vete. Nuk kane dyqane me radhë të gjata, muze të mbushur me njerëz e qytete të ndotura, e mbi të gjitha nuk do të humbin kohë duke pergaditur sloganet e duke protestuar kundër turistëve në rrugët e qytetit.

Shpresojmë që para verës tjetër pandemia të përfundoj, por gjithashtu shpresojmë që numri i madh i turistëve të menaxhohet më mirë në mënyrë që të mos shkaktoj probleme banorëve vendas — dhe herës tjetër të dalin të fituar edhe turistët edhe banorët.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco