Pse Besa Shahini nuk tingëlloi e sinqertë

Pse Besa Shahini nuk tingëlloi e sinqertë

Nga Getoar Mjeku - 15/09/2020

Pasi u hidhëru me shefin dhe u largu nga puna, ministrja e deritashme e arsimit në Shqipëri i qujti kuaziracista kundërshtarët e saj politikë se ia paskan përqeshë dialektin kosovar. Veç kjo Besa Shahini nuk tingëlloi e sinqertë.

Se nëse gjuha paska qenë problem, ajo do duhej me tregu tani se ç’ka bë si ministre me e zgjidhë problemin. Ç’bëri ajo për Veriun e Kosovën, që paskan qenë shënjestër e opozitës në Tiranë?

Se ne shqiptarët kemi politikanë të shfrenuar, s’do mend. Kryeministri i Shqipërisë përdorte në Kuvend fjalë të gjuhëve fqinje që i vinin ndoresh për ta sha rivalin e tij. Kurse kreu i Kuvendit në Kosovë i përgjigjej gruas me sharje që s’ua thotë dot burrave. Sundimtarët ndër ne kanë pak nder qytetari e atdhetari dhe shumë racizëm, seksizëm e mosdije.

Por sundimtari nuk përfaqëson qytetarin tonë dhe ndërgjegjen e dashamirësinë përherë ma të madhe, veçmas ndaj shqiptarëve që kanë kapërcy kufijtë e panatyrshëm. Qytetari i formuar në Shqipëri mirëpret bashkëkombësit nga Kosova dhe çmon larminë e gjuhës shqipe.

Nëse dikur dialektet tona nuk ishin krejt të ndërkuptueshme, fjala e lirë tok me traditat gegë e toskë ndalohej, dhe e folmja e Kosovës s’gëzonte prestigjin e merituar, sot gjërat kanë ecë përpara: ne njohim, kuptojmë dhe vlerësojmë njëri-tjetrin gjithnjë e ma fort.

Na mbetet gjithsesi shumë për të bë për gjuhën dhe për shoqërinë, përmes edukimit, akademisë dhe zhvillimit në çdo fushë të jetës. Shteti mund t'i prijë punës së mirë dhe t'i shtyjë ata që duhet me e pru ndryshimin.

Mësuesit duhet të dëftojnë të vërtetën shkencore: Gjuha ka varietete ose dialekte standarde dhe dialekte jostandarde. Një dialekt jostandard nuk është në vetvete ma i varfër as ma i keq se dialekti standard. Të gjithë kur flasim, flasim një dialekt — sepse dialekt domethënë e folme. Termi «gjuhë e pastër» është shkencërisht i pasaktë.

Akademikët duhet të punojnë për shoqërinë, duke përshkru gjuhën ashtu siç është e ma pak ashtu siç do donin të ishte. Akademia duhet të hartojë fjalorë që pranojnë fjalësin e shqipes, pa dallime e pa ngurrim. Të bëjë hulumtime për ta njohë ma mirë pasurinë tonë gjuhësore dhe realitetin tonë shoqëror e ekonomik. Dhe të lehtësojë reforma që zhvillojnë gjuhën dhe bashkojnë shqiptarët përmes saj. (Konkretisht, po them me e shkru shqipen me paskajore, pa tutë se po shkelim rregullat.)

Të gjithë profesionistët e intelektualët duhet ta ndijnë e ta dunë shqipen. Të flasin e të shkrujnë shkurt e shqip, në një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme, që s’dallon pa shkas nga gjuha që flet populli ynë. Dhe të mësojnë njëri-tjetrit se si flitet e shkruhet shkurt e shqip. Por me shembullin e vet, pa imponim!

Kështu bën çdo shoqëri e hapur e përparimtare. Këtë po e them për të satën herë si një atdhetar që është marrë ngaherë me çështjen e gjuhës sonë, duke promovu shkrimin shkurt e shqip, duke luftu paragjykimet ndaj larmisë sonë gjuhësore, dhe duke bë thirrje për studime e reforma që na lehtësojnë komunikimin, bashkimin e përparimin tonë.

Bashkimin e përparimin kombëtar mund t’i arrijmë ma së lehti përmes gjuhës shqipe. Politikanët tanë shpesh e kanë huqë këtë mundësi. Madje, duke dallu prej popullit e tue ia shpërfillë hallet, e hutojnë dhe ngatërrojnë atë ma keq.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco