Një shtet qesharak dhe i mbaruar, përballë tragjedisë në Kakavijë!

Një shtet qesharak dhe i mbaruar, përballë tragjedisë në Kakavijë!

Nga Shënim redaksional - 14/08/2020

Është e paimagjinueshme papërgjegjshmëria e shtetit shqiptar, me atë që po ndodh në pikën kufitare në Kapshticë dhe veçanërisht në Kakavijë, ku situata është gati shpërthyese.

Fillimisht doli ministria e Jashtme që thoshte se ata dhjetëra mijë që janë bllokuar në kufi, duhet që të kthehen në Tiranë e të bëjnë tamponin në ato 2-3 laboratorë privatë që janë licensuar me zor nga ISHP, pastaj ta përkthejnë në anglisht përgjigjen, ta noterizojnë, e në fund të kthehen sërish në doganë!

Pastaj Rama nga plazhet e Dhërmiut nxori Sandër Lleshajn i cili fajësoi qytetarët për situatën, pasi sipas tij ata duhet që të informohen përpara se të nisen për rrugë.

E vërteta është se mijëra emigrantët u kapën `gafil` në doganën greke, pasi askush nuk kishte dhënë njoftimin se do të bëhej tampon për çdo individ. Dhe këtu përgjegjësia është e ministrisë sonë të Jashtme dhe asaj të Brendshme, të cilat nuk kanë pikë komunikimi dhe rakordimi me homologët grekë.

Pas Lleshajt, doli edhe Policia e shtetit e cila u paraqit edhe më qesharake. Pasi falenderuan qytetarët për bashkëpunimin, (i cili nuk dihet se si dhe ku rezulton) na dhanë lajmin e madh, se vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka ndërhyrë duke pezulluar një polic të thjeshtë në Kakavijë pasi kishte lejuar një makinë të futej pa radhë!

Ndërsa më `epiku` është shfaqur së fundmi zëvendës ministri i Jashtëm Agron Tare, i cili në një intervistë për Report Tv i ka habitur të gjithë kur ka deklaruar, se situate si këto në Kakavijë ndodhin në gjithë botën!

Madje të mësuar duke e gjetur fajtorin vetëm diku tjetër, Tare, shton se kjo po ndodh pasi dy ministri në Greqi, nuk po merren vesh me njëra tjetrën.

"Në këto momente është hapur kufiri dhe po kalojnë qytetarë, se ishte bllokuar. Kjo situatë është në të gjithë botën, janë kushte të sigurisë, jo se grekët kanë bllokuar. Ministria e Brendshme greke është në debat me ministrinë e Brendshme për të lehtësuar kalimin e udhëtarëve në Kakavijë. Deri tani ka qenë e bllokuar, se mjekët grek kanë pasur probleme, logjistike dhe materiale, nuk kanë pasur tamponë”, ka deklaruar mes të tjerave zëvendësministri ynë i Jashtëm.

Pra, ministria e Jashtme e sheh zgjidhjen te laboratorët privatë; ministri Lleshaj shpall fajtorë emigrantët që ikin `derr në thes`; drejtori i Përgjithshëm te një polic që lejoi një makinë të kalojë pa radhë, kurse zv. ministri i Jashtëm Tare te pala greke.

Ndërkohë qeveria, kryeministri i vendit, ministri i Jashtëm të cilët ndodhen me pushime as nuk denjojnë që `Ti lëvizin diellit e detit` për të bërë një telefonatë me homologët grekë. Për të bërë atë për të cilën janë votuar (nëse) dhe paguhen; ti japin zgjidhje këtij kalvari të paprecedentë që po kalojnë dhjetëra mijë shqiptarë në kufi prej 3 ditësh.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco