Komandantët e pushtetshëm e shpërdoruan logon e UÇK-së

Komandantët e pushtetshëm e shpërdoruan logon e UÇK-së

Nga Syri.net Kosova - 13/08/2020

Luftëtari i vërtetë, i ndershëm, pasi mbaroi beteja, iu kthye familjes e punës, profesionit e angazhimeve të dinjitetshme. Shumë prej tyre, mezi u përshtatën me pasluftën e vrazhdë. Disa u përballën me skamjen, të tjerë u detyruan ta braktisnin Kosovën. Pati edhe nga ata që nuk e duruan dot realitetin e hidhur. Bënë vetëvrasje. Grupi tjetër, një pakicë, shijuan frytet e fitores ndaj Serbisë.

Krahu politik i luftës u shpërnda në tri parti, që në periudha të ndryshme morën dhe e forcuan pushtetin. Komandantët e deridjeshëm u bënë politikanë, deputetë, ministra, kryeshefa, drejtorë, profesorë....Aq i fortë ishte ndikimi i tyre, sa edhe për një punë apo shërbim të vogël në zyrat shtetërore e publike, një telefonatë “UÇK-je”, rezultonte menjëherë efikase.

Falë këtij pushteti politik gati absolut, drejtësia ishte gjithnjë në dispozicion jo sipas ligjit, por sipas ‘Maliqit’. Dalëgadalë, në emër të luftës, ishte krijuar një mekanizëm abuziv sistematik, që më vonë, do të nxiste reagimin edhe të vetë ish-luftëtarëve.

Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk kishte më tepër se 20 mijë ushtarë. Pas luftës, radhët u shtuan. Uniformat i veshën edhe ata që veç me luftën nuk kishin lidhje. Pas dy dekadash, nga buxheti i taksapaguesve kosovarë, miliona euro derdhen në xhirollogaritë e së paku 60 mijë “veteranëve” të luftës.

Një ligj i kritikuar për vlerat e luftës, nëse miratohet mund të shërbejë si mbrojtje e një falsifikimi sistematik masiv të pjesëmarrjes në luftën kundër Serbisë.

Në botën demokratike, nuk njihet të ketë ndonjë shtet ligj për vlerat e luftës!!!

Si do të matet një njësi e tillë? Kush do e përcaktojë çka është vlerë e mirëfilltë e luftës apo antivlerë e saj?

Ata që kontribuan në luftë meritojnë përkujdesin maksimal shtetëror, mbështetje financiare, etj, por jo në kurrizin e të tjerëve e duke shkelur mbi vlerat e tjetërkujt.

Inicimi i projektligjit për vlerat e UÇK-së në prag të ngritjes së aktakuzave të Gjykatës Speciale, më tepër se një nismë e sinqertë edhe pse e vonuar, duket një përpjekje autoritariste për të mbyllur gojët kritike ndaj veprimeve kriminale që dyshohet se kanë kryer protagonistë të luftës.

Jo rastësisht aty si vlerë e posaçme është e përmendur drejtoria politike e UÇK-së, e udhëhequr nga presidenti aktual i Kosovës, i përfshirë në një aktakuzë ende të pakonfirmuar për 100 vrasje.

Është e qartë se miratimi i një ligji me përmbajtje të tillë, do t’i frikësonte dëshmitarët potencialë në Gjykatë dhe njëkohësisht do ta shkelte lirinë e shprehjes.

Vlerat e luftës për liri jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë janë të patjetërsueshme dhe mbrohen e çmohen përherë nga popujt, por askund nuk sanksionohen në këtë mënyrë bizarre siç tentohet në Kosovë.

UÇK-ja e Adem Jasharit dhe heronjve të tjerë, nuk mund të njolloset asnjëherë, sepse tejkalon çdo insinuatë e deri te proceset gjyqësore ndaj individëve të caktuar, pavarësisht përgjegjësisë që kanë pasur.

Specialja, e themeluar me vetë presionin e dakordimin e ish-krerëve të UÇK-së, le të shërbejë si përballja finale me drejtësinë, për t’u liruar një herë e mirë nga akuzat.

Për komandantët që u bënë politikanë të pushtetshëm, t’ua heqim kapelen për luftën, por nuk mund t’i amnistojmë për kërdinë e pasluftës në emër të UÇK-së.

Edhe ata, e dinë mirë këtë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco