Në kufi të parakalojë FSK-ja, e jo Serbia

Në kufi të parakalojë FSK-ja, e jo Serbia

Nga SYRI.net Kosova - 10/08/2020

Përfaqësuesit e popullit diskutonin javën e kaluar se si ta mbrojnë UÇK-në me një ligj, në ditën kur serbët e uniformuar parakaluan në Karaçevë, një fshat i Kosovës afër kufirit me Serbinë.

KFOR-i tha më vonë se ishte një patrullim i përbashkët me forcat serbe, por pamjet e publikuara nuk rezultonin me ushtarë të NATO-s.

Ministri i Brendshëm i qeverisë Hoti, u mjaftuar me deklaratën në vijë me KFOR-in, por ministrja e jashtme doli kundër me një reagim të ashpër. Brenda së njëjtës qeveri, dy qëndrime të kundërta për një “agresion” ndaj territorit të Republikës.

Pas dështimit të një plani sekret për ndarjen e Kosovës në dialogun Thaçi-Vuçiq, incidenti i Karaçevës është i pari si provokim ndaj kufijve të vendit tonë.

Banorët atje, në fakt janë të mësuar me parakalimet e serbëve të uniformuar dhe shpesh janë ankuar, por zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhër.

Edhe pse Kosova e ka formuar ushtrinë  e saj, kufijtë “administrativë” na i mbron KFOR-i. Misioni paqeruajtës i NATO-s, i vendosur në Kosovë me rezolutën e tejkaluar tashmë 1244, vepron mbi bazën e Marrëveshjes së Kumanovës dhe ka një partneritet me Serbinë në aspektin e sigurisë.

Në kohën e qeverisë Kurti, ishte publikuar një marrëveshje e Brukselit, e nënshkruar nga Hashim Thaçi sipas së cilës, në veri nuk do të hyjnë trupat e FSK-së. Shpallja e pavarësisë dhe konsolidimi i shtetit të Kosovës, ka krijuar një realitet të ri edhe në sferën e sigurisë kombëtare e rajonale.

FSK-ja,e transformuar nga një organizatë civile, tashmë duhet të shërbejë për qëllimin që është krijuar. KFOR-i mund të bëjë patrullime të përbashkëta në territorin e Kosovës me ushtarët e FSK-së e jo me militarë, paramilitarë apo xhandarë të Serbisë.

Çdo hyrje e tyre në brendësi të Republikës, si rasti i Karaçevës është cenim flagrant i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Fatkeqësisht reagimet kontradiktore dhe të zbutura të Prishtinës zyrtare, në vend që të krijojnë siguri te banorët, përhapin paqartësi e frikë për të ardhmen.

Provokimi nga Serbia, i shërben rrëfimit të Beogradit se Kosova, sipas tyre, është e paaftë të kontrollojë kufijtë e saj.

Me këta politikanë në pushtet, nuk mund ta fshehim të vërtetën e kësaj papërgjegjësie e paaftësie për ta menaxhuar situatën.  Qeveria aktuale më shumë e ka hallin që të ruajë numrat për të mos u shkarkuar në parlament, sesa se kush hyn e del në kufirin me Serbinë.

Në kushte normale, nëse kryeministri dhe ministri i brendshëm thonë se rasti ishte vetëm një patrullim i përbashkët i KFOR-it me forcat serbe, ndërsa ministrja e jashtme akuzon Serbinë për agresion ndaj Kosovës, kjo e fundit do të duhej të shkarkohej. Por, natyrisht se Avdullah Hoti nuk është Albin Kurti dhe do të gëlltisë edhe goditje të tjera më të forta, për ta mbajtur në këmbë qeverinë.

Por, a duhet me çdo kusht të mbahet një qeveri, që e ka humbur udhën në oborr?!

Për Kuvendin nuk kemi çka të flasim. Mbetet të shihet se a do të dëshmohen “anti-amerikanë” deputetët kosovarë, pasi ambasada amerikane kritikoi përpjekjet për të miratuar një ligj për mbrojtjen e vlerave të luftës. Edhe ambasadat tjera kanë reaguar ashpër.

Është turpëruese për shoqërinë dhe politikën kosovare, që dy dekada pas luftës, e sollën historinë e UÇK-së në atë pikë, sa shpresat për ta garantuar mbrojtjen e saj, i kanë varur te një ligj.

Një popull që nuk e mbron dhe respekton luftën e tij për liri dhe pavarësi, është në krizë të madhe.

Një klasë politike që vlerat e luftës i shndërron në asete elektorale në kurrizin e taksapaguesve, është kriminale dhe e mjerë.

Mbroni një herë kufijtë e territorin, pastaj kthehuni në kolltuqet tuaja në qeveri e në Kuvend, me mend në kokë e këmbë në tokë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco