Pandemia, Qeveria, Dialogu

Pandemia, Qeveria, Dialogu

Nga Astrit Veliqi - 09/08/2020

Pandemia

Kosova po kalon një periudhë të veshtirë sa i përket gjendjes me pandeminë globale Covid-19, ku siç e dimë fatkeqësisht është rritur numri i viktimave por edhe atyre që po dalin të infektuar.

Kapacitetet shëndetësore janë stërngarkuar dhe pothuaj edhe përkujdesja e personelit shëndetësor po has në probleme të shumëta, derisa numri i atyre që nuk po testohen është bukur i madh prandaj situata ka dalë jashtë kontrollit dhe jemi buzë kolapsit.

Por shtrohet pyetja pse ndodhi kjo?

Arsyet janë të shumta, por dy janë qenësore në këtë kaos të shëndetit publik; klasa politike e stërkequr dhe menaxhimi i pamundur i situatës.

Politika inatçore dhe transformimi i pushtetit janë pikënisja kur ka filluar të merr qasje të gabuar edhe strategjia për menaxhimin e pandemisë.

Kjo ka ndodhur ngase politika si gjithnjë për hesape të veta cimentoi shëndetin e qytetarit duke i jep shkas egos për karrige dhe pushtet, derisa institucionet shëndetësore e kishin të pamundur ta menaxhonin si duhet dhe gjendja nisi të merr rrugën e pakthim.

Prandaj jemi ku jemi, në një rrugë pa krye, ose me mirë të themi në një 'qorrsokak' të kolapsit shëndetësor, ku jetën dhe vdekjen e ndanë vetëm një pe i hollë.

Shpresa për ndryshim thonë se vdes e fundit, por fatkeqësisht drita në fund të tunelit tash për tash duket e largët të shihet.

Qeveria

Qeveria e re erdhi si erdhi në një kohë të gabuar dhe në rrethana shumë delikate.

Derisa qeveria e vjetër u ngut duke e shpallur 'fitoren mbi pandeminë' duke ia lënë të resë 'pataten e nxehtë' në dorë, kjo e fundit nuk arriti ta menaxhojë si duhet dhe lakorja e vlerave u përmbys.

Pikërisht të ndërrimi i pushtetit dhe inatet politike, u bë përmbysja e madhe e vlerave të Covid-19, ku pikënisjen e ka hapjen e madhe e cila u bë pa një vizion konkret dhe pa kontrolle të situatës e cila edhe shpërtheu për të keq.

Prandaj fajet edhe këtu del se i ka politika e stërkequr, e cila e vë në lojë jetën e qytetarit për interesa meskine dhe të turpshme politike.

Jemi ku jemi, por klasa politike duhet të ndërroj qasje, duke u bërë promotore e mbrojtjes së jetës së qytetarit, e jo vdekjes së tij.

Derisa përveç pandemisë, sfidë e madhe e qeverisë së re tani mbetet edhe rimëkëmbja ekonomike, që si kudo tjetër edhe të ne do të përjetojë recesion të paparë ekonomik.

Dialogu

Përveç pandemisë dhe rimëkembjës ekonomike, test i madh për qeverinë do të jetë edhe dilogu me Serbinë që tashmë ka rifilluar në Bruksel, e jo siç ishte planifikuar në Washington.

Pikërisht edhe të nisja e dialogut ndodhi një thyerje e madhe, duke u bërë një lloj gare në prapaskenë mes SHBA-së dhe BE-së për ta marrë flamurin e nikoqirit i pari.

Por edhe pse amerikanët e nisën betejën të parët, evropianët u treguan më dinakë dhe me 'lojën' e tyre me aktakuzat ndaj Speciales ndaj krerëve të UÇK-së, Thaçit dhe Veselit, ata kthyen delegacionin e Kosovës nga aeroplani pasi ishin nisur drejt Shtëpisë së Bardhë.

Kështu me këtë veprim, evropianët treguan se mund të jenë një hap para amerikanëve duke marr  primatin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Por edhe kësaj radhe pa amerikanët në tavolinën e dialogut, sidomos pozicioni i Kosovës do të jetë i vështirë dhe jo i favorshëm karshi Serbisë.

E edhe ashtu përformanca e parë e Brukselit nuk ka lënë shije të mirë, ngase apetitet serbe veç janë shtuar për krijimin e asociacionit serb.

Aq më keq që edhe në planin e brendshëm takimi i Brukseli është bërë 'mollë sherri' mes partnerëve të koalicionit qeverisës në vend.

Por si do të rrjedhin gjërat, mbetet të shihet, por gushti e shtatori si duket do të jenë muajt e 'nxehtë' si në kursin e pandemisë, qeverisë por edhe të dialogut.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco