Lëmshi i Kosovës

Lëmshi i Kosovës

Nga Flaka Surroi - 08/08/2020

Hyseni ka mundur të bënte biseda të këtij rangu nëpërmjet telefonit edhe nga Prishtina pa pasur nevojë t'i shpenzojë paratë e buxhetit për këso shëtitjesh. Është tepër joserioze të dalësh e të thuash se nuk e takova, por bisedova gjatë me telefon me të. Nëse e ke ditur se ai nuk është në Washington, pse shkove pra? Çfarë po fsheh?

Nuk dija as si t'ia nisja rrëfimit të kësaj jave. Numrat alarmantë të të infektuarve dhe numri shumë i rritur i jetëve që i mori virusi COVID janë tepër frikësues dhe dëshmojnë për, pa dyshim, "infektimin e tufës". Nëse mbi gjysma e të testuarve po dalin pozitivë me virusin, kurse Kosova vazhdon të mos mundet t'i bëjë më shumë se rreth 200 teste PCR në ditë, atëherë numri real i të infektuarve duhet të jetë shumë më i madh seç na del zyrtarisht.

Kapacitetet shëndetësore tashmë thuajse janë të mbushura, ndërkohë që ekipet profesionale të mjekëve dhe infermierëve të angazhuar në luftimin e pandemisë që tashmë ka hyrë në muajin e pestë, janë të rraskapitur. E si të mos ishin: janë duke punuar thuajse pa pushim dhe ndërkohë, dëgjojnë se si në Kuvend nuk miratohet kërkesa për ngritjen e pagave të tyre. Po edhe të mos kishte rritje, do të duhej të kishte shpërblim për punë jashtë krejt normave ligjore, për shkak se pandemia nuk po shfaqet prej orës 7 të mëngjesit deri në 3 pasdite.

Për të gjithë ata badihavxhinj (me ca përjashtime) që janë të ulur në kolltukët e Kuvendit dhe të cilët më shumë nuk punojnë seç punojnë e megjithatë, e marrin dhjetëfishin e rrogës minimale në Kosovë, nuk ka çfarë të thuhet pos që është i mjerë ky vend që ka këso përfaqësuesish që vendosin për popullin.

Mocione për tallje

E meqë jemi te Kuvendi, nuk bën pa e përmendur edhe dëshirën e shprehur të tij që të shkojë në pushim kolektiv vjetor, thuajse në Kosovë nuk po ndodh asgjë. Në situatën kur numri i të prekurve me koronavirus e ka humbur kontrollin; kur gjendja ekonomike në vend është përkeqësuar dukshëm dhe ligji për rimëkëmbjen po ecën me hap breshke e ndihmat emergjente nuk janë shpërndarë ende, këtyre nuk u kujtohet tjetër pos që ta përmendin pushimin vjetor. Me gjasë nuk janë duke e kuptuar se kjo është njëfarë lloj lufte, ku nuk ka kohë për pushime, por ku të gjithë duhen të mobilizohen maksimalisht për të dalë nga gremina ku kemi rënë kolektivisht.

E njëra nga rrugëdaljet nga kjo krizë, sipas LVV-së, është që kjo Qeveri t'i nënshtrohet votës së mosbesimit, me shpresën se mund të shkojmë në zgjedhje të reja. Do ta kujtojmë se LDK-ja e rrëzoi qeverinë në të cilën bënte pjesë vetë në mes të pandemisë dhe për rezultat, na i solli 270 vdekje për dy muaj dhe madje tetëfishimin e rasteve zyrtare të të infektuarve.

Mocioni eventualisht i suksesshëm për rrëzimin edhe të kësaj Qeverie, që hipotetikisht do të sillte zgjedhje të reja, njësoj do të ndodhte midis pandemie dhe në kushte jashtëzakonisht më të këqija seç i kishim pasur para dy muajsh. Për më tepër, fakti se do të mbaheshin zgjedhjet, pas rrëzimit eventual të Qeverisë, do të nënkuptonte se po ky ekzekutiv do ta ushtronte detyrën deri në certifikimin e rezultateve. E te kjo e fundit, Kosova është dëshmuar të jetë më së paku ekspeditive - proces që mesatarisht zgjat minimum nja katër-pesë muaj.

Për ta rrëzuar këtë Qeveri, nevojiten votat e PDK-së, e cila nuk jam shumë e sigurt se i konvenon t'i futet këtij eksperimenti, meqë ende nuk e di se si do të funksionojë tutje, meqë është në pritje të konfirmimit të aktakuzës së liderit të saj, Veseli.

Nga ana tjetër, sado që VV-ja del e thotë se ka vija të kuqe për bashkëqeverisje me PDK-në, megjithatë përpiqet të gjejë miq mes partisë që fillimisht e votoi rrëzimin e VV-së nga pushteti, dhe së dyti, është partia kryesore e PAN-it të shumë-urryer, kritika ndaj të cilit kishte qenë boshti kryesor i fushatës së VV-së më 2019.

Televizion partiak online

E se VV-ja e ka seriozisht me këtë ide, kësaj të rrëzimit të Qeverisë midis pandemie, e dëshmon edhe hapja e televizionit të vet në rrjete sociale, që u kritikua jo pak. Televizioni online, që është jo pak e ngjashme me transmetimet direkte që i bëjnë partitë politike në FB gjatë fushatës, është mbase njëra nga opsionet e zgjedhura për të kursyer para në fushatë, e cila edhe mund të konsiderohej si zgjidhje legjitime, porse që në këtë çast e shfrytëzon një vakuum të madh ligjor.

Mbase veprimi i VV-së do të duhet ta zgjonte Kuvendin (jam e vetëdijshme se kjo kërkesë mund të tingëllojë si fiksion) e që të bëhet plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për KPM-në dhe të zgjerohet veprimi i rregullatorit edhe te portalet, e edhe te televizionet online. Portalet e kanë vërshuar Kosovën në dhjetë vjetët e fundit dhe e paraqesin segmentin më të çrregulluar të mediave në Kosovë. Të hapësh portal është punë e lehtë - sepse nuk të nevojitet asgjë më tepër sesa një kompjuter. E nëse nuk ke staf, të mjafton të vjedhësh materiale të huaja e të bësh njëfarë qarkullimi.

Fakti se shumë portaleve nuk u dihet as pronësia e as selia, do të duhej të ishte çështje për brengë. Porse në këtë shtet nuk ka kush brengoset për këtë punë. Nuk mërzitet kush as për zbatim ligji e as për mbrojtje të të drejtave të autorit. Me rëndësi që ligjet janë miratuar, e pse nuk zbatohen, nuk ka dert.

VV-ja do të mund të argumentonte se e ka hapur kanalin e vet për t'i informuar përkrahësit e vet, edhe do të mund të deklarohej se më nuk ka nevojë për t'u paraqitur në mediumet e tjera për ta artikuluar mendimin e vet politik. Mbase edhe do të mund ta bënte, porse mbase duhet kujtuar VV-së se madje edhe klubet e futbollit në botë i kanë kanalet e veta, ama ato ua hapin shikuesve me kundërshpërblim anëtarësie a parapagimi.

Dhe përderisa nuk ka ligj që e rregullon këtë çështje, veprimi i këtillë edhe madje mund të konsiderohej i lejuar. Porse a është edhe moral, kjo është çështje që jep shumë hapësirë për të debatuar.

Në pritje të Speciales

Ndërkohë, deputetët e PDK-së insistojnë që të kalohet Ligji për vlerat e luftës, përderisa organizatat e veteranëve bëjnë thirrje të vazhdueshme për prishjen e Gjykatës Speciale. Për ligjin e parë së voni reagoi Ambasadori amerikan, kurse për këtë të dytën tashmë kanë reaguar që të gjitha shtetet e Quintit disa vjet më parë, dhe vazhdojnë ta përsërisin se obligimin e marrë duhet çuar deri në fund.

Ligji i vlerave të luftës u fut në procedim në Kuvend dhe doli në seancë mbrëmë në leximin e parë. Ende pa dalë në shqyrtim, i pari që reagoi dhe me argumente shumë të fuqishme qe ambasadori amerikan në Kosovë. Dhe argumentet e tij janë shumë të logjikshme dhe syhapëse: "...Nëse kritika ndaj klasave të caktuara të njerëzve, organizatave dhe interpretimeve të historisë bëhet vepër penale, siç propozohet me ligj, atëherë kjo do të prodhonte efekt rrëqethës mbi lirinë e shprehjes...

...Penalizimi i kritikës ndaj çfarëdo grupi apo individi është hap i rrezikshëm, edhe nëse nuk është me atë qëllim, drejt autoritarizmit.

...Ligji i propozuar gjithashtu do të mund të minonte përpjekjet për të siguruar drejtësi. Dëshmitarët, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre, do të pyetnin se a do mund të dënoheshin për shkak të dëshmisë për krimet e supozuara të individëve të asociuar me UÇK-në, madje edhe nëse ata individë janë akuzuar se kanë vepruar të vetëm e jo në emër të grupit."

Debati për atë se kush është më proamerikan, e rrëzoi Qeverinë për një kërkesë absurde të shtyrë nga ambasadori Grenell për heqjen e taksës dhe mosimponimin e reciprocitetit. "Proamerikanët" e marsit e rrëzuan Qeverinë mes pandemie, e pasojat jemi duke i parë.

Kjo çfarë po e thotë ambasadori Kosnett nuk është aspak absurde për shkak se flet qartazi për një situatë që ne tashmë e dimë nga përvoja e të jetuarit në ish-Jugosllavi. Për brezat më të rinj, mbase duhet shpjeguar se ka ekzistuar neni 133 i Ligjit Penal të ish-Jugosllavisë, i cili përkufizohej si "Propagandë armiqësore", e që popullorçe quhej "delikt verbal". Atëherë kushdo që ka folur a shkruar diçka që nuk i ka shkuar për shtati udhëheqjes, ka mundur të pësojë me dhjetë vjet burgim.

Pra, nuk është puna se kush po del më "proamerikan", po kush do të tregohet më prokosovar, pro një shteti demokratik bazat e të cilit ia vendosën amerikanët dhe shtetet e tjera perëndimore, me gjithë defektet që i tregon në këto vite pavarësie. Arritja e lirisë ka qenë shumë e kushtueshme, e në rastin tonë edhe shumë me fat, duke e marrë parasysh se atë e solli NATO-ja, e cila edhe na i shpëtoi jetët. Humbja e saj do të ishte fundi për ne.

* * *

Dhe në gjithë këtë situatë të nderë, ne ende merremi me çështjen e bisedimeve, për të cilat vazhdojmë të jemi të papërgatitur dhe vazhdojmë të funksionojmë si një orkestër e çakorduar.

Skënder Hyseni shkoi në Washigton javën e shkuar. Pos Palmerit, me të cilin u takua diku me gjasë jashtë objektit të State Departmentit, u dëgjua edhe me telefon me Grenellin, i cili kishte qëlluar me gjasë në Kaliforni. Udhëtim më kot se ky, pos nëse ka pasur diçka të fshehtë në agjendë e ne nuk e dimë, nuk ka mundur të ketë në lidhje me këtë proces dialogu.

Biseda të këtij rangu dhe me telefona kanë mundur të bëhen edhe nga Prishtina pa pasur nevojë të shpenzohen paratë e buxhetit për këso shëtitjesh. Është tepër joserioze të dalësh e të thuash se nuk e takova por bisedova gjatë me telefon me të. Nëse e ke ditur se ai nuk është në Washington, pse shkove pra? Çfarë po fsheh?

E derisa të ketë këso fshehtësish, nuk mund të ketë as besim se ky proces njëmend, nëse dikush e beson, do të përfundojë me njohje të ndërsjellë mes shteteve. Mund të përfundojë vetëm më lëmsh edhe më të madh për Kosovën.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco