Sikur Franka të kish lindur te ne

Sikur Franka të kish lindur te ne

Nga Majlinda Bregasi - 06/08/2020

Në moshën 15-vjeçare, Franca Viola u fejua me Filippo Melodia, nip i një familjeje të pasur mafioze siciliane. Po atë kohë, i fejuari arrestohet për vjedhje dhe i ati i Franca-s menjëherë e prish fejesën. Për këtë arsye merr kërcënime me jetë dhe disa herë ia shkatërrojnë atë pak pasuri që kishte. Në dhjetor të 1965-s, Franca rrëmbehet nga ish i fejuari me një grup shokësh, përdhunohet dhe lihet pa ngrënë për ditë me radhë, derisa e shpëton policia. E gjejnë në shtëpinë e motrës së Filippo-s, të shtrirë në shtrat pa vetëdije.

Për t’i shpëtuar përbuzjes së fshatit, i ati detyrohet të pranojë “martesën korrigjuese”, nëpërmjet së cilës u vihej një kapak përdhunimeve seksuale duke e martuar viktimën me abuzuesin. Sipas moralit të kohës, vajza në këtë mënyrë shpëtonte nderin e familjes, në rast të kundërt shpallej grua e çnderuar ‘donna svergognata’.

Sipas kodit penal italian të kohës, artikulli 544, ‘martesa korrigjuese’ e çlironte nga faji autorin e krimit dhe gjithë të tjerët që kishin marrë pjesë në të, pasi e konsideronte përdhunimin seksual si krim kundër moralit. Por, Franca refuzon të martohet me përdhunuesin. I thotë ‘Jo’ martesës korrigjuese. Unë nuk jam pronë e askujt, askush nuk mund të më detyrojë ta dua një njeri që nuk e respektoj, i çnderuar është ai që përdhunon, jo kush e pëson’, deklaroi Franca në gjyq dhe nuk u tërhoq as kur linçimet ishin të tmerrshme dhe polemika pushtoi gjithë Italinë.

Për herë të parë në Itali një grua pranonte të shpallej ‘e çnderuar’, duke sfiduar rregullat e nderit të një shoqërie patriarkale e aq më tepër guxonte të sfidonte mafjen. Si pasojë, Filippo Melodia u dënua me 11 vjet burg. Dy vjet pasi del nga burgu vritet nga njerëz të panjohur. Me policinë që e ruante natë e ditë te dera e shtëpisë dhe me asnjë mundësi punësimi për të atin.

Franca 17-vjeçare u bë simboli i grave që iu kundërvunë dhunës. Atyre që nuk pranuan t’i nënshtroheshin asnjë ligji që i trajtonte si pronë të kujtdoqoftë. Ajo nuk u tërhoq përballë asnjë vështirësie, edhe pse policia e ruante natë e ditë te dera e shtëpisë dhe asnjë mundësi punësimi nuk kishte më për të atin. Pas tre vjetësh martohet me një djalë nga i njëjti fshat dhe vazhdojnë të jetojnë aty tërë jetën duke rritur tre fëmijët e tyre.

‘Ndonjëherë shkëmbehem me shokët e ish të fejuarit që më rrëmbyen. Kur nuk mundem t’u shmangem i përshëndes. Ata ulin kokën të turpëruar’, thotë Franca pas shumë vitesh.

Me gjithë ndryshimin e madh që ndodhi në shoqërinë italiane për përparimin e gruas, vetëm më 1981 artikulli 544 i kodit penal u shfuqizua dhe vetëm më 1996 përdhunimi seksual u njoh si krim kundër personit dhe jo krim kundër moralit.

Sikur Franka të kish lindur te ne

Nëse Franca do të kishte lindur te ne, në Jug a në Veri, në bregdet a në malësi, në katund a kryeqytet, dasma do qe hapur një javë përpara. Shtëpia e nuses do ish mbushur dhurata e fqinjët do kishin plasur nga zilia. Të dielën e madhe Franka do kish shkuar nuse me Range Rover të bardhë. Fëmijët e lagjes do e ndiqnin me vrap nga mbrapa derisa t’u mbanin këmbët. Pastaj pushka do kriste nga ndonjë resort luksi, ku njerëzit do pinin e do kërcenin derisa të harronin si e kishin emrin.

Franka e zbukuruar nga designer specialë do t’i tërbonte rrjetet sociale me bukurinë dhe dasmën përrallore. Filipi i saj, nga krenaria, me dy kopsat e zbërthyera të këmishës Hugo Boss, do ta tregonte gjoksin e depiluar. Nga mëngët e përthyera do vezullonte Rolex-i, e meduzat e unazave Versace do ngrinin krye nga gishtat e tij.

Ajo po që do kish qenë një dasmë për t’u mbajtur mend në këto anë. Dasmorët do i kishin kënduar dashurisë së çiftit deri natën vonë, duke admiruar burrërinë e Filipit. Edhe Franka vetë do kish kënduar. Ajo natë do kish qenë nata e kurorëzimit të ëndrrave të saj, të cilën më kurrë nuk do ta kishte tradhtuar, as kur Filipi do t’ia kish përveshur fytyrës një të prapme të fortë përpara fëmijëve, sa do i ishin ndezur sytë xixa. Kish edhe më keq. Një tjetër e kish vrarë gruan. Gjithmonë është një burrë që e vret gruan. Gjithmonë ka më keq.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco