Sistemi ynë shëndetësor ka rënë

Sistemi ynë shëndetësor ka rënë

Nga Erion Dasho - 06/08/2020

Mungesa e kontrollit mbi COVID-19 dhe papërgjegjshmëria e institucioneve shëndetësore me sa duket po materializohet në një situatë të rrezikshme. Një situatë intensive dy ditore (fatkeqësisht e pasuar nga humbja e jetës së një personi të afërm) më bindi plotësisht se asnjë nga hallkat e sistemit shëndetësor nuk funksionon më.

Nëse që nga muaji maj kam shkruar e folur se “Shqipëria ndodhet në mëshirën e tekave të virusit”, sot mund të shkruaj se edhe mëshira e virusit arriti në kufi. Tashmë sistemi shëndetësor është në kaos të plotë. Në vijim një përshkrim gjakftohtë i fakteve:

MJEKESIA E FAMILJES
Ndonëse e gjithë familja manifeston shenja që sugjerojnë për COVID, nuk ka pasur asnjë kontakt me mjekun e familjes. Arsyeja?! Ndoshta duhet kërkuar tek deklarata e përditshme e Ministrisë së Shëndetësisë që rekomandon ose 127 ose numrin e gjelbër në rast dyshimi për COVID.

SISTEMI SHËNDETËSOR PRIVAT
Një nga pjesëtarët e familjes kërkoi kujdes shëndetësor pranë një strukture private. Skaneri fliste për COVID, klinika për COVID, epidemiologjia për COVID dhe, sigurisht, mjeku privat i rekomandoi trajtimin anti-COVID. Asnjë masë apo interesim për pjesëtarët e tjerë të familjes. Asnjë element koordinimi me sektorin publik (domosdoshmëri në raste epidemish).

URGJENCA MJEKESORE
Ndonëse numri 127 u thirr disa herë dhe u kërkua me ngulm realizimi i tamponit, Urgjenca Mjekësore asnjëherë nuk erdhi. Pas insistimit tim, familja bleu një puls oksimetër. Kur u konstatua se oksigjenimi i një familjari ishte 84%, ky parametër ju njoftua 127-ës. Ambulanca erdhi me mbi një orë vonesë.

SISTEMI SPITALOR PUBLIK
Urgjenca Mjekësore e dërgoi pjesëtarin e moshuar të familjes në një prej spitaleve COVID. Nga momenti i shtrimit nuk pati asnjë komunikim midis stafit dhe familjarëve. Me përfshirjen time dhe insistimin konstant, arritëm të merrnim vesh vetëm informacione të cunguara. Asgjë zyrtare. Rreth 30 orë pas pranimit në spital, familja njoftohet se familjari i tyre kishte humbur jetën. Struktura e promovuar si “spital i specializuar COVID” mezi e mbajti një ditë në jetë të sëmurin.

TRAJTIMI ME DINJITET DHE MBËSHTETJA
As që mund të mendohet mbështetja psiko-sociale për pjesëtarët e tjerë të familjes. Ata nuk dinë se ç’të bëjnë më parë – të vajtojnë prindin që humbën apo të kenë frikë për jetën e tyre. Asnjë prej tyre nuk ka bërë tamponin, ndonëse ende kanë shenjat klinike të sëmundjes. Askush nuk jep përgjigje as edhe për një pyetje të thjeshtë: “Në kushtet kur të gjithë familjarët janë të izoluar, si do të kryhen shërbimet e fundit ndaj të ndjerit?”

STATISTIKAT DHE RAPORTIMET
Sot do të pres raportimin ditor të vdekjeve nga COVID. Nuk e di në se ky rast do të raportohet si i tillë. Të shohim...
Shpesh nuk ka nevojë më tepër se një rast për të bërë radiografinë e një sistemi dhe çfarë shkrova më lart provon se sistemi ynë shëndetësor sot ka rënë!
Duke u marrë me njeriun e afërt, unë komunikova me mjekë të stërmunduar, të lodhur dhe në prag të dorëzimit. Konstatova një sistem, i cili nuk është në gjendje të mbrojë shëndetin dhe jetën e shqiptarëve!
Vetëm një shërbim mund t’u bëjnë sot shqiptarëve personat që kishin marrë përsipër kontrollin e COVID-it në Shqipëri:
TË LARGOHEN!
DIKUR KAM THËNË “TË LARGOHEN PASI T’U KËRKOJNË FALJE SHQIPTARËVE”!
SOT FJALËT JANË TË TEPËRTA!
THJESHT TË IKIN... NJË ORË E MË PARË... LLOGARITË MUND TË BËHEN MË VONË...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco