Situata me menaxhimin e pandemisë ka dalë jashtë kontrolli!

Situata me menaxhimin e pandemisë ka dalë jashtë kontrolli!

Nga Mytaher Haskuka - 04/08/2020

Statistikat zyrtare që kanë shumë mangësi, tregojnë se Kosova nga vendi me më së paku infektime dhe vdekje nga COVID-19, tani renditet në krye të listës me numrin e të infektuarve dhe të të vdekurve si pasojë të koronavirusit për 100,000 banorë.

Vetëm gjatë javës së kaluar, më shumë se 70 qytetarë kanë ndërruar jetë nga COVID-19. Kjo shifër një javore, është më e lartë sesa 100 ditëshi i qeverisë Kurti.

A mund t’i fajësojmë vetëm qytetarët për këtë gjendje, ashtu siç bëri kryeministri dhe kryetari i partisë së tij? Jo aspak, vetë fakti që edhe këta të dy u infektuan dhe tani janë pjesë e statistikave, i demanton ata. 

Nuk kanë faj të infektuarit, por kanë faj ata të cilët pa plan, pa qëllim dhe me interesa personale, rrëzuan qeverinë e cila menaxhonte pandeminë për mrekulli, të cilët pastaj me vendime afatshkurtra u munduan ta improvizojnë luftën ndaj pandemisë.
Shumë vendime joserioze, shumë paaftësi dhe joprofesionalizëm. Kolapsuan sistemin e komunikimit ndërinstitucional, kolapsuan sistemin e testimit dhe tani jemi duke shkuar drejt kolapsit të sistemit shëndetësor. 

Shumë vendime që as vetë nuk dinin t’i interpretonin. Ndaluan pishinat e hapura, gjersa lejuan pishinat e mbyllura. Kudo në botë është e kundërta. Por këtu pishinat e mbyllura janë në hotele luksoze të partnerëve, prandaj nuk mund t’i mbyllnin ato. 
Ndaluan tregun e kafshëve në hapësira të hapura, e lejuan qendrat tregtare në hapësira të mbyllura.
Vendimin për çerdhet ia lanë komunave, edhe pse akreditimi, licencimi dhe Inspektorati i Arsimit është organ ekzekutiv në kuadër të MASHT-it, pra të qeverisë. 

Ndryshuan vendimet dy herë në ditë, në mëngjes ata që udhëtonin nga shtetet e rajonit do të shkonin në karantinë, pasdite, pas intervenimit të Listës Serbe e të Beogradit, ata që udhëtonin në vendet e rajonit nuk kishin nevojë për vetëizolim. 
Kulmi i improvizimit ishte kur Ministri i Shëndetësisë deklaroi që as nuk lejohet falja e namazit e as nuk ndalohet falja e namazit. Po të ishte gjallë Nasredin Hoxha do ta kishte zili.

Nuk u përmbush premtimi që do të kishte më shumë teste, për më shumë nuk u ndihmua as IKSHP-ja me më shumë staf e mbështetje. Ka shumë pak teste për numrin e atyre që duan testim apo kanë simptome, kemi pasur raste kur qytetari që ka kërkuar testim ka humbur jetën në pritje të testit, e pastaj të gjithë familjarët kanë rezultuar pozitiv. 

Ka më shumë se tri javë që si Komunë e Prizrenit kemi kërkuar leje që të bëjmë teste serologjike me gjak për COVID-19. Ne kemi aparaturë, kapital njerëzor dhe financiar që t’i bëjmë testet për stafin shëndetësor, zyrtarë komunalë, për policë e të tjerë, ashtu që t’i zvogëlojmë mungesat në punë dhe të ruajmë stafin për shërbimet esenciale për qytetarë. Por asnjë përgjigje deri më tani!
Spitalet nuk janë të furnizuara ashtu si duhet, për shembull furnizimi me oksigjen nuk i plotëson kërkesat. Sipas zyrtarëve të Spitalit Rajonal në Prizren, me oksigjenin e furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë, spitali mund të operojë vetëm 6 orë.  Pra më shumë se 50 pacientë që janë të varur nga oksigjeni, do të duhej ta përdorin atë me ndërrime, por ja që kjo nuk bën! Prandaj ne si komunë edhe pse nuk kemi obligim ligjor, në dy javët e fundit kemi furnizuar spitalin me oksigjen për 18 orë të tjera. Deri më tani Spitalin Rajonal të Prizrenit kemi furnizuar me 775 bombola nga 50 litra, në vlerë prej 7500 euro.

Fajësuan inspektorët, fajësuan policinë, së fundi fajësuan edhe qytetarët. Në pamundësi të bëjnë teste për COVID-19, filluan të diagnostifikojnë si fallxhorë, duke i shikuar qytetarët në sy. 

Kjo qeveri duhet të shkojë, ngase situata ka dalë jashtë kontrollit, jo vetëm që e gjithë Kosova po infektohet si pasojë e paaftësisë dhe joprofesionalizmit të tyre, por kemi edhe më së shumti vdekje për kokë banori, ndërkaq as që po mund t’i furnizojnë spitalet me oksigjen. 
Këta me këtë menaxhim të dobët të pandemisë falimentuan edhe ekonominë. Kosova tani është në listat e zeza të pandemisë për karantina dyjavore, në kohën kur më së shumti kishim nevojë për mërgatën, këta e bllokuan edhe ardhjen e tyre. Na bllokuan diasporën, në kohën kur infuzioni financiar ishte më se i nevojshëm. Premtuan miliarda dollarë për rimëkëmbje ekonomike, por nuk arritën të vazhdojnë as me pakot fiskale të qeverisë Kurti. Bizneset i lanë në lloç. 

Çdo kthim nga zarari është fitim, çdo kthim nga terapia e gabuar sjell shëndet. Andaj kjo qeveri duhet të shkojë sa më shpejtë, të japë dorëheqje dhe t’ia hapë Kosovës rrugën e shërimit. 
 

???????????????????????????? ???????? ???????????????????????????????????????? ???? ????????????????????????????????????? ???????? ????????????????? ????????????????????????? ????????????????????????????????????????! Statistikat zyrtare që kanë shumë mangësi, tregojnë se...

Posted by Mytaher Haskuka on Tuesday, August 4, 2020

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco