Liria über alles!

Liria über alles!

Nga Dritan Shano - 02/08/2020

Gjithçka rreth Covid-19, shumë më shumë se mjekësore ka qenë politike. Rritje e autoritetit të shtetit, zvogëlim i të drejtave individuale. Një sulm i autoritarëve mbi demokracinë. I socializmit mbi kapitalizmin, i ekonomisë së komanduar mbi ekonominë tregut. Emergjenca, alarmi, frika e njerëzve u kanë shërbyer qeverive si mbulesë për populizmin ksenofob, sidomos mes qeverive Europiane.

Liria është shëndet, jo e kundërta. Ky është çelësi i jetës. Thjesht na duhet ta duam njëri-tjetrin një çikë më shumë, ose në mos ta duam, të kemi një çikë besim më shumë tek njëri tjetri. Por në jetën reale, jo në atë online. Iluzioni i i lidhjes online na ka larguar fort nga lidhja njerëzore me njeri tjetrin, nga përgjegjësia ndaj njëri tjetrit që mbart lidhja njerëzore e drejtpërdrejtë-face to face, por që nuk ekziston kur je online, fshehur pas ekranit dhe tastierës, dhe ky ishte çelësi që u përdor që të na merrnin liritë, pa rezistencë me premtimin e jetës së sigurtë.

Gjermanët dolën përsëri dje në protestë, për t'i dhënë fund pandemisë dhe shpallur lirinë. Ata duan t'i ndërrojnë bravën qeverisë, që ajo mos të ketë mundësi ta përdorë çelësin e Covidit për t'i komanduar jetën. Uroj që protestat në Gjermani të shtrihen në të gjitha vendet e Europës - edhe në ato vende më ksenofobe - dhe të ndërpresin me forcë dhe sa më shpejt këtë disintegrim të Europës; të ndërpresin proceset Covidiane të kthimit të qeverisjes, politikës, komunikimit, lëvizjes dhe shpejt (nëse nuk ndalen) edhe të ekonomisë në kohën dhe psikologjinë e botës së Luftës së Ftohtë.

A ekziston Covid-19? Patjetër që po, njësoj si triliona viruse të tjerë! A shkakton vdekje Covid-19? Po, njësoj si shumë viroza të tjera, si ato të gripit, hepatitit - gripi sezonal merr deri ne 650.000 jetë njerëzish çdo vit, hepatiti viral merr 1.3 milion jetë njerëzish çdo vit. Po nuk kishit dëgjuar për këtë apo jo? Përtej përjetimit personal të secilit prej nesh, asnjë vdekje nuk është më e rëndësishme se tjetra, pavarësisht mbulimit mediatik. A shërbeu izolimi, kufizimi për t'i ikur Covid-19? Ncuk!

Është e kuptueshme që të lash duart, të mbash higjenën personale, të mos i teshtish tjetrit në surrat, mos pështysh ku të mundesh, janë minimumi i standartit sa i përket shëndetit personal dhe atij publik. Kjo do ishte një sjellje normale, natyrale, e përditshme, jo një protokoll pandemie. Nëse për të arritur këtë sjellje normale është e nevojshme të futen njerëzit në arrest shtëpie, atëhere familjet dhe autoritetet e shëndetit publik nuk kanë kryer detyrën e tyre kur duhet - në kohë paqe, jo në kohë "lufte". Familjet t'i thërresin mendjes dhe të korrigjojnë sjelljen e tyre, autoritetet e shëndetit publik të mbajnë përgjegjësi për pa-aftësinë e tyre.

Mendoj se për të arritur këtë nuk kish pse të izolohej gjithë bota, të ndalonte ekonomia, udhëtimet si kurrë ndonjëherë. Pse vendet zgjodhën këtë rrugë anormale mbetet të kuptohet. Jo për gjë, po sjellje normale, në përputhje me historinë e njerëzimit, viruseve, epidemive dhe pandemive, ndoqën Suedia, Koreja e Jugut, Japonia e ndonjë tjetër. Anormal ishin gjithë të tjerët.

Uroj që në një moment tjetër qeveritarët aktualë të mbajnë përgjegjësi për asfiksinë politike, ekonomike dhe sociale që kanë shkaktuar me vendimet e tyre, dhe që këmbëngulin ta mbajnë në fuqi. Kush dorëzon lirinë për një çikë siguri, shpejt i humb të dyja, dhe nuk meriton asnjerën, kanë thënë dy burra të mençur.

Mendoj se vendi më i sigurtë për njeriun është burgu. Edhe mbajtja e maskës, apo ngojzës është një lloj burgu i vogël. Por askush nuk do të jetojë në burg, sekush do të jetojë i lirë, über alles!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco