Homo Ballkanikus 2020

Homo Ballkanikus 2020

Nga Asdren Rrahmani - 31/07/2020

shte ky një tentim i vockël i imi që në stil të George Orwellit dhe veprës së tij 1984 ta bëja përshkrimin konspirativ të vitit 2020. Edhe pse Orwelli ishte shumë më largpamës nga distanca kohore, të cilën ai e ka shkruar veprën e tij dhe gjërat të cilat i ka parashikuar se do të ndodhnin në shoqërinë njerëzore dhe zhvillimin teknologjik, i cili për pasojë si efekt të fundit do ta kishte humbjen e privatësisë së individit. Po çka ka t’i hyjë humbja e privatësisë homo ballkanikusit në rrugë, kur çdo aktivitet i tij ditor bazohet në dëshirën e tij që t’i dijë të gjitha punët e huaja

E enjte. Zgjohem herët si zakonisht dhe filloj së shkruari Ditarin tim. Si gjithnjë, problemi se cilën temë ta trajtoj, nga t’ia filloj mbetet persistent edhe kësaj here.

Ditë më parë, lexova se si Bill Gates kishte deklaruar se për tejkalimin e COVID-19 ndoshta nuk do të mjaftojë marrja e vetëm një vaksine, por 2 apo më tepër sosh. Kur fillova që të mendoja më hollësishëm edhe mënyrën e trajtimit të temës lidhur me këtë vaksinë nga qarqet konspirative, atëherë fillova edhe unë në mendjen time të sajoja listën e dëshirave për Bill Gatesin dhe për vaksinat e tij.

Në vaksinën e parë dhe chipin e parë do të dëshiroja që secilit ballkanas t'ia instalonte shkollën fillore dhe edukatën bazike në chip. Prej shumë sjelljeve të politikanëve tanë dhe shtresave “elitare” ne mund lehtë të vijmë në konkludim se ky chip do të ishte më se adekuat, i domosdoshëm dhe i rëndësishëm për banorët e Ballkanit. Së paku komunikimi me shkrim, qoftë ai zyrtar apo privat, do të përmirësohej dukshëm nga gabimet elementare gjuhësore dhe gramatikore.

Nga instalimi i chipit të parë, ku gjithashtu do të instalohej kultura bazike nëpërmjet vaksinës së parë, pështymet me këlbaz midis rrugës do të pushonin së ndodhuri. Mijëra SaceX satelitët e StarLinkut, gjithashtu, do të ishin në gjendje që shumë lehtë të identifikonin njerëzit të cilët nevojat e tyre fiziologjike i kryejnë nëpër vende publike, e gjithashtu edhe ata të cilët veturat e tyre i parkojnë në hapësirat e gjelbëruara të qyteteve.

Gjetjet dhe identiteti i atyre të cilët kanë shkelur këto norma ligjore në mënyrë të menjëhershme digjitale do t’i lajmëronin komunat relevante me fotografitë digjitale të momentit të aktit të krimit. Zarfi me dënimin monetar të caktuar do t’i arrinte të akuzuarit me anë të shërbimeve postare apo në rastet e krimeve më të rënda do të dërgoheshin në Prokurori, e cila do të urdhëronte arrestimin e të pandehurve.

Me instalimin e kulturës bazike në chipin e parë nëpërmjet vaksinës për popujt e Gadishullit ballkanik, gjinia femërore do të respektohej më shumë. Nuk duhet ai respekt të përfundojë te nëna dhe motra. Në rrethin e atij respekti do të duhej të hynte secila anëtare e asaj gjinie të cilën ballkanasi e takon gjatë rrugës jetësore. Qoftë ajo shoqe e klasës, shoqe e lagjes, kolege e studimeve, shitëse në dyqan, infermiere, mësuese, arsimtare, kolege e punës, nxënëse apo studente e jotja. Assesi nuk duhet të anashkalohet respekti ndaj gruas, partnerit të zgjedhur për rrugëtimin e përbashkët jetësor. Dhuna ndaj gruas është ende prevalente ndër popujt ballkanikë, e jo rrallëherë ajo përfundon me fatalitet.

Me instalimin e kulturës bazike në chipin e vaksinës së parë banori ballkanas do të mësonte se punët nuk duhet të kryhen me të njohshëm. Në Ballkan, edhe gjërat më banale kryhen me të njohshëm. Edhe blerja e perimeve në treg bëhet me të njohshëm, edhe hyrja në lokal, edhe mospagesa e ndonjë hyrjeje me çmim 50 cent, kryerja e ndonjë pune administrative në komunë apo gjetiu.

Në chipin e dytë, të instaluar me vaksinën e dytë të Bill Gatesit, pas kulturës bazike dhe shkollës fillore do të ishte e natyrshme që të instalohej empatia. Kjo do të ishte dëshira ime mbi përmbajtjen e chipit të dytë nga vaksina e dytë. Një chip, i cili do të instalonte empatinë tek individi. Në fakt, ky chip do t’i bënte mirë mbarë njerëzimit, por prapë duke e shikuar historinë e fundit të shekullit të kaluar prapëseprapë mendoj se banori i Gadishullit ballkanik është më se i kualifikuar që të pajiset me një chip të tillë, ndoshta para cilitdo banor tjetër të Evropës.

Njeriu ballkanas ishte në gjendje që t’i shkaktonte aq shumë dhimbje dhe vuajtje njeriut tjetër vetëm për arsyen, sepse ishte pjesëtar i një nacionaliteti apo religjioni tjetër. Krimet më makabre të fundshekullit të XX u bënë në emër të këtyre gjërave.

Njeriu ballkanas nuk ka empati as për kafshën. Vetëm në Ballkan do të hasësh në aq shumë qen endacakë, mace të rrugës, kafshë me të cilat abuzohet. Arinj nëpër restorante e nëpër plazhe bregdeti si atraksion, majmunë e gomarë.

Instalimi i empatisë në homo ballkanikusin do të ndikonte në të që edhe nacionalizmi primitiv të zbutej dhe të shndërrohej në nacionalizëm kompetitiv kur ti vetëm do të dëshiroje që pjesëtarët e nacionalitetit, të cilit ti i përket të jenë më të aftë se ata të nacionaliteteve të tjera, duke mos i nënçmuar dhe urryer ata. Mirëpo, në mënyrë që kjo të ndodhë, ai chipi i parë do të duhej që tashmë të ngjizej mirë në organizmin e homo ballkanikusit.

Tash të kthehemi në realitet dhe për një moment t’i paramendojmë njerëzit kyç të politikës, të cilët na kanë udhëhequr përgjatë këtyre 20 vjetëve. Sikur këta t’i kishin pasur këta 2 chipa të instaluar qysh para 20 vjetësh. Çfarë nuk do të shihnim?

Nuk do të shihnim ish-veteranë të luftës, të cilët sot me familjet e tyre luftojnë për kafshatë të gojës. Nuk do të shihnim spitale, në të cilat edhe po shkove si vizitor do të përfundosh si i sëmurë. Nuk do të shihnim kompani publike të keqmenaxhuara dhe të plaçkitura deri në palcë.

Nuk do të shihnim shtretër lumenjsh të shkatërruar për nxjerrje gurësh dhe zhavorri. Nuk do të shihnim sistem arsimor të plagosur për toke, ku bëhet prodhimi serik i analfabetëve funksionalë. Nuk do të shihnim sjellje rrugaçësh në Kuvend. Nuk do të shihnim dhe nuk do të dëgjonim gjuhë fyese dhe denigruese ndaj grave deputete apo edhe ndaj kryetares së Parlamentit. Nuk do ta shihnim edhe përbuzjen dhe tradhtinë, e cila i bëhet votuesit. Nuk do ta shihnim papërgjegjësinë në secilën pore të organizimit shtetëror e shoqëror. Nuk do ta shihnim korrupsionin e përmasave pandemike. Nuk do të shihnim pensionistë, të cilët gjithashtu janë përbuzur e nëpërkëmbur nga politikanët njëri pas tjetrit. Nuk do t’i shihnim mijëra të rinj, të cilët në pa shpresën për të arritur diçka në këtë vend ikin ngado që të munden në kërkim të një rasti për një jetë më të mirë.

Nuk do të shihnim një vend sikur të vetmin vend në Evropë të izoluar dhe i cili nuk e gëzon lirinë e lëvizjes.

Nuk do të shihnim një vend të cilin vjen dhe e kullot secila agjenturë sekrete e secilit vend me agjenda të tyre sekrete, por të dëmshme për vendin dhe qytetarin e vet. Nuk do të shihnim institucione financiare, të cilat banorin e Kosovës e rrjepin për së gjalli, disa nga to me përqindje kamatash deri 900% !!! Nuk do të shihnim politikanë të korruptuar e të cilët edhe po qe se dënohen, dënimi i tyre është simbolik pavarësisht nga vepra e kryer. Po t’i kishin chipat e instaluar para 20 vjetësh, ne sot nuk do të kishim krimin e organizuar atë, i cili na e udhëheq shtetin dhe politikën e përditshme shtetërore. Nuk do ta shihnim gjyqësorin e kapur, i cili vetëm gjykon fukaranë e pambrojtur. Nuk do të shihnim ambient aq të ndotur ngado që ta kthesh kokën. Nuk do të shihnim shpirtra të shitur gazetarësh mercenarë, të cilët janë të "gjithanshëm" për t’i analizuar dhe trajtuar të gjitha temat e mundura, 5 ditë në javë në së paku 5 studio televizive të ndryshme.

Nuk do të shihnim katandisjen, e cila i ka ndodhur kulturës për shkak të keqmenaxhimeve të politikanëve me ato dikastere. Nuk do të shihnim vjedhje votash në mënyrë industriale. Nuk do të shihnim qytete me asnjë kinema dhe asnjë WC publike në to.

Ishte ky një tentim i vockël i imi që në stil të George Orwellit dhe veprës së tij 1984, ta bëja përshkrimin konspirativ të vitit 2020. Edhe pse Orwelli ishte shumë më largpamës nga distanca kohore të cilën ai e ka shkruar veprën e tij dhe gjërat të cilat i ka parashikuar se do të ndodhnin në shoqërinë njerëzore dhe zhvillimin teknologjik, i cili për pasojë si efekt të fundit do të kishte humbjen e privatësisë së individit.

Po çka ka t’i hyjë humbja e privatësisë homo ballkanikusit në rrugë kur çdo aktivitet i tij ditor bazohet në dëshirën e tij që t’i dijë të gjitha punët e huaja.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco