Çdo gjë s’është nën kontroll

Çdo gjë s’është nën kontroll

Nga Majlinda Bregasi - 30/07/2020

Kosova sot është një histori që e ke parë dhjetëra herë në vende të ndryshme, një histori që e ke shtyrë gjithë kohën, nuk do doje ta shihje, të trishtonte që në ide. Por historia që ka çoroditur tërë botën duket të jetë më fatale edhe se vetë natyra jonë ballkanike. Ajo erdhi. Atëherë kur më së paku e pritnim. Ashtu si zakonisht na vijnë të këqijat në Ballkan duke na rrëzuar përtokë

Nëse një njeri ndihet i frustruar apo i shqetësuar, është më mirë për shoqërinë që ai të shqetësohet për përfundimin e luftës sesa për urinë apo të ftohtin, thotë sociologu Maslow. Me shërimin e privimit të njeriut ndaj nevojave apo vlerave “të ulëta” siç mund të jetë i ftohti apo uria merret pikërisht diskursi politik, i cili aktivizon një sistem vlerash me të cilin të merret populli. Kështu njerëzit do t’i rivlerësojnë nevojat e interesat e tyre në një mënyrë që ta ndërrojnë perspektivën e tyre për të ardhmen.

Mund të duket e çuditshme, por realiteti social është i modifikueshëm nga diskursi politik, i cili vepron në hapësirat mentale të njerëzve nëpërmjet qarqeve të neuroneve dhe lidhjeve konceptuale me traditën. Me ketë diskurs e mori pushtetin Qeveria aktuale e Kosovës duke e ngritur dialogun me Serbinë dhe heqjen e reciprocitetit në nivelin e merituar, aq lart saqë ta meritonte gjithë shqetësimin e popullit.

Rilindja e një amerikanizmi të cenuar nga paraardhësit ishte flamuri që u valëvit me aq forcë, saqë gjithë kauzat e tjera ranë përtokë, u shkelën, u harruan. Me sytë te triumfi i kauzës politike që do sillte lulëzimin e ekonomisë, sipas direktivave të Grenellit, u harrua çdo gjë tjetër, mbi të gjitha pandemia që rritej kudo, larg Ballkanit të largët. I humbur pas kauzave kyç politike qytetari u mor me tema të mëdha, të cilat e bënin të ndihej i rëndësishëm. Duke harruar se kauza primare e qytetarit do të duhej të ishte jeta, ai nuk e pa se Ballkani nuk ishte më larg se Brazili. Në këtë dalldisje masive qeveritë ballkanike kontribuuan me gjithë forcën e tyre, duke na shpërfaqur sot hapur dështimin e tyre të madh në çdo hap.

Mashtrimet, dezinformimet e propagandat për qëllime politike çdo ditë po e largojnë Ballkanin nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilat po ia mbyllin dyert njëra pas tjetrës. Ndërkohë që deklarimet e të infektuarve nga ato vende janë larg të besueshme, në Serbi një anëtar i task forcës për pandemi befason, duke deklaruar vazhdimisht se serbët gjenetikisht qenkan më të mbrojtur nga virusi. Ballkani në mos për ndonjë gjë tjetër, befason me teoritë konspirative.

Kosova sot është një histori që e ke parë dhjetëra herë në vende të ndryshme, një histori që e ke shtyrë gjithë kohën, nuk do doje ta shihje, të trishtonte që në ide. Por historia që ka çoroditur tërë botën duket të jetë më fatale edhe se vetë natyra jonë ballkanike. Ajo erdhi. Atëherë kur më së paku e pritnim. Ashtu si zakonisht na vijnë të këqijat në Ballkan duke na rrëzuar përtokë.

Çdo gjë është nën kontroll. Janë vetëm 3300 raste aktive me coronavirus. Spitalet janë mbushur plot. Tre anesteziologë kanë dhënë dorëheqje. Spitalet private u ofrojnë më shumë, shkruajnë mediat. Paraja s’mund të mos jetë kryefjalë në një mentalitet ku pyetje primare mbetet ‘sa e ke rrogën?’. Ndërkohë numri i stafit mjekësor të infektuar duket të ketë arritur majat. Shëndetësia shkon drejt kolapsit. Çdo gjë është nën kontroll, përsërit ministri i Shëndetësisë. Isa Mustafa bën thirrje që të mos presim vetëm nga Qeveria, të ruhemi vetë.

E tash ishte vonë për t’ia thënë studentes që hyri në provim me temperaturë e ethe. Situata qe surreale. Unë bëja pjesë te njerëzit fatlumë, ata që nuk e kishin parë virusin kaq afër. Ai vinte në qytetin tim si histori e qyteteve të tjera që na e sillnin çdo orë mediat në shtëpi. Dikur filluam të mos ndiqnim më lajme, diskursi ishte aq pandemik, saqë filluam të ruheshim edhe prej njëri-tjetrit. Im bir nuk më përqafonte më. Kishte frikë. Unë isha personi që dilja për të blerë ushqimet.

Tani që e gjitha dukej se i përkiste së kaluarës, studentja e trembur më shikonte me sytë e skuqur përtej monitorit. Mundohej të mbushej frymë nga një kënd i shtëpisë ku askush nuk do ta pengonte gjatë provimit. Jetonte me vjehrrit dhe mysafirët nuk kishin të ndalur.

Të lutem merr paracetamol, pi ujë e pusho, i thashë me gjysmë zëri. Nuk ka rëndësi provimi, qetësohu!

Studentja e përhumbur këmbëngulte se donte ta paraqiste punën. Kishte punuar gjatë. E lashë të fliste duke fshehur një tufë ndjenjash të përziera. Hidhërim, trishtim, frikë, zemërim. Nga vdekja na ndan një fije, m’u kujtua proverbi i urryer, të cilin e shkula me shpejtësi nga mendja. Studentja ime është nënë e re e dy vajzave të vogla që i është rikthyer studimeve me vullnet për një të ardhme më të mirë, më të dinjitetshme, e unë nuk mund të bëj asgjë tjetër veçse ta dëgjoj teksa shpjegon me vështirësi lidhjet mes gramatikës latine e asaj shqipe.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco