Kur politika e vë poshtë shkencën

Kur politika e vë poshtë shkencën

Nga Majlinda Bregasi - 16/07/2020

E gjitha filloi si një kapriço politikanësh lazdranë që janë mësuar të luajnë me një popull i cili, nëse për asgjë tjetër, shquhet për durim e durimi është virtyt, derisa nuk e kalon limitin...

Ndërkohë që një shitës ambulant nga qendra e Prishtinës bën thirrje për vëmendje ndaj disa kryeveprave botërore që i kanë mbetur në kioskë, lajmi se Austria i ndërpret fluturimet me Kosovën deri në 31 korrik vjen si përplasje dyersh nga korrenti i ajrit. Zhurma të qëndron ende në vesh, ndërsa numëron vendet që ia përplasën njëri pas tjetrit derën vendit të infektuar. Secili mendon për vete, Kosova për asnjë.

E gjitha filloi si një kapriço politikanësh lazdranë që janë mësuar të luajnë me një popull që, nëse për asgjë tjetër, shquhet për durim e durimi është virtyt, derisa nuk e kalon limitin, shkruan Sokrati. Lazdranët e politikës e dinë këtë shumë mirë, e kanë testuar në ujëra të ndryshme pa e përmbysur kurrë barkën e tyre. Ata do të notojnë shkëlqyeshëm edhe këtë herë.

Me emrin e Amerikës në gojë ata do të mund të bëjnë shumë më tepër se kaq. T’i stërmbushin radhët e qeverisë me klientë partish që e kanë mësuar mirë zanatin e lundrimit nëpër turbullira. Ashtu si Amerika, as Kosova nuk pati asnjë strategji kombëtare për emergjencën në pandemi që nga rrëzimi i qeverisë Kurti. Madje neglizhenca e skajshme shkoi deri te fushata që virusi është rrenë e që Kurti me mbylljen na ka dëmtuar ekonominë. Njësoj e mohuan pandeminë plot media amerikane e tani shtetet e jugut të vendit po i bëjnë dhimbshëm hesapet, të detyruar të marrin masa drastike.

Në këtë situatë emergjente që ka kapluar gjithë botën Qeveria italiane përgatit paketën për daljen nga pandemia. Vatra e parë e infektimit në Evropë ul çdo ditë lakoren e infektimit, vetëm 162 të infektuar shënoi dita e djeshme. Çfarë ndodhi në Itali që pas disa muajsh sakrificë vendi të shpallë daljen nga pandemia?

Asgjë e jashtëzakonshme. Qeveria mori përsipër 100% detyrën e saj duke vënë në plan të parë jetën e qytetarit. Më 26 shkurt kryeministri Conte ia dërgoi një kërkesë për ndihmë BE-së. Asnjë anëtar nuk iu përgjigj. Kërkesa kaloi në heshtje të plotë, duke ndezur mllef te qytetarët. Italia me plot probleme ekonomike u kritikua e u tall nga plot shtete të tjera për masat drastike që aplikoi duke ironizuar karakterin “dramatik” të popullit, por si ndodh shpesh, në fillim të injorojnë, pastaj të tallin e në fund të imitojnë.

Një qeveri që punon dhe njofton vazhdimisht qytetarët për çdo zhvillim, kryetarë komunash që nuk ndalnin fushatën për sensibilizim aq sa shpesh videot e tyre ndonjëherë komike u bënë virusale e qarkullonin të titruara nëpër tërë botën, nuk ka si mos të ndiqej nga angazhimi qytetar. Iniciativat e solidaritetit në popull lulëzuan gjithandej. Qeveria miratoi pakot e emergjencës për të mos e lënë qytetarin të braktisur e këtu vihet pika mbi i edhe pse asnjëherë nuk është mjaftueshëm dhe asnjëherë qytetari nuk është e nuk duhet të jetë i kënaqur me qeverinë e tij.

Pandemia theksoi pabarazitë që veç ekzistonin, pamë se kush është i mbrojtur nga sistemi e kush jo, kush jetoi një karantinë i qetë e kush e jetoi në mizori të plotë ekonomike e psikologjike, kush pati kursyer për një ditë të vështirë e kush u gjet thatë, kush ka të njohshëm për të arrirë te një testim e kush jo. Efektet negative që pandemia na shfaqi në organizimin shoqëror janë të mëdha e do të vazhdojnë, por një qeveri e përgjegjshme duhet t’i dijë prioritetet e saj e jo të mbytet në retorikë boshe.

Në Kosovë pandemia është futur në fazën e agresivitetit që po merr përpara qindra njerëz pa përzgjedhur, ashtu si veproi pamëshirshëm në plot vende të tjera, nga të cilat Kosova do duhej të kishte mësuar. Por kjo nuk ndodhi. Qytetarët ashtu si qeveria treguan papërgjegjësi të jashtëzakonshme. Postimi i filxhanëve me macchiato u bë trend nëpër rrjete sociale, duke na treguar cili kishte qenë privimi më i madh i një qytetarie urbane që macchiaton e ka kthyer në kult. Por kjo është pamja më e butë e situatës absurde ku ndodhet vendi.

Nëpër rrugë u panë të testuarit pozitivë të dilnin nga shtëpia për nevojat e tyre e kjo përfundoi me një ditë histeri nëpër rrjete sociale vetëm kur njëri prej tyre na paskësh qenë një deputete e Parlamentit. Por askush realisht nuk e mori seriozisht situatën. Pse qytetari detyrohet të dalë nga izolimi duke rrezikuar edhe jetën e të tjerëve? Çfarë strategjie ka Ministria e Shëndetësisë për të izoluarit në shtëpitë e tyre? Çfarë shërbimesh u ofron? Plot prej tyre nuk kanë mundësi as për të blerë ushqime e medikamente.

Pas vdekjes së pacientëve nga mosfunksionimi i aparaturave të oksigjenit, plot të infektuar që kishin nevojë për oksigjen as nuk u paraqitën në QKU nga frika. E kush do të ishte paraqitur? Për inat të sime vjehërr shkoj e fle me mullisin, thotë populli, por për inat të Kurtit ta degdisësh vendin në këtë gjendje është krim e një ditë dikush duhet të përgjigjet për këtë neglizhencë ekstreme të situatës. Në fillim të qershorit kryeministri Conte u mor në pyetje për 3 orë nga prokuroria për menaxhimin e pandemisë në Lombardi, ku pati mijëra viktima, kjo është procedurë normale në një vend demokratik, ku të drejtosh qeverinë është përgjegjësia më e lartë ndaj vendit që dikush e ka marrë mbi supe. Por kjo sigurisht nuk do të ndodhë në Kosovë, mund të rrimë të qetë.

Sot shkenca dhe politika po e luftojnë njëra-tjetrën, por ne që në politikë jemi dëshmuar si humbës të mëdhenj, pse e paskemi kaq të vështirë ta ndjekim shkencën?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco