Shembull i reciprocitetit

Shembull i reciprocitetit

Nga Elvis Hoxha - 15/07/2020
Franca i mbyll dy linja transporti civil ajror Kinës. Tri kompani kineze punonin deri pak më parë me Francën. Ndërsa nga ana e Francës funksiononte vetëm Air France. Nga gazeta Le Monde kuptojmë se shteti francez ka vendosur masë reciprociteti “në emër të reciprocitetit [të kompanive kineze] me kompaninë Air France”. Reciprociteti pra nuk është vetëm një ide abstrakte, por kuptohet kur ndërtohet në raste konkrete. Tri kompani kineze kundrejt një kompanie franceze. Tri udhëtime në javë nga Kina në Francë kundrejt një të vetmi në drejtimin e kundërt. Arsyeja e palës kineze është dallimi në masat e marra kundër covidit. Arsyeja e palës franceze është dallimi në marrje-dhënie. Arsyeja e Francës mund të thuhet edhe në formën: “Pak rëndësi ka se si e trajton ti veten, për mua ka rëndësi se si më trajton ti mua”.
Në fillim duket sikur reciprociteti është vendosur në emër të kompanisë ajrore. Ky është edhe cilësimi nga ana e qeverisë franceze. Por kuptohet lehtë që reciprociteti nuk i lihet në dorë vetë kompanive. Kompanitë nuk mund ta tejkalojnë e as reduktojnë me përvetësim shprehjen e sovranitetit të shtetit. Në marrëdhënie, sovraniteti i një shteti nuk ka terren tjetër veç atij të reciprocitetit. Kështu që Franca, edhe pse me një popullsi të krahasueshme me një rajon kinez, është cilësisht shtet. Te cilësia e të qenit shtet, barazohen emrat që shohim mbi hartë.
Ndjenja e reciprocitetit lind kur udhëheqësit e një shteti janë shprehje e përfaqësimit dhe jo vetë shteti. Paradoksi që kemi parë me heqjen e reciprocitetit prej qeverisë Koti, me mbështetjen që i bënë anti-reciprocitetit tërë pjesët e klanit Pronto, me mbështetjen që i bëri Presidenti, ky paradoks pra shpreh vetëm një gjë: pushteti i tyre PDK-LDK-AAK-NISMA-LS është më i rëndësishëm se autoriteti i shtetit.
Sepse klanet e pushtetit kanë pretenduar vetëm një kundërthënie:
Sa herë që bëhet fjalë për respekt të shtetit të Kosovës, ata deklarojnë se ky respekt vjen ngaqë ata janë luftëtarët dhe institucionalistët që e kanë ndërtuar. Sa herë që duhet ta dëmtojnë shtetin e Kosovës për interesa të tyre, na thonë se shteti i Kosovës ekziston falë marrëveshjes së ndërkombëtarëve dhe aleatëve. Pra, kur shteti iu intereson për pushtet, na thonë se ata e mbajnë pushtetin sepse e kanë krijuar vetë shtetin. Sa herë që duhet të japin një copë kushtetuese të shtetit, na thonë se e bëjnë me kërkesën e ndërkombëtarëve që e kanë krijuar dhe garantuar shtetin e Kosovës. Më vonë marrim vesh se vetë ata u propozojnë ndërkombëtarëve dhënie të copave të kushtetitmit dhe sovranitetit për me e mbajtë pushtetin. Ky pushtet iu duhet që të vazhdojnë korrupsionin e brendshëm.
Pra, dhurojnë Kosovë jashtë që të grabisim Kosovë brenda. Një nga rastet më të rëndë është dhënia e sovranitetit, në lëndën e gjykimit të krimeve, Gjykatës Speciale disa vite më parë. Ndërsa tani, pretendojnë të dhurojnë UÇK-në në Hagë për të shpëtuar veten. Reciprociteti është shprehje e njësuar e përfaqësimit të një shteti. Shembulli i Francës na shpjegon qartë se edhe kur bëhet fjalë për pabarazi në numër udhëtimesh ajrorë, përsëri dëmtohet cilësisht përfaqësimi i një shteti. Na duhet të kuptojmë në të gjitha shkallët e sasisë së marrëdhënieve ndërmjet shteteve, cilësinë e ekzistencës së një shteti.
Na nevojitet domosdoshmërisht studimi në detaj i sasive të relacionit me shtet të tjerë, për ndërtim cilësor të ekzistencës së shtetit tonë. Për këdo që e ka studjuar Kantin, e di mirë se në tabelën e gjykimit të kategorive, ekzistenca faktorizohet në kategorinë e relacionit. Ndërkohë që po e them një gjë të tillë, jam krejt i vetëdijshëm se udhëheqësit e luftës dhe institucionalistët e paqes nuk ia kanë fare haberin se në rrënjët e shtetit gjerman janë gjykimet teorikë dhe logjikë të Kantit. Shteti modern perëndimor mund të duket si një lojë, por rregullat e lojës janë ndërtuar gjatë 200 viteve. Këto rregulla ne i kishim të gjitha gati, mjaft t’ i edukonom në shkollat tona, por ne nuk kishim kureshtjen për me i njohë këto rregulla, ndaj nuk lamë gomar me pushtet pa i dhënë dhe titullin profesor e doktor shkencash. Kështu që sot pushtetarët tanë tallen me reciprocitetin dhe bëjnë hajgare me territorin dhe kufijtë.
Por ja dhe përmbysja e 6 tetorit 2019: duke përkrahur Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje! populli i Kosovës deklaroi se duhet të jetë më i mençur se qeveritarët e vet.
Në këtë çast le të shpresojmë se edhe populli shqiptar në Maqedoni ka kuptuar se duhet të kthehet masivisht drejt vetes. Pa i dhënë peshë vetes, nuk e ke kundërpeshën as në reciprocitet. Qeveria Koti, për shembull mendon se sa ç’e ka peshën injoranca e saj, aq e ka peshën edhe ekzistenca e Kosovës. Injoranca nuk ka peshë në konceptin e shtetit, ndaj dhe nuk di të deklarojë kundërpeshë në relacionet mes shteteve.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco