Në sy vëreheni që jeni mashtrues

Në sy vëreheni që jeni mashtrues

Nga Syri.net Kosova - 14/07/2020

Tallja e politikanëve me njerëzit në Kosovë, nuk njek kufij. ‘Në sy vërehesh që je me Covid’-i thoshte një deputeti ministri i shëndetësisë. Kaq për përgjegjshmërinë e atyre që po na qeverisin sot.

Nga vendi i tretë për mirë në hartën globale të menaxhimit të pandemisë, Kosova brenda pak javësh e siguroi vendin e tretë për rezultate negative, shtim alarmant të të infektuarve dhe vdekjeve.

Kjo qeveri po mendon se duke fajësuar sjelljen e qytetarëve më rastin e Festës së Bajramit dhe tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje, shkarkohet nga përgjegjësia. Në fakt, është krejt e kundërta.

Lehtësimi gradual i masave lehtësuese, pritej që të shoqërohej me një rritje të rasteve, por jo me një anarki të tillë si kjo e Kosovës. Rikthimi i disa masave të tilla, është një reagim improvizues i qeverisë Hoti.

Kaosi ka përfshirë shtetin, ndërsa pakujdesia e vetë zyrtarëve, i ka mbyllur dhjetëra zyra, duke shkaktuar telashe të jashtëzakonshme për qytetarët. Radhë të gjata të njerëzve nga mëngjesi sheh në dyert e zyrave komunale e ato të pushtetit qendror, në pritje të shërbimeve të ndryshme, që janë reduktuar së tepërmi.

Pandemia me vështirësi po përballohet edhe nga shtetet e fuqishme e lërë më Kosovën. Lufta për pushtet, ka lënë pasoja të rënda në menaxhimin e situatës. Deputetët sot merakoseshin për familjet e tyre pasi virusi nuk i ka kursyer as ata, duke harruar se janë në ato ulëse për të përfaqësuar edhe mijëra kosovarë që jetojnë me një euro në ditë!

Një maskë për të varfrit e shumtë në Kosovë, është sa buxheti ditor i tyre. Çfarë të bëjnë ata, ta hanë maskën apo të blejnë bukë?!

Askush nuk po mendon për tërë ato familje skamnore, që përballen me ekzistencën dhe pandemia, i ka rrënuar. Është e turpshme për deputetët kosovarë, që marrin gjithë ato beneficione, edhe pa shkuar fare në seanca, ndërsa sillen me kaq injorancë ndaj situatës dramatike.

Qeveria ndërkohë është e zënë me emërimin e koordinatorëve të radhës. Sot e kërkonin një për luftën kundër terrorizmit. Kryeministri që dikur ishte shumë kritik ndaj emërimit të kotë të koordinatorëve, pozita të shpikura për t’ua plotësuar dëshirat partiakëve, po i mbështet këto emërime skandaloze. Ai edhe mundet t’i refuzojë, por e shantazhojnë partnerët.

Nëse dikush mendon se Kosova do t’i dalë në krye kësaj gjendjeje dhe do ta përballojë pandeminë e efektet e saj me këtë qeveri, duhet të jetë shumë utopik. Është kaq e bukur një gjë e tillë, për të qenë e vërtetë.

Këta që janë në pushtet i quajnë heronj mjekët e infermierët, por ua dështuan ligjin e pagave, që sadopak ua përmirësonte standardin jetësor.  Problemi themelor i shtetit dhe shoqërisë sonë është se pushtetarët aktualë, hallin kryesor e kanë si të ruajnë shëndetin e tyre dhe të familjeve.

Nuk mërziten shumë për shtimin e infektimeve dhe viktimat e virusit. Është fatkeqësi, por krejtësisht e vërtetë.

Një qeveri që e vlerëson infektimin në bazë të syve të një personi, është kulmi i dëshpërimit për një popull. Këta nuk do të na befasonin edhe nëse e emërojnë së shpejti një koordinator për vlerësimin e shikimit të secilit...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco