Rrugë që ngushtohet

Rrugë që ngushtohet

Nga Flaka Surroi - 11/07/2020

Jemi popull i çuditshëm, përfundimisht. Është e pabesueshme se si në fazën e një krize aq të thellë shëndetësore me efekte të mëdha financiare, i vetmi send që mbijeton dhe mbufatet është politika. E ne heshtim

Duket se situata me pandeminë tashmë ka dalë jashtë kontrollit. Masat e ndërmarra që nënkuptojnë mbylljen e kafehaneve natën, nuk do të mjaftojnë për të kthyer madje asnjë fije disipline - ngase ditën ato po vazhdojnë të rrinë të mbushura, pa asnjë respektim distance, përderisa nga ana tjetër, njerëzit po vazhdojnë të shkojnë në det, thuajse asgjë.

Tashmë i kemi kaluar 4 mijë të infektuar dhe numri i të vdekurve i është afruar njëqindëshit. Kjo që po ngjet në këtë muajin e fundit do të duhej të ishte alarm me zhurmë të sirenës kundërajrore për krejt ne: maska, distanca, larja e duarve janë bërë tashmë të domosdoshme, po qe se duam ta shpëtojmë veten dhe njerëzit tanë të afërm nga infeksioni. Infeksion që nuk zgjedh as moshë, as gjini, as etni, as asgjë: të enjten në Prishtinë u raportua lindja e një foshnje me koronavirus, që me gjasë e ka trashëguar nga nëna.

I infektuar me virus u lajmërua të jetë edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Ka bërë mirë që e ka bërë publike, sepse megjithatë, është njeriu që e udhëheq partinë që e ka dhënë kryeministrin në qeverinë e re. Dhe nuk ka dyshim se ka ndikim në vendimmarrjen e trupit ekzekutiv nën kryesimin e zëvendësit të tij në parti.

Ajo që nuk ishte mirë dhe që pasoi menjëherë pas publikimit të lajmit qe rrëkeja e pakontrolluar e komenteve ofenduese, dashakeqe dhe mbi të gjitha aso që "uronin" vdekjen e Mustafës. Aq i vrullshëm reagimi i lexuesve, saqë ekipi i portalit e kishte të pamundur t'i fshinte të gjitha ato me përmbajtje të shëmtuar.

Reagimi i këtillë e tregon shpirtngushtësinë tonë. Është tipike për komentues që e kanë gjithë kohën e kësaj bote të ulen e të shajnë e shtyhen me gjuhë të shëmtuar, sepse s'kanë argumente. Për më tepër, e pasqyrojnë analfabetizmin tonë kolektiv, ngase me shumë vështirësi i lidh njeriu tri fjalitë që shkruhen aty pa e respektuar asnjë rregull të vetme gjuhësore.

E tregon edhe një arsye se përse i kemi punët si i kemi: krejt këta komentues janë edhe votues potencialë. Pra, edhe përgjegjës për fuqinë politike që e kanë partitë dhe udhëheqësit e këtyre në Kosovë. Pavarësisht nëse kanë votuar ose jo.

Thaçi në Hagë

Nga fillimi i javës, Thaçi e shkroi një status në FB për të treguar se e kishin ftuar në Hagë për ta marrë në pyetje në lidhje me aktakuzën. Duke mos pasur detaje të tjera, supozimi mund të jetë se do të jetë ftuar për t'u marrë në pyetje për pjesën e komunikatës së Prokurorisë speciale që u referohej përpjekjeve të Thaçit e Veselit për ta penguar drejtësinë.

Për dallim nga Haradinaj që kishte dhënë dorëheqje posa e kishte marrë ftesën për t'u intervistuar, Thaçi nuk ndërmori një hap të tillë dhe vazhdoi me vizitat që ua bënte fshatrave dhe familjeve të të masakruarve në luftë.

Arsyet pas kësaj janë dy: një, kur doli të fliste javën paraprake tha se do të dorëhiqej po qe se konfirmohej aktakuza - pra një gjë që nuk ka ndodhur. Dhe e dyta, duke ndenjur i tërhequr nga publiku, vazhdon të punojë në drejtim të sigurimit të një zëvendësimi, pra i dikujt që do të ishte i besimit të tij të plotë në postin e kryetarit të shtetit.

Mustafa e bëri të qartë se kishte ardhur koha që të kishte unitet dhe se ai unitet do të mund të arrihej vetëm nëse bëheshin të gjithë bashkë (minus Vetëvendosja) - pra e linte hapur mundësinë që pjesë e Qeverisë të bëhej edhe PDK-ja, me të cilën do ta siguronte shumicën e madhe dhe të domosdoshme për ta zgjedhur kryetarin apo kryetaren e re të shtetit dhe të shtyhej mandati deri te pika kur PDK-ja të vendosë se u bë boll, e të shkohet në zgjedhje të reja.

Pavarësisht sondazhit që e publikoi VV-ja, për disponimin e votuesve që e qisnin këtë parti si fituese absolute të zgjedhjeve po të mbaheshin tash, shumica e partive nuk ka interes të menjëhershëm për zgjedhje: LDK-ja për shkak se u bë me postin e kryeministrit; partitë e tjera të koalicionit për shkak se nuk e kanë sigurinë se mund të rriten apo edhe ta kalojnë pragun dhe PDK-ja për shkak se gjasat janë se do të mbetet pa lider partie dhe duhet bërë ndryshimet e brendshme të domosdoshme për të dalë me ofertën e vet politike. Natyrisht, kësaj duhet shtuar se sa më gjatë të mbijetojë Kuvendi, aq më gjatë do ta gëzojnë "fondin e demokratizimit" partitë parlamentare - pra paratë e buxhetit që ndahen për to çdo vit, në bazë të numrit të deputetëve që i kanë në Kuvend, krahas edhe rrogave, mëditjeve dhe të tjerave që u takojnë deputetëve individualisht.

Pa para s'ka fushatë - dhe jo për shkak se duhet reklamuar veten, por për shkak se dikush duhet blerë vota e dikush edhe favore për të pasur rezultate më të mira në zgjedhje, pra përfaqësim parlamentar, e me të, edhe fuqi ekzekutive.

Thaçi do të udhëtojë të hënën, porse gjasat janë se do të merret në pyetje të martën. Se a do ta aplikojë taktikën e mbrojtjes në heshtje, mbetet të shihet.

Hoti i pafuqi

Ndërkohë, Hoti shkoi në Paris, u takua me Macronin dhe sinqerisht nuk e dimë se për çfarë u bisedua, pos që u bë e ditur se negociatat duhen të rifillojnë - fillimisht me një video konferencë e më pas edhe me një takim në Bruksel të dielën (pra nesër).

Hoti u kthye, mbajti mbledhje të Qeverisë, miratoi masat që quheshin antikushtetuese në kohën kur u miratuan nga qeveria e kaluar dhe refuzoi ta përkrahte ligjin anti-Covid të propozuar nga Vjosa Osmani dhe pesë deputetë të tjerë, edhe pse miratimi i një ligji të tillë doli të jetë i obligueshëm sipas aktgjykimit të Kushtetueses.

Mori pjesë në videokonferencë me Macronin dhe Merkelin dhe tregoi se Kosova i kishte tri parime: një, se integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm; dy, se nuk mund të preket karakteri unitar i shtetit, dhe tre, se marrëveshja me Serbinë duhet të jetë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Kësaj ia shtoi edhe pesë parime: një, të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse e Paqes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që duhet të çojë në njohje të ndërsjellë; dy, BE-ja ta mbyllë njohjen e Kosovës prej pesë shteteve të mbetura; tre, të bëhet anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe të zhvlerësohet Rezoluta 1244; katër, të bëhet hapja e qartë të perspektivës evropiane dhe pesë, të adresohet çështja e të zhdukurve e viktimave të të gjitha formave të dhunës, si dhe çështja e kompensimeve të dëmeve të luftës.

Para se të shkonte në Paris, kishte premtuar se do t'i mblidhte liderët dhe nuk e bëri, dhe këto gjëra që i tha, me gjasë do të jenë ose qëndrimi i tij ose i qeverisë që ai e udhëheq, porse jo qëndrime konsensuale të të gjitha partive, sado që më në fund dolëm nga gëzhoja në të cilën na kishte futur Thaçi me mostransparencën e tij negociuese.

E megjithatë, në fund të videokonferencës tha se nuk do të shkonte të dielën në Bruksel, e për këtë shkak, takimi i shty për të enjten.

Nuk u dhanë arsyet se përse nuk do të shkonte të dielën por u tha se do të merrte pjesë në videokonferencë sërish po atë ditë. Mbase ka vendosur të presë e të shohë se çfarë do të mund të ndodhte me Thaçin në Hagë. Mbase do të varet nga fakti nëse Thaçi kthehet ose jo nga Haga, që të bindë veten se ai njëmend do ta udhëheqë procesin e dialogut i vetëm. Natyrisht, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të shtetit, që supozohet do të jetë person i besimit i Thaçit. Personi që do të jetë vetëm dora e zgjatur e Thaçit në këtë proces dhe do të ketë për detyrë ta udhëheqë procesin sipas rregullave që i ka caktuar Thaçi: mbi Kushtetutën dhe për qejf të tijin.

* * *

Jemi popull i çuditshëm, përfundimisht. Është e pabesueshme se si në fazën e një krize aq të thellë shëndetësore me efekte të mëdha financiare, i vetmi send që mbijeton dhe mbufatet është politika. E ne heshtim.

Një Kuvend i kotë që nuk miraton marrëveshje ndërkombëtare dhe e merr një ditë të tërë për ta debatuar rishikimin e buxhetit - përderisa deputetët ofendohen e grinden mes vete... jo për ndonjë gjë fort me vlerë.

Nuk e di kah jemi nisur, por më duket se rruga po na ngushtohet përditë e më shumë. Se nuk po duhet vetëm të ruhemi fizikisht nga korona, por po duhet ruajtur edhe mendtë nga politikanë të këtillë që e kanë humbur rrugën në oborr. E me ta edhe ne.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco