Samiti Virtual & keqmenaxhimi viral

Samiti Virtual & keqmenaxhimi viral

Nga Asdren Rrahmani - 10/07/2020

Të dielën pritet të mbahet Samiti Virtual i Parisit ndërmjet Bashkësisë Evropiane, apo thënë më saktësisht kancelares Merkel, presidentit Macron, presidentit Vuçiq dhe kryeministrit virtual Hoti. Nuk besoj se ky samit virtual do të sjellë ndonjë marrëveshje konkrete, por mund të jetë një iniciativë e evropianëve që lokomotivën e bisedimeve ta kthejnë në binarët ku lokomotivistit nga Brukseli do t’i "kthehet" vendi i punës, i cili në një mënyrë ishte shkarkuar nga iniciativat e dështuara tashmë nga ana e emisarit për bisedimet në Ballkan, Richard Grenell, presidentit Vuçiq dhe presidentit Thaçi

Hovi i zhvillimeve tektonike diplomatike, qoftë në planin global, qoftë në atë lokal, është në vrullin më të madh.

Thuajse pandemia COVID-19 u shndërrua në një levë e cila filloi t’i lëvizte gjërat nga vendi, qoftë edhe ato të cilat ishin të fjetura një kohë të gjatë.

Në një mënyrë, edhe pse pandemia me COVIDIN në një pjesë të botës është në rënie e sipër, në disa të tjera është shndërruar në vatër të re të infeksionit. Njëra nga to është edhe Kosova. Do të mundohem që t’i iki portretizimit të pandemisë me ngjyra partiake. Siç e thotë ajo barsoleta:

"E pyet pacienti mjekun: doktor kur do të kalojë kjo puna e pandemisë?

Nuk e di për besë, nuk jam politikan".

Pjesa më e madhe e fajit mendoj që ndërlidhet thjesht me mentalitetin dhe jodisiplinën tonë si dhe me shkëlqimin tonë në atë në çka jemi më të mirët, përzierjen e prioriteteve.

Normalisht se ajo pastaj reflekton edhe në nivelin politik, sepse nuk mundet të mbetet diçka e izoluar. E gjitha kjo e solli situatën deri aty ku Kosova është dashur që të mos bjerë asnjëherë. Pozita shumë e brishtë e sistemit shëndetësor të kanoset nga fluksi i madh i të infektuarve me simptome më të rënda. Në Mbretërinë e Bashkuar humbën jetën më se 60,000 njerëz dhe slogani qeverisës gjatë pandemisë ishte "Save the NHS (National Health Service) - Shpëtoje Shërbimin Nacional të Shëndetit". D.m.th. edhe këtu menaxhimi i situatës dhe të gjitha masat e ndërmarra, edhe pse shumë të vonuara, kishin të bëjnë me atë që të parandalonin fluksin e pacientëve në spitalet publike në numra të mëdhenj dhe të pamenaxhueshëm, dhe të cilat do të sillnin deri te një kolaps i sistemit shëndetësor në tërësi. Ajo çka shohim këto ditë në Kosovë ka pikërisht të bëjë me këtë dhe me faktin se kolapsi i sistemit shëndetësor është në ngjarje e sipër dhe se përpëlitjet e thirrjeve politike për të thënë se situata është nën kontroll janë në analogji të plotë me thirrjen e kapitenit të TITANIKUT se situata është nën kontroll. Në fakt, edhe orkestra për t’i argëtuar "pasagjerët" është aty e shpërndarë nëpër dasmat kosovare anembanë.

Nga kabllogramet diplomatike nga fqinjët tanë do t’i veçoja dy netët rresht të protestuesve serbë para Kuvendit të Serbisë në Beograd. Arsyeja e protestave të tyre paralajmërimi i presidentit Vuçiq për vendosjen e serishme të masave të karantinës dhe lëvizjes së lirë për qytetarët e Beogradit gjatë ditëve të vikendit që po vjen. Ajo që vlen të theksohet ishte sasia e dhunës së ushtruar nga ana e policisë ndaj protestuesve.

Mosha mesatare e protestuesve ishte relativisht e re. Por, ajo çfarë më bëri të ndieja dhembshuri për ata njerëz ishte fakti se edhe pas 30 vjetësh, ku shumica e tyre ndoshta as nuk e kanë përjetuar kohën e Millosheviqit personalisht, urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve dhe nacionalizmin e shfrenuar e kanë po atë të njëjtin si edhe të njeriut kundër kujt ata ishin ngritur në ato protesta. Një nga komentet e njërit nga gazetarët, i cili po i përcillte këto ngjarje, ishte "po na rrahin sikur me qenë ne shqiptarë". E dëgjon njeriu këtë, ndien keqardhje të momentit dhe pastaj thotë “qafën e thefshi”.

Para ca ditësh, sistemi paralel i instaluar në pjesën e Mitrovicës Veriore, duke u bazuar në vendimin e qeverisë së Serbisë, solli vendimin që të vendosej kufizimi i lirisë së lëvizjes nga ora 21:00 - 05:00, për shkak të shtimit të numrit të të infektuarve me COVID-19.

Për të qenë plotësisht korrekt duhet theksuar se zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, z. Goran Rakiq, deklaroi se ai dhe Lista Serbe zbatojnë vetëm vendimet e qeverisë së Serbisë. Ju lutem që këtë fjali ta lexoni disa herë dhe lejojani vetes kohën që e njëjta të zbërthehet nga sistemi juaj logjik. Pra, zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, z. Goran Rakiq, deklaroi se ai dhe Lista Serbe zbatojnë vetëm vendimet e qeverisë së Serbisë.

Për të larë (me nder me thanë) asi me kësi, Qeveria Hoti pas dy ditësh i

"vendosi" po të njëjtat masa për veriun e Mitrovicës. Me të vërtetë kurrë nuk e kuptoj se për çka na marrin këta politikanë me këso vendimesh?

Qeveria pandemike, me vendime anemike, prej ditës në ditë del më qesharake dhe më joserioze karshi qytetarit dhe votuesit kosovar. U premtuan 1 miliard euro si injektim për rimëkëmbjen ekonomike, ajo shumë tashmë mezi e arrin shumën prej 400 milionë eurosh. Disa nga partitë e tjera, vagoneta të qeverisë pandemike, premtuan nga 100 euro për kokë banori, normalisht derisa ishin në opozitë dhe derisa nuk zgjidhnin as situatë as oportunitet për protagonizëm politik.

Sot qeveria vazhdon të stërmbushet nga zëvendësministrat e partive të pragjeve pandemike, sot kemi të emëruar zëvendësministra në Ministri të Arsimit pa fakultet të përfunduar, zëvendësministra të dënuar edhe për vepra penale/kriminale.

Kjo pra sot është Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila përkujdeset për "mirëqenien" e qytetarëve të saj si dhe për avancimin e proceseve ndërkombëtare.

Një tjetër kabllogram diplomatik i cili mua më ra në sy ishte nënshkrimi i dy marrëveshjeve midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj franceze gjatë vizitës së kryeministrit Hoti në takim me presidentin Macron. Njëra nga to kishte të bënte me lejimin e punësimit të partnerëve të diplomatëve kosovarë të cilët punojnë në Ambasadën e Kosovës në Francë. Unë mendoj se kjo marrëveshje është e një rëndësie jetike për punësimin e popullit të Kosovës. Tash i mbetet Qeverisë që vetëm t’i emërojë 500,000 diplomatë, ku edhe 500,000 partnerët e tyre do të kishin të drejtën e punësimit në Francë. Kjo në mënyrë drastike do ta zbuste numrin e përgjithshëm të të papunësuarve në Republikën e Kosovës.

Të premten pritet të mbahet Samiti Virtual i Parisit ndërmjet Bashkësisë Evropiane, apo thënë më saktësisht kancelares Merkel, presidentit Macron, presidentit Vuçiq dhe kryeministrit virtual Hoti.

Nuk besoj se ky samit virtual do të sjellë ndonjë marrëveshje konkrete, por mund të jetë një iniciativë e evropianëve që lokomotivën e bisedimeve ta kthejnë në binarët ku lokomotivistit nga Brukseli do t’i "kthehet" vendi i punës, i cili në një mënyrë ishte shkarkuar nga iniciativat e dështuara tashmë nga ana e emisarit për bisedimet në Ballkan, Richard Grenell, presidentit Vuçiq dhe presidentit Thaçi.

Kur jemi te presidenti Thaçi, ishim dëshmitarë të pelegrinazhit të tij të vonuar politik te familjet e ndryshme kosovare, viktima të masakrave serbe gjatë luftës në Kosovë. Sado që u mundova të kuptoja arsyeshmërinë dhe mesazhet nga këto vizita, nuk isha në gjendje që ta bëja një gjë të tillë. Arsyeja është e thjeshtë: këto familje dhe këto viktima janë aty qe 21 vjet, por vizita të tilla kanë qenë të mangëta nga protagonisti, i cili ishte edhe kryeministër, edhe zëvendëskryeministër e edhe ministër i Punëve të Jashtme i qeverive të kaluara të Republikës së Kosovës.

Nga deklarata e djeshme e kabllogramit diplomatik të lëshuar nga ana e presidentit Hashim Thaçi mësuam se të hënën, më 13.07.2020, ai do të udhëtojë për në Hagë, ku është ftuar për intervistë nga ana e Prokurorisë. Duke mos aluduar se e njoh se si funksionon sistemi hibrid i gjyqësorit të Dhomave të Specializuara apo sistemi ligjor, ashtu thjesht në logjikën time diçka nuk po fle me këtë deklaratë. Pse do të ftohej në intervistë dikush ndaj të cilit janë ngritur aktakuzat të cilat ende janë të pakonfirmuara nga ana e gjykatësit të lëndës paraprake? Logjika më thotë që ato intervista kanë ndodhur shumë më herët, ashtu siç kanë ndodhur edhe me të "akuzuarit" e tjerë, por të cilët një gjë të tillë nuk e fshehën asnjëherë. Protagonisti Thaçi është i njohur për josinqeritetin e tij dhe kryerjen e shumë punëve prapa kulisave dhe larg syve të publikut, duke mos dhënë asnjë lloj përgjegjësie. Tash, përkundër logjikës së shëndoshë, deklaron se është thirrur që të shkojë atje në intervistim. Unë edhe mund të jem në gabim, mirëpo bindja ime është se ai atje është ftuar sepse aktakuzat do të mund të jenë konfirmuar nga ana e gjykatësit të lëndës paraprake. Do të ishte shumë e dhimbshme po qe se kjo vërtetohet, ndërsa ky protagonist nuk e jep dorëheqjen e tij nga posti i presidentit dhe e mban Kosovën si peng të tij, duke mos dashur të paragjykoj se cilat do të jenë gjetjet dhe vendimet e këtij gjyqi për aktakuzat e ngritura.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco