Fytyrat e UÇK-së

Fytyrat e UÇK-së

Nga Majlinda Bregasi - 09/07/2020

Koncepti i fytyrës

Fytyra është pjesa e trupit që e identifikon njeriun. Është e para që futet në lojë kur kontaktojmë me të tjerët, ajo që vihet në pasaportë, në rrjetet sociale etj. Megjithatë, fytyra është pjesa e trupit që njeriu nuk mund ta shohë kurrë me sytë e vet, ka gjithmonë nevojë për një pasqyrë. Edhe sërish pasqyra nuk na e jep imazhin tonë të vërtetë, varet nga drita, pozicioni etj. Ne jetojmë tërë jetën me iluzionin e fytyrës sonë me të cilën kemi një raport shumë intim e të rëndësishëm.

Te “Rituali i ndërveprimit” Goffman i jep një shpjegim të tillë të termit: Termi fytyrë mund të përkufizohet si një vlerë pozitive që një person mban për vetveten nëpërmjet asaj që të tjerët do ta konfirmojnë nga kontakti me të. Pra, nënkuptohet një imazh pozitiv që një njeri mban për vetveten që edhe të tjerët e mbështesin. Kur ndodh e kundërta, pra kur imazhi nuk është i pritshmi, njeriu aktivizon mekanizmat mbrojtës për ta vënë fytyrën në vendin e vet. Lidhja që një person ka me imazhin e vet dhe lehtësia me të cilën ai mund t'i vihet në dyshim shpjegojnë arsyen pse për çdo njeri kontakti me të tjerët është mjaft angazhues. Ndaj gati në çdo gjuhë ekzistojnë shprehjet si “mos ma merr fytyrën”, “i/e pafytyrë” etj.

Mianzi ??

Shkrimtari Lin Yutang thotë se gjëja e parë që duhet mësuar mbi kulturën kineze është mianxi ?? koncepti i fytyrës, një koncept që as mund të përkthehet e as përkufizohet. Mianzi përbën standardin më delikat nëpërmjet të cilit kinezët stabilizojnë raportet sociale. Për ta është një çnderim i madh të bësh një gabim në publik, të humasësh fytyrën, diu mianzi ???. Ky obsesion që kinezët kanë mbi mianzi-n shfaqet në dhjetëra shprehje apo proverba si i pafytyë, ma nxiu fytyrën etj.

Në kulturën shqiptare “marrja e fytyrës” nënkupton po ashtu imazhin negativ që shoqëria ka krijuar për një njeri, bazuar në një dukuri negative për të cilën ky person ka qenë shkaktar. Për mentalitetin shqiptar, veçanërisht atë të veriut të Shqipërisë, Rrafshit të Dukagjinit, Drenicës, që deri vonë në shekullin e kaluar dhe, në disa aspekte, janë ende të lidhur me Kanunin e Lekë Dukagjinit, koncepti i fytyrës është parë si një vlerë e rëndësishme morali, krenarie, mirëqenieje psikologjike e sociale.

Fytyra e UÇK-së

E keni parë fytyrën e veteranit sot? Keni ndonjë model të asaj fytyre? Kështu shkruan në Facebook Uran Shushka, ish-komandant i UÇK-së teksa ngushëllonte miqtë për vdekjen e ish-ushtarit të tij Osman Muçaj. Nuk është brilante si fytyra e Gjarprit, e Rambos apo e Çelikut. Fytyra e veteranit sot mund të jetë ajo e bujkut, e punëtorit të krahut, e mekanikut tërë vaj. Është fytyrë e rrahur nga koha, nga problemet. Fytyrë me shumë rrudha, gati si e çdo moshatari të tyre që jeton në Kosovë. Po rrudhat e veteranit janë pak ma të thella…

Pas fjalëve të tij u ndala të mendoja. Cila është fytyra e UÇK-së sot? A është fytyra e Hashim Thaçit? Ramush Haradinajt? Apo fytyra anonime e Osmanit?

A ka UÇK-ja një apo shumë fytyra? A është normale që ajo të identifikohet me disa komandantë sa herë është nevoja për të shitur patriotizëm, ndërkohë që e fshijmë sa herë bëhet fjalë për dështime, afera korruptive a krime të tyre? A kanë komandantët fytyra?

Kohët e fundit Hashim Thaçi po u bën vizita familjeve të veteranëve të UÇK-së. Kështu bën sa herë kërcënohet me ndonjë padi. Plot fytyra anonime u renditën në fotografi karshi tij këto ditë. U mundova të fiksoja ndonjë. E pamundur. Janë fytyra të pazëshme, fytyra që mundohen të qeshin përpara aparatit fotografik pak përpara se të mbulohen nga vezullimi i fytyrës së Thaçit. Së shpejti do t’i shpjerë në Hagë. Një nga një. A e dinë ata?

Ndoshta do të ishte e udhës që UÇK-ja të rimerrte fytyrën e saj të vërtetë, madje sa më shpejt, duke u çliruar nga komandantët uzurpues. Vetëm kështu ajo do ta ruante veten nga çdo lajthitje e luftës a e pasluftës e komandantëve prej mishi e gjaku, duke na ruajtur një vlerë të madhe kombëtare për të cilën kemi shumë nevojë.

Është koha që veterani të rimarrë nderin e krenarinë që i takon e mos të fshehë kryet sa herë flitet për veteranët e rremë, për krimet a manipulimet e disa të vërtetëve. Ndryshe nuk kemi çfarë shembulli t’i lëmë rinisë, si t’i tregojmë që sakrifica për atdhe është sakrifica më sublime e njeriut e cila nderohet në përjetësi?

Nuk është marre me e qajt shokun, marre është mos me ngre zërin ndaj atyre që e privatizuan luftën duke e shitur lirë sa herë u është dashur. Ndaj atyre prej të cilëve sot na vjen marre me thanë që kemi luftu. Nuk është marre me qajt kur të vdesë shoku e ty të vjen në mend fytyra e tij engjëllore në luftë. E ke pyetur veten: Çka ban një engjëll me një kallash nëpër male, o hej?! Duket paradoksale nga sot, por rrëfimi biblik thotë se vetëm engjëjt mund t’i luftojnë djajtë, e këtë e kam pa me sy, shkruan Uran Shushka, e fjalët e tij vijnë si kumt për gjithë veteranët e pazëshëm, atyre që shpesh ua kemi marrë fytyrën.

Njerëzit nuk mund të jetojnë pa fytyrë, ashtu sikurse pemët nuk mund të jetojnë pa lëvore, thotë proverbi i lashtë kinez që sot vjen shumë shqiptar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco