Gjysëm të vërtetat e John Bolton!

Gjysëm të vërtetat e John Bolton!

Nga Enver Bytyçi - 08/07/2020

Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Presidentit Amerikan, John Bolton, bëri një deklaratë, në të cilën tha një të vërtetë të njohur se Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç ia propozuan idenë e ndarjes së Kosovës. Kjo fjali shërbeu për median shqiptare si ushqim i mirë për të adresuar fajësinë e presidentit të Kosovës për bashkëpunimin e tij me presidenttin e Serbisë në dëm të vendit të tij, Kosovës. Ndodhi kjo jo se ky fakt nuk njihej. Hashim Thaçi e ka thënë me dhjetra e ndoshta qindra herë se "është i përkushtuar në zbatimin e idesë "së tij" për ndryshimin, korrigjimin, korregtimin e demarkimin e kufirit me Serbinë, si kusht për të zënë vend në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Deklarata e Bolton u përhap, sepse zoti Thaçi tani po përpiqet me çdo kusht ta fshehë faktin se ai ka punuar për llogari të Serbisë dhe Rusisë për ndarjen e Kosovës. Dhe sa më shumë të këmbngulë në këtë drejtim, aq më shumë do të merret media me mashtrimet e Hashim Thaçit. Megjithatë ambasadori Bolton nuk e thotë të gjithë të vërtetën. Madje përpiqet edhe ta manipulojë atë. Ai nuk shpjegon pse Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç gjetën si partner zotin Bolton për zbatimin e projektit të ndarjes së Kosovës.

Pse nuk u adresuan tek dikush tjetër, fjala vjen te Eliot Engel apo Jo Biden?! Sepse është tashmë e ditur se John Bolton ishte kundër pavarësisë së Kosovës dhe e kritikoi më 2008-ën "shpalljen e njëanshme të kësaj pavarësie"! Sepse zoti Bolton vazhdimisht e ka kontestuar shtetësinë e Kosovës, njësoj si Beogradi dhe Moska. Pikërisht kjo kimi e përbashkët e tij me Serbinë dhe Rusinë e bën të dyshimtë deklaratën që ai bën, kur thotë se "Zgjidhjen e konfliktit të Kosovës me Serbinë edhe përmes shkëmbimit të territoreve po e bënte për të penguar prezencën dhe ndikimin rus në Ballkan"! Kjo duket e pavërtetë, nëse kemi parasysh faktin se shkëmbimi i territoreve midis Kosovës e Serbisë do të shërbente si një precedent për shkëmbime tjera territoresh në Ballkan e më gjerë dhe do të çonte në krijimin e shteteve të pastra etnike e fetare. Pikërisht kjo formulë e përforcon prezencën rusë në rajon dhe jo e kundërta.

Prandaj unë besoj se zoti Bolton nuk është i sinqertë në deklaratën e tij. Njëkohësisht ai nuk është aq transparent edhe për faktin se nuk pranon që vetë ai ka qenë e është i një mendimi me presidentin Thaçi dhe presidentin Vuçiç. Marrëdhënia midis tyre nuk është kushtëzuar nga ndarja e opsioneve, por nga pozicioni i njëjtë për opsionin e ndarjes së Kosovës. Në shqip kjo thuhet me tri fjalë "Tenxherja gjen kapakun"! Ish-këshilltari amerikan e Sigurisë Kombëtare flet edhe për bashkëpunëtorë të tjerë në këtë projekt.

Por këta bashkëpunëtorë prej Tony Blair e Wolfgang Petrich e deri te Welandovski i përmend disa herë në pohimet e saj shefja e organizatës për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko. Zonja Biserko ka njoftuar që para dy vitesh se në vitin 2016 në Nish të Serbisë është biseduar dhe është rënë dakord midis Aleksandër Vuçiç dhe Edi Ramës për ndarjen e Kosovës përmes formulës së shkëmbimit të territoreve. Eshtë ajo vizitë, kur zoti Rama foli me superlativa për anti-shqiptarin Ivo Andriç dhe regjizorin e filmave të Milosheviçit, Kosturica. Pra kur kryeministri i Shqipërisë mori në mbrojtje autorët ideologjikë të dhunës serbe kundër shqiptarëve! Kjo do të thotë se Edi Rama ka biseduar për këtë çeshtje me zotin Bolton.

Atëherë pse kursehet kryeministri i Shqipërisë e nuk përfshihet në aferën anti-shqiptare të ndarjes së Kosovës?! Pikërisht kjo bën të dyshosh se zoti Bolton nuk është aq i sinqertë në deklarimet e tij. Sigurisht, askush nuk mund t'i imponojë atij çfarë të thotë ose jo, por gjysëm të vërtetat e në rastin e alibisë së rrezikut rus, shtrembërimi i së vërtetës, e bën zotin Bolton bashkëpunëtor të Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçic dhe Edi Ramës. Dhe për në fund, dua të veçoj se deklarimet e zotit Hoti shtojnë dyshimet edhe për të ardhmen. Në një deklaratë të para dy ditëve ai, njësoj si Thaçi, flet për marrëveshje për njohje më Serbinë, për ulëse në OKB, pranim në NATO e BE dhe i ikën kushteve që janë në tavolinë për këtë lloj marrëveshje. E di se të dyshosh gjithkund është jologjike. Por përmes dyshimit shkohet te e vërteta. Unë dyshoj se edhe zoti Hoti është i pasinqertë në ato që thotë për çeshtjen në fjalë. Njësoj si Thaçi, edhe ai po i fsheh qytetarëve të Kosovës disa të vërteta, të cilat askush nuk i di se si janë ato, ndonëse ka kritikuar presidentin e vendit të tij për mos-transparencë gjatë dialogut me Serbinë! Ka harruar të flasë për angazhimet që mori para akademikëve të Prishtinës në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco