I zoti dhe pronari i shtëpisë

I zoti dhe pronari i shtëpisë

Nga Ibrahim Berisha - 08/07/2020

Pas së paku dhjetë goditjeve në derë, i përgjumur u zgjua gjarpri dhe doli nga vrima e shtëpisë që ishte e vështirë për t’u vërejtur me sy njeriu. U ngrit edhe më shumë në gishta të këmbëve.

I tha Zekisë: Kushdo që kaloi këtej pari më kujtoi lindjen dhe ikjen tënde. Të kam pritur gjatë dhe pavarësisht nga ndryshimet që ke pësuar duke i takuar përfundimisht një bote më të panjohur, ti thua të qytetëruar, unë të pranojë në shtëpinë e vjetër, madje pa shenjën më të vogël të dyshimit. Atëherë mirë se vjen!

Gjarpri ishte po ai i moçmi, ngjante në gjatësi të lezetshme, por të dridhshme, i bukur që e veçonte nga gjithë kafshët e llojit të tij në shtëpitë e Kermes, dhe që në kontaktin e parë, Zekia nuk hetoi ndryshim të dashurisë ndaj tij. Ia zgjati dorën i pari dhe ai ia ktheu me vullnet të ngrohtë.

Të hyjmë brenda, i tha Gjarpri dhe tashti dera ishte kacavarur në bagllamë dhe brenda gjysmerrësira thahej pjesshëm nga dritaret e vogla.

Mos mendo se nuk të kam pasur në mendje dhe zemër dhe po të dua tani nuk mund të ta shpreh, filloi Zekia. Kam pasur shumë pyetje që ia kam shtruar vetes në këto vite sa isha larg shtëpisë, por përgjigjet nuk kam ditur t’i them. Tashti unë jam shumë i lumtur se ti më ke respektuar kaq vite duke ndenjur këtu i vetëm, dhe unë si zot shtëpie, përulshëm të falënderoj shumë. Të kam sjellur një dhuratë që e di se e ke merituar që nga çasti i shtrëngimit të duarve.

Ia dha kutinë e artë me orën e zinxhirit që shkëlqeu në dhomë. Të gjithë gjarpërinjtë e shtëpive mbajnë orë të shtrenjta dhe të bukura, të dhuruara nga prindërit e tyre. Gjarpri kishte vënë në zjarr kafenë dhe dëgjonte duke ndjekur fjalët e Zekisë me vetëpërmbajtje të jashtëzakonshme. Zjarri bëri edhe dritë të ngrohtë nga oxhaku, i cili përmes vrimës, harkut, bënte të fluturonin hijet e nxehta të flokëve të drunjve.

Unë kam orën time, të falënderoj. Kjo orë që ke sjellur është e nevojshme për njerëzit, tha Gjarpri. Ligjet njerëzore i rregullojnë të gjitha. Ty të përket shtëpia, ti je pronar i ligjshëm i saj. Aspak nuk e vë në dyshim këtë të drejtë. Por, ndërsa ju jeni pronar i përhershëm dhe i ligjshëm, unë jam zot i kësaj shtëpie.

I rikthyeri nuk kishte menduar kurrë në kujtimet e tij ngjarje kaq të papritura. Mori një thupër dhe filloi të ngacmojë hirin e paktë të zjarrit. Qëndronte oxhakut kundruall, ndërkohë që Gjarpri i Shtëpisë pa u kursyer përgatiste darkën. Nuk u merakos se pronari ishte i tëri dremitje pikëlluese nga fjalët që dëgjoi dhe që nuk i kishte menduar kaq vite.

Të porsaardhurit ikja ia kishte mundur gjykimin e arsyeshëm, ndoshta edhe faji ishte vetëm brenda tij, prandaj nuk gjente kurrsesi arsyetim jo veç për veten e tij, por as për Gjarprin e Shtëpisë. Mendoi pasi të hanin darkë sërish do të hapnin bisedën ndërsa të rrinin në gjunjë duke shikuar zjarrin me ëndrrat se çfarë do të bënin në të ardhmen.

E di çfarë ti mendon, tha Gjarpri. Thua se ne do të merremi vesh pasi të hamë darkën. Gabon, sikur gjithë njerëzit, të cilët nuk duan të ballafaqohen me atë që kanë përpara, me atë që vetë e kanë krijuar dhe pastaj nuk e pranojnë si rezultat të tyre.

I frikësuar nga fjalët e fundit, Zekia deshi të gjejë një drejtim faljeje me fjalë që i qëndronin në gjendje të palëvizshme.

Ty të kam të vetmin në këtë botë, tha ai.

E di, përgjigji Gjarpri. Prandaj ti nuk gjen arsyetimet e duhura sonte.

Do të jetë shumë vështirë të mbërrijmë në fund, mendoi Zekia, ndërsa lante duart përpara darkës së shtruar, tek po e prisnin lugët, thikat dhe pjatat e pastra. Ishte një darkë shumë e mirë, me mishra e ëmbëlsira, sa kish harruar se mund të gjente përsëri sofrën e moçme me kaq begati. Gjatë gjithë ngrënies gugiten pëllumbat në tavan. Pëllumbat me zërat e tyre e shqetësonin sa Gjarpri duke ndjerë këtë dhe pa i treguar fare atij, doli për një çast, trembi shpezët dhe paqja mbretëroi edhe në dhomë e mysafirëve.

Dua të hap edhe një herë bisedën, nëse e kishe me gjithë mend.

Orë e Shtëpisë, filloi me dhënien e kuptimit të veçantë fjalëve që i radhiste vështirë Zekia. Do të kisha parapëlqyer të merremi vesh, ne jemi krejt dy dhe nuk duhet te dëshpërojmë njëri-tjetrin.

Të kuptoj, tha Gjarpri. Ne jemi këtu vetëm dy veta. Mund, të dy të jemi të kënaqur, nëse ti heq dorë nga ambicia e sëmurë njerëzore. Do të më thuash: Durimi i gjatë apo padurimi i çastit të ka sjellur këtu?

Po, tha Zekia. Por tani pak nga pak po ndihem i zhgënjyer. Ti je i lumtur, dukesh i qeshur, pashë se ngrëne pa ndonjë ves, ndërsa unë jam i pikëlluar nga gjithë ato të mira që ishin në sofër e nuk m’u dha të ngopesha. Ne nuk jemi të barabartë tani.

Ju njerëzit gjithmonë proklamoni barazinë dhe më këtë mjaftoheni. Në thelb e keqkuptoni, tha duke shikuar dhimbshëm Zekinë.

Gjarpri doli jashtë dhe me ato lëvizje që doli edhe ktheu brenda. Ishte lëvizja e Orës së Shtëpisë, ajo që ngrihej gjithmonë, kur nata binte dhe nuk dukej fije drite kund, edhe po të afroje gishtin në sy kot, atë e ndjeje vetëm kur përftonte. Kjo ishte vuajtje origjinale për të mirën e shërbimin njerëzve që bënte lloji i gjarpërinjve të shtëpisë në gjithë këto fshatra të Rrafshit të Kosovës që dikur ishin plotë dhe edhe këto kafshë kishin mundësinë të ndjeheshin më të gëzuara dhe më të lumtura. I ndiznin ëndrrat pas gjumi dhe kërkonin rrugëdalje në çastet më të vështira, por gjithnjë duke arsyetuar dhe vepruar qetësisht për të mirën e shtëpive. Shpesh, shtëpitë nuk meritonin sakrificën e tyre, ata e dinin këtë mirë, por pikërisht të lidhur për këtë që bënin, roje besnike, ata nuk donin, por as nuk kishin të drejtë, pavarësisht guximit, të ndryshojnë historinë.

I hodhi cigare Zekisë që ishte zbrazur brenda vetës, e tha: Ju njerëzit na sillni në mendje në orët, netët e ditët më të vështira. Për këtë edhe jemi krijuar ne gjarpërinjtë e shtëpive. Nuk ankohemi përse është ndonjë detyrë e vështirë. Detyrën që na është caktuar, nuk mund të mos e respektojmë.

Ashtu, ndërhyri Zekia.

Gjarpri duke ditur çfarë do të thoshte ai, ndryshoi pozitën në dhomë. Këmbët i zgjati përpara. Zekia vazhdoi: Edhe ne njerëzit ju kemi dashur shumë, ju kemi respektuar sa aromën tuaj e kemi pasur si një frymë të shpirtit tonë. Kjo nuk ka mjaftuar, apo jo?

Pikërisht, jo, tha Gjarpri. Thikat, shpatat, pushkët, bombat që ju i keni krijuar kundër vetvetes, na kanë dëmtuar shpesh edhe ne, që nuk kishim lidhje me armët vdekjeprurëse. Një bombë e hedhur në shtëpi, e di çfarë dhimbje dhe tragjedi na shkakton ne gjarpërinjve. Ju ikni ndërsa ne mbetemi pse nuk na lejohet të largohemi kur jemi zot të vetëm të shtëpisë. Ju pronarët edhe një plumb qifteje po ta hedhë paqëllimshëm ndonjë gjuetar, duke provuar të godasë rosakë të egër, frikësoheni

dhe të tmerruar fajësoni gjithë të tjerët. Ne mbetemi se jemi zot shtëpie, ndërsa ju ikni se jeni pronarët.

Zekia nuk kishte çfarë të fshihte tjetër.

Ishte në një natë të vonë që jashtë mund të mbushte borë gjithë rrugët dhe malet, të mbyllte shtigjet, duhej të pajtohej të duronte, por i zemëruar me vendosmërinë njerëzore, shpërtheu: Unë jam Zot Shtëpie, këtë besoj nuk e ke harruar plotësisht qoftë edhe nga vitet që kanë kaluar dhe mungesa ime të ketë mundur inteligjencën tënde. Shtëpia ka një zot dhe ai është pronari i saj.

Gjarpri u ngrit dhe duke shikuar nga natyra e trazuar njerëzore, iu qas pronarit: Ti përpara se të ngritesh në këmbë, si njeri, je i detyruar të përkulesh. Të duhet forca se ndryshe nuk mbërrin të ngresh kokën. Ti ke dobi nga ky mund që je i detyruar t’i bësh vetes sate. Por, unë e them, se ti njeri që je pronar, dhe jo zot i shtëpisë, mund të shkosh ngado, të ndërrosh pronat, të shkatërrosh ato, t’i harrosh në fund të fundit dhe po të ishte se ndryshon Zoti i Shtëpisë, në botën tuaj njerëzore do të shkatërrohej dhe përzihej si mos ma keq çdo gjë. Kaosi do të ishte një mbret i pakontestueshëm në përkatësinë dhe jetën tuaj. Jemi ne, që vemë dhe ruajmë rregullin. Zotëritë e shtëpive janë një, ata mbesin të tillë, dhe nuk është fare e rëndësishme se cili është pronari. Çdo njeri mund të jetë pronar i çdo shtëpie. Një njeri mund të sundojë prona të pakufishme. Ti ke shumë prona, qan e s’qan kokën për to. Unë jam këtu zot shtëpie. Pajtohesh?

Nuk pajtohem, tha preras Zekia. Te heq dorë nga prona ime. Kurrsesi. Kam gjithë letrat e duhura. Unë jam njeri dhe vetëm njerëzit mund të jenë zot shtëpie.

I mjeri ti, tha Gjarpri. Po të lë derën hapur të shohësh sa shumë borë po bie në tokën e vet.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco