Edhe serbët u dhanë vezirë e qeveritarë Perandorisë Osmane

Edhe serbët u dhanë vezirë e qeveritarë Perandorisë Osmane

Nga Gani Mehmetaj - 08/07/2020

Disa dhjetëra vjet më vonë, ushtria serbe me ndihmën e bandave kriminale-çetnikëve, nisi pastrimin etnik të Sanxhakut të Nishit, duke vrarë, apo shpërngulur të gjithë shqiptarët myslimanë (muhaxhirët). 

Në këtë territor shqiptar, mbeti vetëm një koloni jo e madhe ortodokse, me mbiemrat e tyre apo me emërtimet e katundeve Arbanas, Arnaut etj. , ndërsa përndiqeshin, sepse e flisnin gjuhën e vet. Brezi i ri nisi të fliste sllavisht, një sllavishte të zvetënuar, e cila edhe sot e kësaj dite dallon dukshëm nga sllavishtja serbe që ndërtohet mbi një sintaksë tjetër (sa do të dilte interesante po të bëheshin reportazhe nga televizioni me banorët e Nishit të sotëm, të cilët dikur flisnin shqip, ashtu sikurse në Ohër, në të njëjtën periudhë kohore. 

Sa do të kontribuonin historianët po të nisnin ndriçimin e kësaj periudhe dhe anketimet me banorët e sotëm të kësaj hapësire). Shumë banorë të territorit të Nishit e vinin në pah se janë ortodoksë, madje edhe në fund të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, por asnjëherë nuk e thoshin se janë serbë, disa u shmangeshin përgjigjeve se cilit komb i takonin, sepse druanin, kurse të tjerët flisnin në mënyrë të papërcaktuar. 

Pjesa dërmuese e popullatës fshatare në territore të tëra të Serbisë deklarohen ortodoksë, por e shpërfillin përkatësinë kombëtare. Është çështje e mungesës së vetëdijes kombëtare? Ose nxirrte krye një përkatësi tjetër kombëtare e ndrydhur? 
Asnjëherë nuk është studiuar ky fenomen në kohën e ish-Jugosllavisë. Kjo ishte edhe më e theksuar ndër “serbët” e Kosovës.
Sllavishtja me sintaksë shqipe flitet edhe sot e kësaj dite nga ortodoksët e Kosovës, një e folme me të cilën në Beograd tallen, duke i quajtur “shqiptarë” “bashkëkombësit” e tyre nga Kosova. 

Shqiptarët e fundit ortodoksë vendës, ishin në rrethin e Pejës, Deçanit, Istogut, Vitisë e Gjilanit. Ata mbiemrave shqiptarë, ua shtuan mbaresat “iq”, apo “viç”, ashtu sikurse i patën edhe shqiptarët myslimanë e katolikë në kohën e terrorit serb. Shala, Gashi, Berisha, Lajçi, Dashi, Palbardhi, Kastrati, Pjetri etj. me mbaresat sllave ishin mbiemrat tipikë jo vetëm në Rrafshin e Dukagjinit, por edhe në Serbi e Mal të Zi. Pjesë të popullatës ortodokse të sllavizuar ka ende në katundet e Dukagjinit (Pejë: Sigë, Brestovik, Bjellopojë etj. apo të Komunës së Istogut: Zhakovë, në disa katunde të Drenicës etj ).

Asnjëri prej tyre nuk e mohonte në vitet e shtatëdhjetë të shekullit të kaluar se të parët e tij flisnin shqip një ose dy breza para tyre, d.m.th. flisnin shqip deri në vitet njëzet të shekullit të kaluar.

Nuk kanë kaluar më shumë se 100 vjet nga periudha e shkombëtarizimit të shqiptarëve ortodoksë në Kosovë, apo 150 vjet nga koha tragjike e shuarjes së bashkëkombësve tanë në Serbinë e sotme dhe ne nuk e kemi asnjë dokument të publikuar për tragjedinë e tyre, as për proceset e asimilimit. Nuk kemi bërë asnjë përpjekje të ndriçojmë këtë periudhë, ndërsa është çelësi i kapërcimeve të mëdha.
Kujtesën e kemi aq të shkurtër, sa as emërtimet e shumicës së katundeve, lumenjve e rretheve në Kosovë, Maqedoni e në territoret etnike nuk i mbajmë në mend si ishin në gjuhën shqipe, para vitit 1923-25, kur i sllavizoi gjeografi i shtetit serb, Jovan Cvijiq. Shumicën e katundeve i quajmë edhe sot sipas gjeografit shkombëtarizues.

Me ndihmën e shqiptarëve kundër shqiptarëve: Për zemërplasje procesi i pavarësimit të Greqisë, ashtu sikurse pavarësimi i Serbisë kalonte nëpër të njëjtën fazë: kryengritjen e udhëhiqnin kapedanët e prijësit arvanitas-shqiptarë, shtetin e gëzuan grekët dhe të greqizuarit. Ndërkaq, grekët në emër të Zotit, i detyruan ortodoksët shqiptarë të mos flisnin shqip, ndërsa Serbia e Greqia i pavarësuan shtetet e veta me ndihmën e shqiptarëve, duke i persekutuar pastaj shqiptarët e të dy feve.

Në territore tjera etnike ku mbizotëruan shqiptarët, nisi sërish përndjekja e predikimit të fjalës shqipe, herë nga kisha greke, herë nga kisha serbe apo nga Turqia. Territore të tëra ose u spastruan, ose popullata u detyrua të bjerrte gjuhën e traditën. 

Shqiptarët ortodoksë në Perandorinë Osmane në Veri quheshin “shki”, në jug “grekë”, shqiptarët myslimanë, emërtoheshin “turq”, ndërsa shqiptarët katolikë “latinë”. Kombeve të tjera nën sundimin e Perandorisë Osmane, Stambolli ua lejonte të quheshin sipas kombeve që u përkisnin, u lejohej gjuha e predikimi fetar. Shkollat shqipe ishin rreptësisht të ndaluara, shkollat serbe e greke lejoheshin, madje stimuloheshin në territoret shqiptare.

Këto goditje fatale Perandoria Osmane i bëri, sepse shqiptarët treguam shenja dobësie, sepse pranuan konvertimin, megjithëse bënë luftë kundër pushtuesve si asnjë komb tjetër. Fillimi i konvertimi të shqiptarëve në myslimanë, pas terrorit të egër, ua shtoi oreksin turqve, ua nxiti fantazinë e shpresën se do t’i përdornin në shkallë të gjerë kundër popujve të tjerë dhe se me ndihmën e tyre do t’i ruanin zotërimet e interesat në Ballkan. 

Edhe serbët u dhanë vezirë e qeveritarë Perandorisë Osmane, madje më shumë sesa shqiptarët, mirëpo në çastin vendimtar ua kthyen shqelmat pushtuesve, natyrisht me ndihmën e Rusisë, duke u shkëputur nga ndikimi fatal turk. Shqiptarët u vonuan. 
Prandaj Stambolli e ndaloi shqipen, e persekutoi alfabetin, predikimin, duke ndaluar çdo shprehje të veçantive kombëtare, me shpresën se do të na shkombëtarizonin, përkatësisht se do të na turqizonin, ashtu sikurse bënë me miliona shqiptarë myslimanë, madje edhe me shqiptarë katolikë të rretheve të Vitisë e Gjilanit.

Nga libri “A di Zoti shqip”.

Patrikana e Pejës para se të bojatisej.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco