Lojëra të rrezikshme verore dhe ndoshta një shans për respiratorë

Lojëra të rrezikshme verore dhe ndoshta një shans për respiratorë

Nga Enver Robelli - 07/07/2020

Vala e dytë e pandemisë mund të bëjë kërdi në viset shqiptare. Kjo i ka shtyrë disa shtete perëndimore që të vendosin masën e karantinës 10-ditore për ata që kthehen nga Kosova apo Maqedonia e Veriut. Disa mërgimtarë me shumë ide dhe pak mend po diskutojnë në media sociale si të shmanget kjo masë, për shembull duke u futur me letërnjoftim nga Shqipëria në Kosovë. Por ekipi shkencor i qeverisë së Zvicrës ka propozuar që edhe Shqipëria të futet në listën e shteteve të rrezikuara nga Covid-19. Sivjet më së shumti Kosovës i ndihmohet duke mos i kaluar pushimet në Kosovë. Dhe mund t’i ndihmohet duke bashkëpunuar me Zvicrën, e cila ka tepricë respiratorësh. Këtu duhet të jetë aktive Qeveria e Kosovës. Do të duhej.

1.

Mediat zvicerane kanë njoftuar se si në grupe të Facebookut disa shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut po diskutojnë si të shmanget karantina 10-ditore pas kthimit në Zvicër. Një propozim është ky: shko në Shqipëri dhe futu në Kosovë (apo Maqedoninë e Veriut) me letërnjoftim, pastaj kthehu përmes Shqipërisë në Zvicër. Njëherë në javë një kompani ajrore e lidh Zürichun me Tiranën. Ka edhe ide të tjera: aterro në ndonjë qytet gjerman afër Zvicrës dhe futu në Zvicër përmes rrugës tokësore. Të gjitha këto nuk janë ide të mira. Madje janë lojëra të rrezikshme verore.

Është e kuptueshme dëshira e mërgimtarëve për të vizituar atdheun, por kjo nuk duhet të bëhet duke shkelur masat kufizuese të miratuara nga qeveria e Zvicrës. Ndokush mund të mendojë se autoritetet mashtrohen lehtë, siç ka bërë vaki edhe në të kaluarën: njerëz me probleme të vogla shëndetësore kanë arritur të marrin pensione të mira invalidore ose të marrin me vite ndihma sociale dhe njëkohësisht të punojnë ilegalisht.

Kush nuk respekton rregullat e karantinës në Zvicër rrezikon gjobë deri në 10 mijë franga. Në fillim të karantinës secili person është i obliguar që brenda dy ditësh të njoftojë autoritetet e kantonit në të cilin banon mbi kthimin (ardhjen) në Zvicër dhe pastaj duhet të ndjekë udhëzimet e autoriteteve, të cilat janë përgjegjëse për masën e karantinës. Askush nuk duhet ta nënçmojë vendosmërinë e autoriteteve për të ndjekur dhe gjobitur shkelësit e rregullave. Lista e shteteve të rrezikuara nga infektimet në rritje pritet të aktualizohet varësisht nga zhvillimet. Ekipi shkencor i qeverisë së Zvicrës ka propozuar që edhe Shqipëria të futet në listën e shteteve të rrezikuara nga Covid-19. Kjo mund të ndodhë më shpejt se ç’pritet, aq më tepër që diskutimet në media sociale se si mund të mashtrohen autoritetet zvicerane dhe raportimet e mediave mund të nxisin përgjegjësit për veprime të shpejta.

2.

Në muajt e fundit, Zvicra ka blerë 300 milionë maska mbrojtëse dhe 900 respiratorë. Edhe 300 respiratorë pritet të arrijnë në gusht. Tani është konstatuar se kantoneve nuk u duhen aq shumë respiratorë. Qeveria qendrore ka thënë se nuk është në gjendje t’i magazinojë dhe mirëmbajë respiratorët, andaj shtabi i krizës u ka propozuar kantoneve që t’i mbajnë respiratorët, t’ua shesin shteteve të treta apo t’i dhurojnë. Vendimi nuk është marrë ende se çka do të bëhet me respiratorët e tepërt.

Nuk ka shtet në Evropë me të cilin Kosova ka lidhje më të ngushta njerëzore se me Zvicrën. Luftimi i pandemisë në Kosovë është në interes të Zvicrës edhe për shkak të vizitave të shumta të njerëzve në të dy vendet. Teprica e respiratorëve në Zvicër do të duhej të nxiste autoritetet në Prishtinë të kontaktojnë palën zvicerane – ndoshta në Zvicër mund të blihen respiratorë me çmim të volitshëm. Por, për punë të tilla Kosova duhet të ketë institucione të besueshme e profesioniste dhe pushtetarë me autoritet që gëzojnë respektin e shteteve perëndimore.

3.

Një lajm i mirë: në mesin e vendeve industriale Zvicra po e merr veten më së shpejti nga kriza e koronës. Kjo domethënë: sa më pak krizë ekonomike në këtë vend, aq më të mëdha gjasat që diaspora të mos e ndalë dërgimin e parave në Kosovë. Dërgimi i parave është injeksion i rëndësishëm financiar për mbijetesën e Kosovës, në kohë krize edhe më shumë.

Një analizë e bankës private nga Gjeneva, Lombard Odier, ka treguar se javën që shkoi aktivitetet ekonomike në Zvicër kanë arritur në 93 për qind të nivelit mesatar të tre vjetëve të fundit. Banka ka analizuar të dhënat nga shtatë kategori: importe, eksporte, mobilitet, tregti, harxhim të artikujve ushqimorë, prani në vendin e punës dhe ndotje të ajrit në prodhimtari. Me ecjen e furishme drejt normalizimit ekonomik Zvicra i ka tejkaluar vendet prijëse në Azi, Kinën dhe Korenë e Jugut. Në qershor, për shembull, në Zvicër janë shitur 24’500 vetura të reja. Për herë të parë në këtë vit është tejkaluar shifra prej 20 mijë veturave të reja të shitura.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco