Kosova me jostabilitet të shumëfishtë

Kosova me jostabilitet të shumëfishtë

Nga Agustin Palokaj - 06/07/2020

Në kohën kur njerëzit vdesin nga pasojat e koronavirusit, kur gjysma e të testuarve dalin të infektuar dhe s’ka kapacitete për testime masive, kur kapacitetet në spitale janë para kolapsit, është jo vetëm papërgjegjësi, por edhe idiotizëm që temë kryesore të jetë kush do të shkojë në takim me presidentin e Serbisë, Vuçiq, në Washington apo Paris. Jostabile është edhe qeveria, edhe politika, edhe shëndetësia, edhe ekonomia. Dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht, por këto jostabilitete janë krijuar nga vetë liderët politikë

Para disa muajsh Kosova mburrej me numrin e vogël të të infektuarve dhe merrte edhe lëvdata nga jashtë për mënyrën se si po përballej me sfidën e parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Në të njëjtën kohë në Belgjikë numëroheshin jo vetëm të infektuarit, por edhe të vdekurit.

Belgjika ishte dhe për momentin mbetet shteti me pasojat më të rënda në botë nga kjo pandemi për jetën e njerëzve nëse krahasohet me numrin e banorëve. Në një shtet prej 11 milionë banorësh deri më tash kanë vdekur më shumë se 9600 persona.

Por tash situata është krejt ndryshe. Belgjika shënon rreth 80 raste të infektimeve të reja në ditë, dhe në atë nga më shumë se 15000 teste. Kosova shënon mbi 100 raste në shumë-shumë pak teste. Diku rreth gjysma e të testuarve në Kosovë dalin pozitivë. Krejt çfarë ishte bërë mirë në Kosovë tash është kthyer mbrapsht. Derisa në Evropë vazhdon të bjerë numri i të infektuarve, në Kosovë shtohet. Nuk është kurrfarë argumenti se edhe në shtetet fqinje situata nuk është më e mirë se Kosova.

Përderisa në fillim të pandemisë do të ishte e kuptueshme që të mos ketë kapacitete për testime, apo kapacitete për trajtime në spital, kjo nuk falet tash, pesë muaj prej kur ka nisur përhapja e këtij virusi. Është e pafalshme që në Kosovë të mos ketë testime masive, që qartë është parë si një prej hapave të domosdoshëm për të frenuar shpejtësinë e përhapjes së virusit.

Por sikur nuk është dashur të politizohej përballja me pandeminë në kohën kur në pushtet ishte Lëvizja Vetëvendosje, nuk do të duhej të politizohej as tash. Ishte joserioze, papërgjegjësi dhe gabim i rëndë, i pafalshëm, rrëzimi i Qeverisë në kohën e pandemisë, dhe për këtë Isa Mustafa do të mbetet në histori, pa marrë parasysh arsyet. Por tash nuk ndihmon që dikush t’i gëzohet tragjedisë për inat të kundërshtarëve politikë. Mospolitizimi i një situate të rëndë do të ishte i vetëkuptueshëm në një vend ku sundon ndjenja e përgjegjësisë, por të kërkosh një përgjegjësi të tillë nga politikanët e Kosovës është joreale.

Edhe në ditët kur ka pasur numër të madh të të infektuarve, dhe, për fat të keq, edhe numër të madh të të vdekurve, temë kryesore ka qenë a do të zgjerohet Qeveria me PDK-në apo jo, kush do të shkojë në Washington apo në Paris për t’u takuar me presidentin e Serbisë, Vuçiq, kush do të bëhet president i Kosovës nëse presidenti i tashëm Hashim Thaçi jep dorëheqje.

Në kohën kur njerëzit vdesin nga pasojat e koronavirusit, kur gjysma e të testuarve dalin të infektuar dhe s’ka kapacitete për testime masive, kur kapacitetet në spitale janë para kolapsit, është jo vetëm papërgjegjësi, por edhe idiotizëm që temë kryesore të jetë kush do të shkojë në takim me presidentin e Serbisë, Vuçiq, në Washington apo Paris. Jostabile është edhe Qeveria, edhe politika, edhe shëndetësia, edhe ekonomia. Dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht, por këto jostabilitete janë krijuar nga vetë liderët politikë.

Nuk mund të jetë stabile Qeveria të cilën e ka krijuar presidenti Hashim Taçi, nëse vetë Thaçi nuk ka një pozicion stabil personal. Në Qeveri ka ministra të cilët janë të aftë për punën e tyre. I tillë mund të jetë për nga përgatitjet profesionale edhe kryeministri. Por ata janë aty për t’iu shërbyer presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa. Ky i fundit me të drejtë e ka kuptuar se Kosova është futur në një situatë ku nuk mund të garantohet stabiliteti.

Roli i tij në futjen e Kosovës në një situatë të tillë është shumë i madh, sepse ai në këtë moment është politikani më i fuqishëm në Kosovë pas publikimit të lajmit për propozim-aktakuzën ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Por sado i fuqishëm të jetë ai dhe LDK-ja, kanë frikë që të mbajnë në supet e tyre përgjegjësinë për veprimet që e presin Kosovën në këtë kohë. E ato nuk janë kurrsesi të lehta. Përballja me pasojat gjithnjë e më të rënda të pandemisë, ndoshta së shpejti nevoja për arrestim dhe dërgim në Hagë të disa ish-liderëve të UÇK-së, përballja me pasojat e rënda ekonomike, presioni që të përfshihen në dialog me Serbinë, sipas të gjitha gjasave pa Hashim Thaçin, të cilin gjithnjë e më pak po e përmendin si interlokutor si në Washignton ashtu edhe në Bruksel, ku thonë se kontaktet me të do t’i mbajnë “të reduktuara në maksimum”.

Po ashtu, Qeverinë e pret edhe sfida e vërtetë e ruajtjes së “miqësisë” me aleatët. Ani pse tentuan ta fajësojnë Vetëvendosjen për kinse “prishje të miqësisë me aleatët”, tash kjo miqësi po vihet në testim më të madh vërtet pas propozim-aktakuzave të Gjykatës Speciale dhe refuzimit të presidentit Thaçi që të nënshkruajë shkëmbimin e letrave për vazhdimin e mandatit të EULEX-it. Mbështetja e parezervë amerikane dhe e BE-së ndaj Gjykatës Speciale dhe ndaj mandatit të EULEX-it është test më i madh për Kosovën që të ruajë miqësinë me aleatët sesa ndonjë përgjigje që ish-kryeministri Kurti i ka dhënë ambasadorit amerikan Grenell. Tash jemi në një situatë jostabile, ku LDK, e cila “u sakrifikua duke marrë përgjegjësinë për të udhëhequr Qeverinë e Kosovës”, ka frikë të përballet vetë me sfidat dhe kërkon që të gjitha partitë që konsiderohen si “krahu i luftës” të jenë në koalicion qeverisës.

Hyrja e PDK-së në këtë qeveri ishte e kuptueshme edhe kur kjo qeveri u krijua. Ishte një sjellje jo edhe aq bindëse e PDK-së kur ajo tentoi të bëhej kinse është në opozitë. Kritikat kryesore që ia drejtuan LDK-së ishin pse ka qenë më pak se dy muaj në koalicion me Vetëvendosjen. I tërë ky aktrim kinse PDK është opozitë e LDK-së ka qenë për shkak se të dyja partitë e dinë se elektorati i tyre nuk e mirëpret një lidhje të tillë.

Nuk do të jetë lehtë për Kosovën të dalë nga ky jostabilitet. Sepse jostabile do të jetë edhe PDK-ja nëse dy njerëzit e saj kryesorë, presidenti aktual i vendit, Hashim Thaçi, dhe lideri i partisë, Kadri Veseli, do të kenë aktakuza të konfirmuara. Në atë rast do të duhej stabilizuar edhe PDK-në si parti.

Në gjithë këtë jostabilitet në të cilin e kanë futur Kosovën liderët e saj politikë, një rrethanë rënduese është edhe mungesa e vullnetit dhe e energjisë së atyre që janë konsideruar si “miq të Kosovës” që të përfshihen në tejkalimin e krizave. Në disa do të ndihmojnë, por askush nuk do t’i ndihmojë Kosovës për t’u përballur me problemet që i krijon vetë. Sepse edhe miqtë i kanë problemet e veta. Edhe ata kanë zgjedhje, edhe ata përballen me pandeminë, edhe ata kanë pasoja për ekonominë e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco