Bolton, si i penduari i parë i pazarit kriminal për ndarjen e Kosovës - Nga Red Varaku

Bolton, si i penduari i parë i pazarit kriminal për ndarjen e Kosovës - Nga Red Varaku

Nga Red Varaku - 05/07/2020

Deklarata e Bolton i dha fund çdo aludimi në lidhje me çështjen e ndarjes së territoreve. Më në fund është e qartë që Hashim Thaçi ka rënë dakort për një marrëveshje me Serbinë, nëpërmjet një projekti për shkëmbim territoresh, aktorët e të cilës po zbulohen njëri pas tjetrit.

Nuk është sekret të thuhet që ky projekt është hartuar në zyrat e fondacionit Soros në Beograd, ashtu siç nuk është sekret të thuhet që Hashim Thaçi, ishte detyruar ta miratonte këtë projekt i kërcënuar nga një dosje për krime lufte.

Ndërkohë, nuk ka prova të qarta në lidhje me rolin i kryeministrit shqiptar në ngjizjen e këtij projekti, përveç miqësisë së tij “të pashpjegueshme” me Aleksandër Vuçiç dhe varësisë së të dyve nga Alex Soros, i cili i ka vizituar tre protagonistët kryesor të këtij projekti rregullisht gjatë kësaj kohe.

Por, që ky projekt ka pasur bekimin e Edi Ramës, kjo tashmë është e sigurtë, sepse pa miratimin dhe pa mbështetjen e tij, realizimi i tij do të ishte e pamundur. Ashtu siç është e sigurtë, që ky projekt ishte një mundësi e artë riciklimi si për Thaçin ashtu dhe për Ramën, siç është e sigurtë që është sot varri politik i të dyve.

Gjithashtu, deklarata e Bolton qartësoi që projekti për ndarjen e territoreve nuk është as projekt Europian dhe as projekt Amerikan, por është thjesht një dakortësi midis dy ish-armiqve, atij serb dhe atij kosovar, kumbarët e të cilës ne i njohim të gjithë. Ata më së paku tentojnë destabilizimin e Ballkanit, sepse qëllimi i tyre është defaktorizimi i shqiptarëve në rajon dhe rifaktorizimi i Beogradit.

I pari ishte Grennell, i cili u distancua menjëherë nga projekti i ndarjes së territoreve dhe akuzoi Bolton se kishte punuar në dëm të interesave të SHBA dhe kishte pasur një projekt të për ndarjen e Kosovës.

Tani është Bolton, i cili e ka të qartë se çfarë do të thotë ky akt. Ai kërkon të shfajësohet nga pjesëmarrja në këtë projekt, sepse ky projekt nuk është thjesht në dëm të interesave amerikane, por është një tradhti e pastër ndaj Amerikës, sepse tenton të shkatërrojë investimin më të madh Amerikan dhe të faktorizojë Rusinë në rajon, armikun historik të SHBA-ve.

Fakti që ky projekt u abortua me dhunë, dëshmon që ka shqetësuar jo pak njerëz të cilët pritet të sqarojnë pozicionin e tyre. Ndaj, gjërat sa vijnë e do të bëhen më të qarta dhe të gjithë do të japin llogari shumë shpejt.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco