Pas 30 vjetësh të atij 2 korriku...

Pas 30 vjetësh të atij 2 korriku...

Nga Agim Xhafka - 02/07/2020

Ikën 30 vjet qysh atëherë kur popullata kapërceu kangjellat e ambasadave dhe u strehua në territor lirie. Nuk hyri për bukë dhe rroba. Mori rrezikun në sy për një gjë hyjnore. Të jetonim si njerëz. Mos na çonin me borije të dielave për të na nisur në aksione, mos na vrisnin se mendonim ndryshe, mos spiunonim motrën, vëllain a babain. Mos e gdhinim te dyqani i bulmetit për një shishe qumësht. Mos na ndalonin të ecnim nëpër glob si krijesa të Zotit.

Ditët e atij korriku ishin të nxehtë nga moti e nga vullkani i zemrave të shqiptarëve. U ngucëm me mijëra në ato pak oborre dhe nuk u dëshpëruam. Lamë në shtëpitë e varfra prindërit e mjerë, po dinim se do i ritakonim. Po nisnim të shihnim ëndrra reale. Ëndrra me respekt, me solidaritet, me shpresë, me programe, me synime.
Iku 2 korriku e solli plot korrikë. Aq shumë sa djemtë dhe vajzat e ambasadave u bënë gjyshër, u bënë qytetarë të Evropës. Punuan me ngulm në çdo sektor dhe ia dolën. Arsimuan fëmijët, u pasuruan për vete, liritë që fituan i vunë në zemër si gjerdan. 

Veç atdheu ngeci ai që ishte. I varfër, i zbehtë, i ashpër, i egër. Me qeveri që e vodhi qeverisjen. Simbol të këtij palo shteti kam mbërritjen në Rinas. Kur avioni prek tokën time dhe zemra shton tik-takun, atëherë sa ngrihem e marr çantën nuk dal dot te dera. Të ndjej ajrin e atdheut, ajrin e mushkërive të jetës sime. Stjuardesa më ndal. Më tregon se ka disa personalitete në avion. Ata do zbresin të parët, qesh ajo. E kështu rrimë në këmbë e presim sa zbresin shkallët ata që na zbuan nga ky vend. Zbret direkt në qilim të kuq Gramoz Ruçi. Ai që na mallkoi 30 vite më parë. E shoh që hipën në Range Rover të ri akull. Paska bërë hapa para dhe ky. Nga BÇ kineze te makinë angleze.

Na vjen radha të zbresim dhe ne që ikëm nga murtaja komuniste. Çapitemi me pyetjen, mos bëjmë gabim që vijmë? Ky vend do shpëtojë ndonjë mot nga komunizmi, nga poshtërimi, diktatura, vjedhja, shtypja dhe injoranca?

Sa marr vulën në pasaportë, më hipën dëshira të rikthehem në Evropë. E të rivij vetëm kur Shqipëria të mos ketë më Gramozër në krye të vendit. Sa vjet do duhen? Sa?

Tani s’ka as ambasada frymëzuese që të futemi. Ato janë bërë shërbëtore të regjimit, lajkatare të diktatorit. Ambasada që e shohin vendin tim si El Dorado...

Çapitem drejt qytetit e pyes veten, pse erdhe o njeri?! Pse? Atdheun ta kanë vjedhur. Ti e di. Ta tregoi Gramozi...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco